PSE ZGJEDHJET MBETEN E VETMJA ZGJIDHJE REALE

0
52

Andrea Stefani

Pas takimit Ruçi-Patozi janë ngritur iluzione se do të mund të gjendet një zgjidhje për krizën politike që po zgjat prej më shumë se një viti. Por po të shqyrtosh më me vëmendje deklaratat e përfaqësuesve të të dyja palëve, kupton se askush nuk ka lëvizur, as edhe një presje nga pozicioni i vet. PD-ja këmbëngul që kutitë e votave të mos hapen, ndërkohë që PS-ja vazhdon të këmbëngulë për hapjen e tyre. Iluzioni i një konsensusi u krijua, ndoshta nga fakti që të dyja palët ranë dakord që një komision parlamentar i kryesuar nga opozita të hetojë, në përputhje edhe me rezolutën e Parlamentit Europian (PE), edhe materialet zgjedhore.

Por nuk vonoi të kuptohet se po të dyja palët kanë kuptim të ndryshëm lidhur me termin “material zgjedhor”. Pushteti këmbëngul se në këtë kategori nuk hyjnë kutitë e fletëve të votimit, ndërsa opozita argumenton të kundërtën. Mospajtimi shfaqet kështu edhe më thelbësor, pra edhe më i pakalueshëm. Ndërkaq, kriza politike, krejt në kundërshtim me mburrjet e qeverisë se gjithçka funksionon normalisht, shihet qartë se ka bllokuar një sërë reformash, duke shtuar edhe shqetësimin e “ndërkombëtarëve”. Presioni i këtyre të fundit e ka përmirësuar pozicionin e opozitës. Rezoluta e sapodalë e PE-së i ka hequr opozitës çdo arsye për të braktisur kërkesën për një transparencë që përfshin edhe kutitë e votimit.

Por ndërkaq, edhe pushteti nuk ka fituar ndonjë arsye më shumë për të hequr dorë nga pengimi i transparencës. Për të dyja palët lëshimi do të thoshte disfatë. Dhe prandaj zgjedhjet e parakohshme mbeten si e vetmja zgjidhje e kësaj krize, që ndryshe do të mbetet një lëmsh i pazgjidhshëm jo vetëm urrejtjesh, intrigash, por edhe termash e kundërtermash juridikë.

* * *

Edhe një shqyrtim i përciptë i Kodit Zgjedhor të jep të kuptosh se duke sugjeruar hetimin e “materialit zgjedhor” rezoluta e PE-së ka mbështetur kërkesën e opozitës për hapjen edhe të kutive të votimit dhe jo vetëm kutitë e “materialeve të votimit” apo që është e njëjta gjë, e “materialeve zgjedhore”. Këtë tashmë e kanë pranuar publikisht edhe juristë që qëndrojnë pranë PD-së. Ndarja e materialit zgjedhor në dy kuti, atë të votave dhe atë të materialeve zgjedhore, është bërë vetëm që të mos kishim një kuti të madhe, por të gjitha janë material zgjedhor. Kështu u shpreh, në thelb, ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, në emisionin “Top Story”.

Më pas ai shtoi se termi i rezolutës “material zgjedhor” mund të interpretohet nga shumica pikërisht sipas ndarjes teknike që Kodi i ka bërë materialit zgjedhor, pra si “materiale zgjedhore”. Këtu na duket se Gjata gabon. Sepse që të arrihet një gjë e tillë duhet t’i bëhet rezolutës një redaktim i vockël. Termit të debatuar duhet t’i shtohet një “s”. Sepse aty thuhet “electoral material” dhe jo “electoral materials”. Prandaj, nëse sipas shprehjes së vjetër “për një “m” që ti s’e vë fjala “mik” bëhet “ik” edhe në rezolutën e PE-së, për një “s” që mungon termi mbetet “material zgjedhor”, pra ai që në kuptim të Kodit Zgjedhor i përfshin edhe kutitë me materiale votimi (ose zgjedhore) edhe kutitë me fletët e votimit.

Por avokatët e qeverisë nuk tërhiqen. Ata shpikin pista të tjera penguese për transparencën. Kështu për Gjatën hapja e kutive të votimit nuk duhet bërë nga një komision hetimor parlamentar, jo se ato nuk janë material zgjedhor, por sepse cenohet parimi i ndarjes së pushteteve. Sipas Gjatës, hapja e kutive të votimit dhe rinumërimi i votave, janë kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Të marrësh një kompetencë të tillë është si të dhunosh një vendim gjykate. Por a është vërtet kështu? Na duket se jo.

Sepse KQZ-ja është institucion dhe jo pushtet i pavarur. Dhe si institucion ai i nënshtrohet kontrollit të Parlamentit, kontrollit të përfaqësuesve të Sovranit, që në një moment të caktuar, do të dijë nëse KQZ, KZAZ-të apo edhe Komisionet e qendrave të votimit i kanë zbatuar, në mënyrë korrekte apo jo, ligjet e miratuara nga Parlamenti apo procedurat që diktojnë ato ligje. E thënë më troç, ca përfaqësues të popullit duan të verifikojnë nëse komisionerët partiakë kanë respektuar ligjin duke bërë që vota të shkojë tek i zoti, apo kanë toleruar vjedhjen e saj. Dhe të verifikosh një gjë të tillë, nëse vidhet apo jo vota e qytetarit, qenka cenim i ndarjes së pushteteve?

Edhe nëse do të qe vërtet kështu, çdo t’i duhej demokracisë ndarja e pushteteve, nëse nuk i shërben, por pengon demaskimin e vjedhjes së votës që është themeli i demokracisë? Por deklarimin më naiv dhe aspak nga pozitat e një institucioni të pavarur e ka bërë Arben Ristani, kryetari aktual i KQZ-së. Ai, tashmë, nuk bën as edhe përpjekjen më të vogël të fshehë rreshtimin e tij në krah të qeverisë, kundër transparencës së kërkuar nga opozita. Ristani deklaroi se me të shpallur Presidenti i Republikës datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale, ai do të zbrazë kutitë e votave, duke djegur edhe fletët e votimit që mbajnë brenda ato? Pse?

Jo se ligji thotë kështu, por sepse kutitë i duhen Ristanit për zgjedhjet e ardhshme lokale. Kësaj i thonë të “zgjidhësh” nyjën e krizës me djegie duke konkurruar me Aleksandrin e Madh që e zgjidhi nyjën dragojane me shpatë. Ristani nuk do të kuptojë se duke djegur fletët e votimit del, si pa dashje, jashtë misionit të tij, pra nuk i shërben qeverisë, por i lë asaj damkën e pashlyeshme të atij që zhduku gjurmët e krimit të saj elektoral.

* * *

Duke sugjeruar që komisioni hetimor parlamentar të ketë mandat për të hetuar edhe “materialin zgjedhor”, rezoluta e PE-së duket sikur ka hedhur në tryezën e politikës shqiptare një mollë sherri të re. Por faji nuk është i PE-së. E keqja është se në Shqipëri nuk ka ende një sistem gjyqësor të pavarur që të mund ta zgjidhte këtë sherr duke i bërë të gjitha palët të heshtin më pas. Gjykata Kushtetuese është aktualisht nën presionin e shumicës, ndërkohë që opinionet e dhëna për amendimet e Kushtetutës, kanë dëshmuar se edhe Komisioni i Venecias nuk është i paprekshëm nga valët e interesave që emeton bota e politikës shqiptare qoftë me anë të disa antenave të diplomacisë “ndërkombëtare”.

Jemi në rrethin vicioz, kur për zgjidhjen e krizës politike mund të na ndihmonte një pushtet drejtësie i pavarur, i cili nuk ekziston po për faj të klasës politike që është mbërthyer në krizë. Në fakt, sikur të kishim pushtet drejtësie dhe gjykatës të pavarur nuk do të kishim pasur fare krizë. Ndërkaq, një mangësi tjetër që e bën krizën të pazgjidhshme është edhe mungesa në gjirin e palëve politike të vlerave të përbashkëta që mundësojnë konsensusin. Kemi një opozitë që kërkon hapjen e kutive të fletëve të votimit, sepse është e bindur që pala tjetër ka vjedhur vota, ndërkohë që kjo e fundit, pozita, refuzon të hapë kutitë në emër të ligjit, respektimit të ndarjes së pushteteve dhe Kushtetutës.

Konsensusi do të qe i mundur sikur të dyja palët të kishin të përbashkët si vlerë, dedikimin ndaj zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në një rast të tillë ato nuk mund të mos bashkoheshin në konsensus te transparenca. Por në fakt, qeveria na kujton një keqbërës që kërkon të obstruktojë kontrollet e policisë apo të hetuesisë, duke manipuluar me të drejtat e personit. Gjithsesi pavarësisht nga këto, më shumë se një vit krizë ka provuar mungesën fatale të elasticitetit në pozicionet e palëve. Zgjidhja mund të vinte edhe sikur njëra palë të tërhiqej nga pozicioni i saj. Një vit krizë dhe kostoja politike që do shoqëronte një veprim të tillë, jep pak shanse për një ndodhi të kësaj natyre. Gjërat duket se do të vazhdojnë të mbeten kështu.

Kjo do të thotë se ka ardhur koha që edhe “ndërkombëtarët”, për të shpëtuar Shqipërinë nga një stanjacion tepër të rrezikshëm për integrimin e saj, të mendojnë si zgjidhje të kësaj krize pa zgjidhje, zgjedhjet e parakohshme. Dhe zgjedhjet e parakohshme, me përpjekje shumë të mëdha, do përbënin një shans për fillim të ri dhe mbi të gjitha, një zgjidhje reale përkundër zgjidhjeve hipokrite me vendime gjykatash të tredhura dhe “respekt” për një Kushtetutë të dhunuar jo vetëm nga politika, por edhe thuajse për çdo ditë, nga një realitet pa drejtësi dhe shtet ligjor real.