Nga Mero Baze, 25 Qershor 2012
Dje mu kujtua Ismail Kadareja, shkrimtari ynë ikonë, që kur rri në Paris jeton me Tiranën dhe kur është në Tiranë xhindoset se i kujtohet Parisi. Ai ka zgjedhur vite më parë një apartament në Sky Tower në një kat të lartë, për një arsye që mund ta kuptojë vetëm dikush që njeh nga afër lidhjen e tij me këtë qytet. I frikësuar nga katrahura e Tiranës dhe përhumbja e qytetit, ai donte të lidhej me diçka të pandryshueshme në këtë vend, me Malin e Dajtit.
Kush e ka lexuar poezinë e tij për Tiranën dhe muzgun e Dajtit, krijon një ide për raportin e tij personal, gati psikopatik të tij me një gjymtyrë të këtij qyteti. Ideja se atij do t’i hiqnin Dajtin nga sytë e kish torturuar vite me radhë dhe u ngjit e kërkoi apartamentin e tij aq lart, sa mendonte se askush nuk do t’ia zinte më Dajtin. Me sa duket këtë makth të tijin shkrimtari e kish shpërndarë gjithandej tek miqtë e tij, shumë prej të cilëve janë dhe miq të pushtetit dhe Lulëzim Bashës.
Dje mësova se qeveria shqiptare, nën ndikimin e Lulëzim Bashës dhe Fahri Balliut, ka marrë një vendim për t’i ridhënë leje ndërtimi një ndërtese 16 katëshe që do të mbijë pas lulishtes së ‘Vëllezërve Frashëri’, në krah të ambasadës zvicerane dhe fiks para dritares së shtëpisë së Ismail Kadaresë. Historia e atij ndërtimi të shëmtuar qysh në nisje ka vite që vërtitet në sirtarët e Bashkisë së Tiranës, por është hedhur poshtë që nga viti 2000 prej Edi Ramës, me ndërhyrje dhe të diplomatëve të huaj, pasi prish sigurinë dhe standardin e një zone të ulët me vila 3 katëshe.
Lulëzim Basha ia arriti të përdor makinacione pa fund dhe ta zhbllokojë këtë ndërtim absurd. Ismail Kadareja, njeriu që i bëri thirrje të tërhiqej nga vendimi për të hyrë me çdo çmim në Bashki, tani po merr një ndëshkim shumë personal dhe mizor nga ata që shumë pak njerëz e kuptojnë. Ai nuk ka për ta parë më Dajtin dhe frika që e ngjiti aq lart në apartamentin e tij të ri vite më parë, tashmë është bërë realitet. Edhe pse duket shumë paranojake, duke njohur anën e lig, mizore dhe hakmarrëse të njeriut që ka vrarë njerëz në këtë qytet, unë besoj se ai ka pasur mes të tjerash parasysh dhe makthin e shkrimtarit për Dajtin kur ka marrë këtë vendim. Është hakmarrë me qetësi ashtu siç askush nuk do të kishte talent të hakmerrej ndaj një shkrimtari si ai.
Ky njeri edhe mund të na kish zhgënjyer të gjithëve dhe të mbante ndonjë prej fjalëve për të cilat ne e dinim që gënjente, por nuk na zhgënjeu. Nuk mbajti asnjë premtim. Një vit pas të drejtës që iu dha për të përdorur firmën dhe vulën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha po bën gjithçka ne kishim frikë se do të bënte, po ribën një Tiranë që të jetë pronë dhe biznes i tij dhe klientëve të vet. Po shpërblen një për një gjithë ata që përdori në atë fushatë dhe po hakmerret ndaj kujtdo që tentoi t’i prishte projektin e tij të qartë për zaptuar Tiranën.
Kanë ndodhur këtë muajin e fundit disa gjëra që kanë rrëqethur shumë njerëz që jetojnë me makthin se qyteti mund të zhduket përfundimisht. Plot njerëz u tronditën kur morën vesh prerjen e një lisi 200 vjeçar para ekspozitës. Fatos Lubonjës ia besoj sinqerisht ulërimën për këtë barbari. Po prishet muri rrethues i zonës tabu të Parkut të Tiranës nga Pallati i Brigadave tek Fakulteti Histori-Filologji dhe do tu hapet rruga lejeve të ndërtimit për tre-katër biznesmenë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, që janë pronarë tokash nga Rruga e Elbasanit deri tek rruga krah Fakultetit Gjeologji- Miniera. Qeveria në mes të muajit maj, me ndërhyrjen e Lulëzim Bashës dhe Fahri Balliut, ka marrë një vendim për të rivlerësuar një leje të skaduar dhënë jashtë ligjit për ndërtimin e një 16-katëshi tek lulishtja e Vëllezërve Frashëri, krah ambasadës së Zvicrës. Janë rikthyer kioskat dhe mejhanet në një shëtitore të mrekullueshme krah bulevardit dhe qyteti qelbet era qofte dhe birra.
Po privatizohet konvikti i shkollës së Gjuhëve të Huaja, jo si nevojë publike për privatizim dhe as si nevojë për të mbështetur arsimin privat, por thjesht si klientelizëm… Lista e frikshme është e gjatë dhe ky është një debat i vështirë për një qytet që ka pranuar të ketë në krye një fytyrë fallco, që disa muaj para se të hynte në atë zyrë, u përdor si manekin i Sali Berishë për të vrarë 4 qytetarë dhe për të lënë 8 jetimë në mëshirë të fatit. Vrasësi i 21 Janarit tani po bëhet dita- ditës vrasës i gjithë kryeqytetit. Por kjo e dyta është një vrasje e ngadaltë, pa gjak, pa zhurmë, pa krisma, por duke na hequr çdo ditë nga një shans për të pasur një qytet normal.
Dikujt i ka hequr lisin 200 vjeçar, dikujt parkun, dikujt shëtitoren me gurë tek Toptanët, dikujt të drejtën për të jetuar, dhe në formën më hakmarrëse Ismail Kadaresë dhe të drejtën për të parë deri në fund të jetës së tij Dajtin. Të gjitha këto i bën një njeri që shtëpinë e parë e ka në një shtet tjetër, fëmijët dhe gruan me shtetësi holandeze, dhe këtë qytet e ka vetëm një mënyrë për të bërë miliarda dhe për të ikur. Nuk di kush mund ta ketë urryer më shumë se ky njeri Tiranën. Dhe ka të drejtë ta urrejë. Ky qytet nuk e deshi dhe ai nuk ia për nder që sot e qeveris. E zaptoi vetë dhe ka të drejtë ta shkatërrojë vetë, derisa ky qytet t’i tregojë vendin.