Pak orë pas sulmit të ministrit Dritan Prifti në parlament, dhe i sapokthyer nga një vizitë në Greqi, Edi Rama i përgjigjet pyetjeve të “Gazetës Shqiptare”. Dhe, e bën këtë duke shtruar nga ana e tij disa pyetje të tjera…
“Si ka mundësi që një ministër dhe qeveria e tij të besojnë që mund t’u ikin akuzave për korrupsionin e tyre galopant, duke u përgjigjur me fyerje qesharake?! Në atë shfrim me 200 shtëpi, seks e drogë, Prifti ishte çingija e sapongritur prej prehrit të Saliut! Ga-zetarët le të hetojnë dhe të verifikojnë nëse janë ose jo të vërteta. Por, mbi të gjitha, Prifti i Saliut duhet të sjellë provat e akuzave të tija. Dhe unë, e ftoj atë të provojë gjithçka në prokurori dhe gjykatë, ku janë më shumë se 30 padi kundër Berishës dhe klikës së tij, që duhet të provojnë shpifjet e tyre. Dhe, këtyre i shtohet një akuzë e re. Ndërkohë, ai le t’u përgjigjet pyetjeve të mia. Këtë herë i bëj unë pyetjet, dhe ia bëj Pritit të Saliut e qeverisë së tij. Le t’u përgji-gjen këtyre pyetjeve, në vend që të tentojnë t’u ikin akuzave me të njëjtin sistem urrejtjeje dhe shpifjeje me të cilin po bëjnë pis të gjithë vendin”.
Atëherë, cilave pyetje duhet t’i përgjigjet Dritan Prifti?
Pyetja e parë: Si ka mundësi që një ministër të deklarojë 1 milion e 800 mijë euro fitim, duke pretenduar se burojnë nga shitja e 30 për qind të aksioneve në një shoqëri, për të cilën ai nuk ka deklaruar kurrë se zotëronte pjesë?
Pyetja e dytë?
Si ka mundësi që ka fituar 1 milion e 800 mijë euro nga shitja e aksioneve, dhe nuk ka paguar 180 mijë euro tatim fitimi në shtet?
Ndoshta i ka paguar…
Atëherë, nëse i ka paguar, le t’i tregojë, të publikojë për popullin dokumentet e pronësisë së fabrikës që shiti dhe dokumentin me të cilin vërteton se ka paguar tatimin e fitimit prej 180 mijë eurosh.
A ka pyetje të tjera, për të cilat kërkoni përgjigje?
Sigurisht. Të shpjegojë se çfarë raporti ekziston mes blerësit të presupozuar, të fabrikës së presupozuar dhe shtetit. Ai zotëri, që sipas Priftit ka derdhur në xhepat e një anëtari të qeverisë 1 milion e 800 mijë euro, është i njëjti person që përfiton kontrata disa milionë euroshe nga qeveria për furnizimin me barna farmaceutike. Në fakt, bëhet fjalë për një zotëri që furnizon me sasira të mëdha prodhimesh farmaceutike Ministrinë e Shëndetësisë. Që do të thotë, se paratë e marra nga Prifti, nëse vërtetë do të vërtetojë se i ka marrë nga shitja e aksioneve të fabrikës misterioze, na qenkan para publike. Në një vend normal, një ministër do të përfundonte në shtëpi për 10 sekonda. Ndërsa, këtu, ai shpif për të tjerët. Dhe nuk ka mbaruar këtu…
Ka të tjera?
E vërteta është që e gjithë qeveria duhet të përgjigjet para popullit për dhjetëra e dhjetëra çështje flagrante korrupsioni. Duhet të përgjigjet edhe kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, e cila merr çdo vit miliona e miliona lekë nga arka e shtetit, si dieta duke deklaruar që jeton në Shkodër, kur në fakt të gjithë e dinë se ajo jeton në Tiranë. E megjithatë, dietat i fut në xhep. Duhet të përgjigjet ministri i Mbrojtjes se si mund të shitet pasuria publike me çmime qesharake, në momentet e një krizë të rëndë ekonomike si ajo aktuale, ku shteti ka nevojë për para e në fakt edhe ato pak prona publike që kanë mbetur, u shiten klientëve ose familjarëve të pushtetit.
Unë e di mirë që ministrat nuk përgjigjen dot, sepse për të gjitha dhe mbi të gjithë është një përgjegjës i vetëm që duhet të përgjigjet, dhe ky është Sali Berisha, i cili duhet t’u japë shpjegime shqiptarëve për 1.8 milionë eurot dhe për të gjitha të tjerat. Duhet të përgjigjet në një situatë krize të thellë ekonomike, ku korrupsioni po bëhet litari në fyt për të varurin. Shtypi duhet të hetojë, ai pak shtyp i lirë që ka mbetur, le të hetojë për mua, por të hetojë edhe për ata. Gazetarët, të mos bëjnë si spektatorët në një ndeshje tenisi që shohin majtas-djathtas dhe djathtas-majtas në pafundësi. Njerëzit kanë nevojë për siguri. Njerëzit duan një arbitër, por arbitri në këtë lojë të pistë, mungon.
Ju keni depozituar 30 padi për shpifje. Nuk mendoni se ky arbitër mund të jetë prokuroria?
Ndoshta për shkak të një sistemi drejtësie të korruptuar, e vërteta mbi gjithë këtë mal balte, do të vonojë, por unë i kam premtuar djalit tim që do ta kërkoj këtë të vërtetë deri në frymën e fundit. Dhe i premtoj shqiptarëve, që ligjet e miratuara apostafat për të zhbërë pronën publike, privatizimet e korruptuara të pronave, që u përkasin të gjithëve dhe që nuk mund të jenë pasuri për pak vetë, aktet e papërgjegjshme të qeverisë që po e zhyt vendin në mjerim për shkak të babëzisë së saj, do të bëhen “nul” kur ne të vijmë në pushtet.
(e.n/GSH/BalkanWeb)