Marku: Ndryshimet në Qeveri kundër logjikës politike, është koha për një akt rithemelimi të PD

0
30

Deputeti i PD, Mark Marku, 25.06.2012

Deputeti i PD flet për qeverinë, koalicionin dhe të djathtën.
“Noka u shpërblye për përkushtimin ndaj PD e Berishës. Haxhinasto e Panariti, sipas parimit askush në vendin e vet”
Marku: Berisha e Meta, përgjegjës që propozuan ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit për President.
Mark Marku i konsideron pa logjikë politike ndryshimet e fundit në qeveri nga LSI dhe zëvendësimin e Nishanit me Nokën nga Berisha. Në një intervistë të tij për “Panorama”, Marku shfaqet kritik ndaj filozofisë së ndërtimit të qeverisjes prej dy liderëve kryesorë të koalicionit, ku askush nuk emërohet në vendin e vet.
Deputeti i PD analizon marrëdhëniet e PD me koalicionin, thotë se e djathta po humb përfaqësimin brenda PD dhe hedh idenë e një akti rithemelimi të kësaj partie.

Z.Marku, me gjithë zërat brenda maxhorancës që kanë kërkuar rifreskim të kabinetit qeveritar para zgjedhjeve të 2013-s, Kryeministri Berisha iu përgjigj me zëvendësimin vetëm të z.Nishani me z.Noka në Ministrinë e Brendshme. Po ashtu pati një rokadë emrash në ministritë që i takojnë LSI. Si i konsideroni këto zhvillime pas zgjedhjes së Presidentit?
Flamur Ndoka është një funksionar i përkushtuar partiak dhe nuk më duket çudi pse ai është shpërblyer për përkushtimin ndaj PD-së dhe kryetarit të saj, zotit Berisha. Problemi nuk qëndron tek emrat, por te logjika apo filozofia e ndryshimeve. Ndryshimet që bëhen në vitin e fundit të qeverisjes, bëhen për dy arsye. E para, për të treguar se një maxhorancë nuk e ka humbur forcën e reagimit, se e ka ende aftësinë për të analizuar vetveten dhe se e ka vullnetin për t’u vetëkorrigjuar. E dyta, për të treguar profilin politik të së ardhmes. Ndryshimi i fundit nuk i përgjigjet një logjike të tillë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndryshimet e bëra nga LSI. Janë ndryshime emrash, jo rikonceptim i qeverisjes.

Madje ato rikonfirmojnë edhe një herë një parim të liderëve shqiptarë për sa i përket shpërndarjes së ofiqeve: askush në vendin e vet. Haxhinasto, i cili ka një formim në fushën e shkencave humane, shkon ministër i Ekonomisë, Panariti, i cili ka një formim ekonomik, shkon në Ministrinë e Jashtme e kështu me radhë. E njëjta gjë është ndeshur edhe më parë, kur ka ndodhur që aktori të bëhet ministër i Mbrojtjes, e jo i Kulturës, inxhinieri, ministër i Kulturës e jo ministër i Ekonomisë, ushtaraku, ministër i Drejtësisë… Edhe pse posti i ministrit është funksion politik, do të ishte mirë që kur është e mundur dimensioni politik dhe teknik të kombinohen. Shoh pak logjikë politike në këto emërime, për të mos thënë se ato shkojnë edhe përkundër logjikës politike. Mendoja se Kryeministri Berisha, tashmë i pakushtëzuar nga numrat në Parlament, mund të bënte ndryshime më konceptuale.
 Maxhoranca sapo zgjodhi vetëm me votat e saj Presidentin e Republikës, një ministër të kabinetit, z.Bujar Nishani. Tani që procesi ka përfunduar, si e gjykoni rezultatin e saj dhe a mendoni se ky rezultat e favorizon të djathtën një vit para zgjedhjeve të 2013-s, kur PD do të kërkojë një mandat të tretë për të qeverisur vendin?
Siç u pa edhe gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit, aktorët kryesorë të politikës shqiptare kishin ardhur drejt këtij momenti politik me objektiva të përkundërt. PS dhe aleatët e saj synonin ta bënin të pamundur zgjedhjen e Presidentit, duke e çuar vendin në një krizë politike që do të sillte përçarjen dhe rënien e maxhorancës. Qëllimi kryesor i PD-së ishte zgjedhja e Presidentit dhe dështimi i këtij skenari, ndërsa LSI kishte si qëllim faktorizimin e vet nëpërmjet rolit që do të luante në dështimin apo suksesin e njërit apo tjetrit variant. Është e qartë se finaliteti i lojës politike presidenciale nuk ishte Presidenti në vetvete, por zgjedhja apo moszgjedhja e tij. Berisha u dëshmua edhe një herë lojtar më virtuoz se të tjerët, duke përfituar dyfish nga ky proces: zgjodhi Presidentin dhe konfirmoi koalicionin. Meta jo më pak.
Por, edhe pse procesi ishte tërësisht kushtetues dhe solli në krye të institucionit të Presidencës një figurë të nderuar si zoti Nishani, mendoj se secila palë ka humbur nga pak. Zoti Rama ka humbur rastin për të dëshmuar se përveç refuzimit (të natyrshëm për çdo opozitë), di të bëjë edhe gjëra të tjera, si p.sh. të japë zgjidhje alternative për vendin. Zoti Meta vërtet u faktorizua politikisht, por, edhe pse refuzoi kandidaturat me profil të fortë politik dhe e orientoi procesin e zgjedhjes së Presidentit drejt profileve të ardhura nga shoqëria civile, në fund votoi po një kandidaturë politike. Zoti Berisha e mbylli procesin e zgjedhjes së Presidentit pa krizë politike, por, me zgjedhjen e Nishanit, ai nuk ka arritur t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave të faktorit ndërkombëtar, i cili bëri jo pak përpjekje për të potencuar një kandidaturë që nuk vinte nga radhët e figurave politike të partive. Nga ana tjetër, edhe pse ka zgjedhur një figurë që respektohet jo pak brenda formacionit të vet politik, ai ka krijuar edhe një herë tjetër një problem të karrierës brenda PD-së, meqenëse zoti Nishani ishte më pak i kuotuar politikisht si kandidat për President sesa disa figura të tjera të PD-së, që realisht kishin më tepër peshë përfaqësimi real, institucional, politik dhe simbolik se zoti Nishani.
Dy kandidatë jashtë politikës dhanë dorëheqjen nga kandidimi për postin më të lartë të shtetit për shkak të dyshimeve për të kaluarën e tyre. Ju keni deklaruar vazhdimisht se duhet të hapen dosjet e ish-Sigurimit si një zgjidhje morale për shoqërinë. Mendoni se kjo ide është aktuale dhe sot e se maxhoranca duhet t’i japë një zgjidhje kësaj çështjeje?
Ajo që ndodhi me tërheqjen e kandidaturave për President të paraqitura nga maxhoranca, është shumë e rëndë e tregon edhe një herë domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve. Nuk e kuptoj pse një gjë e tillë nuk merret seriozisht. Fakti që kandidatët për presidentë u shantazhuan, tregon se ata mund të shantazhoheshin edhe pasi të zgjidheshin në postin e Presidentit të Republikës. Mendoni një President që është i kushtëzuar në një formë të tillë. Presidenti ka në dorë vendime dhe informacione të rëndësishme për fatet e qytetarëve dhe të vendit dhe nëpërmjet shantazheve ato mund të ktheheshin në të kundërt të qytetarëve.

Nuk duhet harruar gjithashtu se ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit mund të jenë ose mund të bëhen ministra, deputetë, diplomatë, funksionarë të lartë të shtetit dhe kjo e bën vulnerabël vetë shtetin shqiptar. Për këtë arsye është jetike për vendin që të hapen dosjet, sepse duke u hapur dosjet së pari, ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit fitojnë lirinë e tyre, së dyti, vetëm atëherë Sigurimi i shtetit pushon realisht së funksionuari dhe, së treti, institucionet e shtetit shqiptar nuk mund të jenë të shantazhuara dhe të shantazhueshme. Ajo që ndodhi gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit është e çuditshme, irrituese dhe i ngarkon me përgjegjësi propozuesit e tyre. Zoti Berisha si ish-president dhe Kryeministër, zoti Meta si ish-kryeministër dhe ministër i Jashtëm duhet ta kenë ditur implikimin apo mosimplikimin e secilit prej kandidatëve në Sigurimin e Shtetit, sepse njëri prej tyre ka qenë ambasador dhe tjetri ministër. Atëherë, pse u gjetën pikërisht ata?
 Me zgjedhjen e Nishanit në postin e Presidentit, e djathta kontrollon për herë të parë të gjitha postet kyçe të shtetit në Shqipëri duke filluar nga kreu i shtetit e deri tek Bashkia e Tiranës. A është i drejtë ky konstatim dhe si duhet ta trajtojë PD këtë debat në opinionin publik në funksion të një fitoreje në zgjedhjet e ardhshme?
Sistemi politik shqiptar, por jo vetëm ai shqiptar, i vë shpeshherë forcat politike në situata të ngjashme. Raste të tilla mund të jenë fatlume, sepse një forcë politike mund ta ushtrojë plotësisht vizionin e saj qeverisës pa pengesa artificiale, por, edhe fatkeqe, ngaqë mungesa e ekuilibrit të pushteteve rrit mundësinë për abuzim. I shpëtojnë këtij kurthi vetëm ata liderë politikë dhe forca politike që e kuptojnë se sa më shumë pushtet të akumulosh, aq më i madh është rreziku i humbjes së këtij pushteti dhe se një hap e ndan ushtrimin e pushtetit nga uzurpimi i tij. Kapitalizmi demokratik është sistem vetërregullues, që ka në thelbin e vet ekuilibrimin dhe kufizimin e pushteteve. Si të tilla i gjen zgjidhjet pavarësisht vullnetit apo forcës së aktorëve që veprojnë në kuadrin e tij. Për këtë arsye, përkimi që ju përmendni në pyetjen tuaj, rrit nevojën për më tepër përgjegjësi në ushtrimin e pushtetit, për më tepër qëndrim kritik brenda forcave të pushtetit.
 Gjatë negociatave për zgjedhjen e Presidentit u vu re se peshën kryesore të vendimmarrjes e pati tryeza e kryetarëve të partive të koalicionit dhe jo diskutimi brenda Partisë Demokratike, si partia që ka përgjegjësinë kryesore ndaj qytetarëve që e kanë votuar. A mendoni se po zhduket fryma kritike brenda PD-së dhe sa ndikon kjo në ngushtimin e bazës së përfaqësimit të kësaj partie në shtresat e elektoratit të djathtë?
Për shkak të kompozimit të Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 2009-s, pesha e LSI-së dhe e partive të tjera të vogla në koalicion ka qenë e ndjeshme dhe në disproporcion me numrin e deputetëve që ata kanë në Parlament. Ky lëshim që PD-ja ka bërë në favor të partive pjesëmarrëse në koalicion, ka qenë një nga faktorët e qëndrueshmërisë së koalicionit.
Teorikisht i domosdoshëm dhe praktikisht i dobishëm, ky kompromis politik e ka dëmtuar jo pak PD-në gjatë këtij mandati qeverisës në nivelin e përfaqësimit. Edhe pse u konfirmua nga zgjedhjet e 2009-s si forca kryesore politike në vend, PD ka qeverisur thuajse si forcë e barabartë me LSI-në dhe aleatët e tjerë. Gjatë fushatës presidenciale, një gjë e tillë u konfirmua qartësisht. Pesha e tyre ndikoi jo vetëm në emërimin e kandidaturave jo politike të kandidatëve për President, por edhe të kandidaturave politike të ardhura nga PD-ja. Gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit, pesha vendimmarrëse e strukturave të PD-së dhe e Grupit Parlamentar ishte thuajse e pandjeshme, ndërkohë që tryeza e aleatëve vendoste për gjithçka.
Përveç kësaj, me kalimin e viteve kanë ndodhur edhe dukuri të tjera që e kanë ndryshuar jo pak natyrën e PD-së. Falë këtyre ndryshimeve, ajo shfaqet sot si një strukturë politike dhe elektorale gjithnjë e më solide, njëherësh edhe më pak përfaqësuese. Gjatë këtyre viteve, PD-ja ka bërë përpjekje për hapje të vazhdueshme drejt shoqërisë civile dhe ka tentuar t’i bashkojë fraksionet e larguara më parë, e, megjithatë ajo ka shkuar drejt uljes së nivelit të saj të përfaqësimit. Të ardhurit e rinj, por edhe të kthyerit, janë standardizuar dhe modeluar aq shumë në përshtatje me modelin e sjelljes politike që të siguron mbijetesën në PD, sa e kanë humbur mundësinë për të përfaqësuar nuanca ideore dhe shtresëzime sociale që i përfaqësonin në nisje të karrierës së tyre politike ose që do të duhej t’i përfaqësonin. Kështu, ata kanë dëmtuar edhe veten, edhe PD-në.
Më shqetësues është fakti se në PD përfaqësimi i të djathtës është bërë gjithnjë e më fluid dhe më i parëndësishëm dhe kjo u duk edhe në procesin e fundit të zgjedhjes së Presidentit. Kandidaturat që nxori e djathta, ishin ose ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, ose funksionarë të regjimit, ose ish-komunistë. Mendoni për shembull që z. Zaganjori, i cili u paraqit si kandidaturë zyrtare e maxhorancës në fazën e parë, edhe pse në moshë relativisht të re, ishte pranuar në Partinë e Punës në vitin 1988 dhe rezultonte i angazhuar në sistemin e Drejtësisë së diktaturës. Nëse bëheshe komunist në fazën e konsolidimit të sistemit ishte disi e shpjegueshme, pasi angazhimi partiak ishte një formë kompromisi për të mbijetuar në atë regjim, të bëheshe komunist në vitin 1988 ishte krejtësisht e pashpjegueshme: ose duhej të ishe i paaftë për të gjykuar, ose duhej të ishe shumë i lidhur me regjimin.

Nuk ka arsye që edhe sot, 20 vjet pas rënies së diktaturës, një forcë e djathtë të shkojë vazhdimisht drejt figurave të lidhura me diktaturën komuniste, ashtu sikurse nuk ka kuptim që figura të tilla të pranohen pa kurrfarë rezistence nga një forcë e djathtë. Këtë duhet ta korrigjojë PD-ja në të ardhmen, dhe marrëdhënia me shtresat e djathta duhet të ridimensionohet, pasi ajo nuk mund të ushqehet më nëpërmjet retorikës. Nëse kjo nuk ndodh, në terrenin tradicional të elektoratit të saj të djathtë mund ta shtrijnë ndikimin formacionet e reja të krijuara rishtas apo që do të krijohen në të ardhmen.
 Në kushtet kur brenda PD ka pak debat dhe strukturat e kësaj partie pothuajse nuk mblidhen, çfarë mendoni se duhet të ndryshojë kjo maxhorancë në aksionin e saj politik dhe qeverisës për të rritur shanset e fitores së një mandati të tretë qeverisës?
PD po e përmbyll periudhën e saj postkomuniste dhe mendoj se ka ardhur momenti për një bilanc dhe një vizion. Gjatë këtyre viteve ajo ka qenë forca kryesore transformuese e vendit dhe ky bilanc nuk mund të mohohet nga askush, ai është tashmë pjesë e historisë së Shqipërisë. Kjo gjithashtu nuk mund të shërbejë as për të mbuluar problemet e krijuara gjatë këtyre viteve. Përgjegjësia që buron prej këtij bilanci pozitiv, por prej kësaj problematike, e bën të domosdoshëm një moment reflektimi për PD-në si forca kryesore e së djathtës në Shqipëri. Si parti e krijuar në rrethana të caktuara historike, ajo i bart edhe pasojat e këtyre rrethanave, dhe si çdo forcë politike e ka të domosdoshme përshtatjen me rrethanat e reja.
Mendoj se ka ardhur momenti i një akti rithemelues të PD-së. Me akt rithemelues kam parasysh atë që ka ndodhur me formacionet politike të majta dhe të djathta në Francë, Itali, apo në demokracitë e tjera perëndimore, sa herë ka lindur nevoja për rivitalizimin e formacioneve politike. Rithemelim nuk do të thotë humbje e identitetit politik, por ripërcaktim identiteti. Akt rithemelues nuk do të thotë t’i hedhësh tej asetet që ke, as ta shndërrosh partinë në koleksion figurash politike që kanë qenë në PD dikur. Akt rithemelues është një rikonceptim thelbësor i programit, i figurave të përfaqësimit dhe i vizionit politik të PD-së dhe së djathtës shqiptare, një rikonceptim tërësor i marrëdhënieve me elektoratin dhe shtresëzimet e përcaktuara, një rikonceptim i raporteve me faktorët brenda dhe jashtë sistemit politik shqiptar, një rikonceptim i komunikimit politik. Rithemelimi si akt ruan atë çfarë është më progresive dhe më e qenësishme në këtë formacion politik dhe thith atë çfarë është më jetike për të ardhmen e saj dhe që i mungon për momentin.
Natyrisht një gjë e tillë nuk mund të bëhet menjëherë, por që të ndodhë, duhet para së gjithash të hapet debati politik brenda dhe jashtë PD-së. Deri tani debati për PD-në është bërë jashtë PD-së dhe nga ata që, ose kanë ikur nga PD-ja për shkak të konflikteve të brendshme, ose që nuk kanë arritur të gjejnë një pozicion brenda PD-së dhe së djathtës. Do të ishte shumë e shëndetshme për PD-në, por edhe për sistemin politik shqiptar, që ky debat të kthehet edhe brenda PD-së. Nëse deri tani disiplina dhe rregulli politik kanë qenë jetikë për ekzistencën e koalicionit dhe të koherencës së brendshme të PD-së për shkak të momenteve të vështira politike që kemi kaluar dhe për shkak vështirësisë së manovrimit me një numër shumë të kufizuar deputetësh, tani e tutje kjo disiplinë mund të shndërrohet në diçka degraduese. Mendoj se PD mund t’i kombinojë fare mirë përpjekjet për një mandat të tretë me përpjekjet për rikonceptimin e vetvetes duke iu ofruar qytetarëve shqiptarë si një alternativë e re, shpresëdhënëse, konkurruese. Përvoja e ka treguar që ato forca politike që nuk e kuptojnë ndryshimin e realitetit, ose nuk e ndiejnë erën e ndryshimit, tejkalohen prej vetë realitetit.
 PD erdhi në pushtet në 2005-n me premtimin kryesor për të çmontuar sistemin e korrupsionit që ishte vendosur nga qeveria e mëparshme socialiste. Si ju rezulton sot, pas 7 vitesh të kësaj maxhorance në pushtet, realizimi i këtij premtimi, ndërkohë që perceptimi i publikut ka ndryshuar shumë pak?
Është e vërtetë që korrupsioni përbën ende një rrezik për shoqërinë shqiptare. Është gjithashtu e vërtetë se, pavarësisht përpjekjeve dhe rezultateve të arritura, ne nuk i kemi përmbushur pritshmëritë e publikut për luftën ndaj korrupsionit. Ne kemi ardhur në pushtet si forcë antikorruptive dhe po e mbyllim mandatin e dytë qeverisës si forcë e akuzuar për korrupsion. Edhe pse shpeshherë akuzat që bëhen ndaj maxhorancës qeverisëse janë të pabazuara, madje në shumë raste thjesht shpifje që synojnë njollosjen e imazhit të kundërshtarit, do të ishte e pandershme t’i shmangemi thelbit të problemit: korrupsioni është një dukuri gjerësisht e përhapur në shoqërinë shqiptare dhe në administratën shtetërore.

Ata që e kanë studiuar thelbësisht këtë dukuri, kanë arritur në përfundimin se korrupsioni luftohet në dy nivele: e para duke zhdukur shkakun e tij, domethënë duke i organizuar shërbimet ndaj qytetarëve në mënyrë të tillë që praktikisht të mos ketë nevojë që dikush të paguajë për një shërbim pasi ai i ofrohet falas ose përkundrejt tarifës legale, shpejt dhe pa vështirësi, dhe së dyti, duke rritur koston e tij, domethënë duke e bërë sistemin legal efikas në atë shkallë saqë akti i korruptimit të ishte një akt me pasoja të rënda si për korruptuesin, ashtu dhe të korruptuarin. Në nivelin e parë, rolin kryesor duhet ta luajë qeveria, ndërsa në nivelin e dytë sistemi juridik. Në nivelin e parë të luftës ndaj korrupsionit gjërat kanë lëvizur ndjeshëm, por megjithatë rezultatet nuk janë shumë të kënaqshme. Në nivelin e dytë gjendja dihet. Nëse duam të përballemi me efikasitet me dukurinë e korrupsionit, duhet të ndërmarrim një reformim të thellë të administratës shtetërore dhe të sistemit gjyqësor.