E ardhmja europiane e Kosovës

0
88

Arben Malaj, 17.07.2010

Disa ngjarje të rëndësishme po ndodhin së fundi në rajonin tonë dhe në veçanti me Kosovën.
Vetëm pak ditë më parë Parlamenti Europian zhvilloi një seancë të veçantë dhe miratoi një rezolutë të rëndësishme për të ardhmen europiane të Kosovës dhe sfidat e saj.

Pak ditë më vonë, ndoshta në 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare do të shprehet për shpalljen e pavarësisë nga populli i Kosovës. Ekspertët e të drejtës ndërkombëtare paralajmërojnë se vendimi mund të ketë një gjuhë jo qartësisht të lehtë. Ndoshta Serbia do të nxitojë ta lexojë …këtë vendim në interes të saj. Opsioni më i vështirë për vetë Serbinë është që të mos e njohë dhe të mos e respektojë vendimin, nëse nuk do të jetë ai që ajo do të dëshironte.

Rritja e aktivitetit diplomatik të Serbisë për të penguar njohjen e mëtejshme të Kosovës mund të jetë e menjëhershme dhe shumë intensive. Ky paralajmërim i përsëritur vjen nga një pjesë e lidershipit politik të Serbisë. Ky qëndrim rrezikon të zgjasë periudhat e vështira në Ballkan. Politikisht, por edhe ekonomikisht edhe vetë Serbia rrezikon të paguajë një kosto jo të vogël. Ky qëndrim mund të rigjallërojë ndjenjat nacionaliste, duke dëmtuar rëndë perspektiven europiane të vetë Serbisë. Efektet negative të këtij qëndrimi të saj për rajonin tonë mund të reduktohen nga një mbështetje më të plotë, më të qartë dhe pa vonesa, ndaj Kosovës.

Vullneti pozitiv i europarlamentarëve për të mbështetur të ardhmen europiane të Kosovës ishte shumë inkurajues. Rezoluta e Parlamentit Europian me kërkesën publike për ta njohur Kosovën, ndaj pesë vendeve anëtare të BE-së që akoma nuk e kanë njohur, ishte masazhi i duhur dhe në kohen e duhur.
Rezoluta ritheksoi sfidat e vështira të Kosovës, por jetike për të ardhmen e saj. Ritheksoi luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe luftën kundër varfërisë.

Pavarësia e vonuar e Kosovës, e arritur me aq shumë vuajtje dhe sakrifica njerëzore, funksionimi i shtetit ligjor në Kosovë, përballimi i sfidave të zhvillimit ekonomik e social, padyshim janë elementë shumë të rëndësishëm të paqes dhe prosperitetit për të gjithë rajonin tonë.
Është koha që Kosova të këtë mbështetjen e plotë, të qartë dhe produktive të të gjithë faktorit shqiptar në rajonin tonë.

Situata e acaruar politike në Shqipëri, dështimi i bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes, zhgënjimi ndërkombëtar për qëndrimet tekanjoze të lidershipit politik në Shqipëri, mund të tërheqin apo reduktojnë padrejtësisht një pjesë të vëmendjes ndërkombëtare ndaj sfidave të Kosovës.
Kjo u duk qartë edhe në seancën e fundit të Parlamentit Europian ku diskutohej për dy rezoluta, një për Kosovën dhe një për Shqipërinë.

Detyrimi ynë është jo thjesht në sallën e Parlamentit Europian, por ndaj opinionit publik, sidomos ndaj vendeve të rajonit, sidomos ndaj disa skeptikëve apo nacionalistëve. Të gjitha vendet e rajonit tonë, përfshirë edhe Serbinë, kanë një perspektivë të përbashkët, perspektivën europiane. Ndaj nuk duhet të vazhdojmë të jemi peng i së shkuarës sonë. Europianizimi i Ballkanit është jo vetëm opsioni më i mirë, por duhet të jetë edhe i vetmi.
Angazhimi i vendit tonë ndaj paqes dhe prosperitetit në rajon mund të jetë me produktiv, nëse ndjehet dhe respektohet më mirë detyrimi për të lehtësuar dhe mbështetur sfidat e Kosovës.

Mbështetja jonë ndaj sfidave historike të Kosovës pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare bëhet e domosdoshme. Kriza politike në vend, zvarritja e zgjidhjes, risku i përkeqësimit të një krize të tëjzgjatur, mund ta dëmtojnë jo pak efikasitetin tonë në mbështetjen konkrete që duhet t’i garantojë Kosovës, si pjesë edhe e angazhimit tonë të përhershëm për paqen dhe prosperitetin në të gjithë rajonin tonë.

*Deputet, lektor për integrimin europian