ISMAIL QEMALI – vjershë e pabotuar…

0
55


ISMAIL QEMALI

(Vjershë e pa botuar, shkruar e kënduar ditën që erdhi Ismail Qemali në Vlorë i vdekur)

Nga ALI ASLLANI

Mbyllur det’ edhe stere

Kush do pyes? … edhe përse?

E kush pyet për Shqipërinë,

Rreth me male një shketinë

E pa zë dhe e pa zotë

Vetëm vlente për një botë

Që të bënej ndonjë ditë,

Një thërime një kafshitë

Për atë e për këtë,

Vleft’e saja hë për hë,

Dele dajos……..

Kur nji ditë,

Vjen e çfaqet një Profitë;

Ish nji plak i bardhë borë,

Nji bajrak me zok në dorë;

Çan tokë e çan detë

Si i çan rrufeja retë;

Edhe zbriti mu atje

Ku i than nga se për se

Po atje në atë vëndë,

Dy të prishurit na mëndë,

Jo që nuk i than “miserdhe”

Po i than dhe “shko nga erdhe!”

Plaku gjorë e plaku mjerë,

Ku do vejë e ku do bjerë,

Nëpër erë e nëpër shira

Nëpër gropa me shëllira?

Iku ditë e iku natë

I mungon dhe buk’ e thatë;

Edhe buka i mungonte,

Vëtan zêmra i valonte.

Si ish baltë, këmba kridhej,

Si ish plakë, trupi dridhej,

Andej ruhej nga armiku,

Këtej ruhej nga i ligu.

Mirpo plaku bëri krahë;

Kaloj male, kaloj brigje,

Kaloj pellgje të pa vahë,

Kaloj pyje të pa shtigje

Syr’ i tija një yll shihte

Dita yllin po e fshihte.

Plaku iku, iku, iku

Pas ca dite një mëngjes,

Kur dëgjon një zë kikiku,

Një qytet i gjithë u ndes.

Ish një vend, një vend i lirë

Që në gjuhën më të mirë

Që në gjuhën e Asllanit,

I thon vëndi i jataganit;

I thon Vlon’ e i thon Vlorë

Ku Shqiponja dy krenorë,

Gjeti gjithë ata që deshi,

Djem baroti, djem arbreshi,

Me besë burri armatosur,

Trimëri që s’ka të sosur,

E kush ishte ai plakë?

E kush ishte ajo flakë?

Si një yll që është këputur

Në një arqe brenda futur,

Na harriti…. Kuje sotë

Nuk na erdhi si e deshëm,

Po në dhe se fusëm dotë

Pra në zêmra do t’a ngjeshim.

Dhe aty do rroj sa malet

Shpirti tija nuk do falet

Nuk do falet po si Dielli,

Ku bashkohen det e qielli,

Atje shuhet ashtu duhet,

Qarko botës zë e muhet;

Mirpo dielli dhe atëherë,

Shkrep dhe shtie mbi të tjerë;

Dielli mbet gjithnjë Diell,

Kurdoherë me kokë në qiellë,

Edhe Plaku këtë ditë,

Si njeri mbaroi jetë

Mir po Plaku i vërtetë

Ish Profit dhe mbet Profit;

Dhe qëndron ashtu si ishë;

Do mbaj emrin si e kishë;

Emr’i tija i vërtetë;

Esht Nëntor njëzet’ e tetë.