Pasuria që varfëron, varfëria që pasuron

0
43

Kosta Barjaba

1. Lajmi i EUROSTAT pothuajse nuk përbëri lajm për publikun shqiptar: Shqipëria mbetet ende vendi më i varfër në Europë. Fuqia blerëse e shqiptarëve është pesë herë më e vogël se ajo e konsumatorëve europianë. Madje EUROSTAT ia plasi edhe më keq: Shqipëria është më e varfër se Bosnjë-Hercegovina, një shtet më pak se njëzetvjeçar, i lindur mundimshëm mes konfliktesh e luftërash nga shthurja e strukturave perandorake të ish-Jugosllavisë.

Pra, ekonomikisht dhe për nga cilësia e jetës së qytetarëve të saj, Shqipëria mbetet e fundit si në kontekstin europian, ashtu edhe në atë ballkanik apo euro-juglindor. Studimet mbi varfërinë konfirmojnë se enklavat e varfërisë vazhdojnë të mbeten zonat rurale të vendit, të paarsimuarit dhe familjet e mëdha, të cilat sipas studimit më të fundit të Bankës Botërore, përbëjnë rreth njëzetë për qind të të varfërve. Më të varfrit vazhdojnë të mbeten të papunët, pensionistët dhe të zhvendosurit brenda vendit.

Krahasimi i treguesve të papunësisë dhe varfërisë gjatë viteve 2007-2009 tregon se harta e varfërisë pothuajse përputhet me hartën e papunësisë. Gjatë njëzetë vjetëve tranzicion, klasa politike dhe qeverisëse shqiptare nuk arriti ta ngrejë vendin të paktën një shkallë në renditjen e varfërisë në rajon dhe kontinent. Me gjithë ritmet zyrtare të uljes optimiste të varfërisë, nga 22,5 për qind në vitin 2002, në 18,5 për qind në vitin 2005 dhe 12,5 për qind në vitin 2008, të konfirmuara nga Banka Botërore dhe INSTAT, Shqipëria nuk mbetet veçse e fundit e kontinentit dhe rajonit në të gjitha renditjet. Ky është fakti. Të tjerat janë fjalë.

2. Një tjetër tregues domethënës për shtresëzimin dhe polarizimin ekonomik e shoqëror në Shqipëri është koeficienti i pabarazisë. Brenda gati njëzetë vjetësh Shqipëria po arrin një koeficient pabarazie të krahasueshëm me koeficientin e BE-së: koeficienti Gini në Shqipëri është rreth 27, ndërkohë që ky tregues për Bashkimin Europian është 31. Varfëria dhe pabarazia janë prezente në një kohë që vendi ka ende burime e kapacitete njerëzore të konsiderueshme. Por këto potenciale, nga një dhuratë demografike, po shndërrohen në rrezik demografik. Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve në zhvillim me nivel të lartë të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor. Në vitin 2009 Shqipëria renditej në vendin e 70-të, me IZHNJ rreth 0,818.

Vendi ndodhet pra në një ekuacion ekonomiko-shoqëror me shumë të panjohura. Pikëpyetja më e madhe në fushën e politikave është se përse burimet materiale, natyrore dhe njerëzore të vendit nuk prodhojnë cilësi jetese të krahasueshme me vendet e tjera, edhe dy dekada pas demokratizimit? Kjo pikëpyetje përbën një sfidë për vetë zhvillimet demokratike, po të mbajmë parasysh parimin e njohur se është e vështirë të instalohet demokracia në një vend të varfër. Shtypi e kaloi këtë fakt, ndonjëherë duke u marrë më shumë me byzylykët dhe varëset e pasurideklarueseve, të cilat në vetvete përbëjnë gjithashtu një ironi politike e morale.

3. A është në të vërtetë varfëria ajo që na tregojnë shifrat? Edhe këtu ka një problem. Në Shqipëri janë ngritur akuza serioze për vërtetësinë e shifrave të prodhuara nga INSTAT në lidhje me treguesit e zhvillimit ekonomik të vendit. Këto akuza kanë shkuar deri në ekstrem, aq sa opozita ka deklaruar se do të kërkojë ndjekje penale për institucionin e prodhimit të statistikave të vendit. Kjo është shumë e rëndë për një institucion publik. INSTAT, si një institucion tërësisht teknik, është bërë po aq i kontestueshëm sa edhe KQZ, që është një institucion politiko-elektoral. Pavarësisht origjinës së akuzave, INSTAT nuk mund ta hedhë lumin duke akuzuar opozitën. Këtë le ta bëjë qeveria ose partitë e koalicionit qeveritar.

Çlirimi i INSTAT nga akuzat për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dhënash duhet të vijë në rrugë bindëse dhe dinjitoze për një institucion publik. Shkurt, nderin e INSTAT duhet ta vejë në vend, nëse mund të vihet, EUROSTAT, si institucioni europian i prodhimit të statistikave. Por këtu ka dy pengesa serioze: e para, EUROSTAT është një institucion i Bashkimit Europian, misioni i të cilit është furnizimi i BE-së me informacion statistikor në nivel europian dhe harmonizimi i metodave statistikore midis shteteve anëtare e kandidate të BE-së dhe vendeve të EFTA-s; e dyta, ka të bëjë me objektin e punës së EUROSTAT.

Ky institucion nuk llogarit drejtpërsëdrejti statistikat europiane dhe as kontrollon prodhimin e tyre në vendet anëtare. Nëse qeveria shqiptare dhe INSTAT janë të interesuar të rindërtojnë prestigjin e INSTAT, duhet të kërkojnë një zgjidhje nëpërmjet kontributit të EUROSTAT në kaosin e treguesve të Shqipërisë. Përderisa institucionet europiane janë bërë arbitra në çështje politike apo ligjore, është më e rëndësishme të bëhen të tillë në llogaritjen e treguesve ekonomikë e financiarë. Këta përbëjnë, në fakt, një nga pikat e referimit jo thjesht të ekonomisë, por edhe të shoqërisë, demokracisë dhe botës shqiptare.

4. Kontributi i EUROSTAT për prodhimin e treguesve realë makro-ekonomikë dhe makro-financiarë të Shqipërisë mund t’i referohet precedentit të qëndrimit ndaj krizës greke. Duke u nisur nga e drejta për të shprehur rezervat në rast të dyshimeve për vërtetësinë e treguesve të prodhuar nga shtetet anëtare, gjatë viteve 2005-2009 EUROSTAT ka shprehur pesë herë rezervat e tij për treguesit e ofruar nga statistikat greke. Mbështetur edhe në këto rezerva, Komisioni Europian vuri publikisht në dyshim treguesit e Greqisë për sa i përket deficitit dhe borxhit. Kjo ndodhi për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe transparencës së institucioneve statistikore të Greqisë për prodhimin e treguesve realë dhe të besueshëm.

Situata të tilla e detyruan Komisionin Europian të kërkojë rishikimin e kompetencave të EUROSTAT-it, sidomos në llogaritjen e treguesve të tejkalimit të kufijve të deficitit. Ky kontekst mund të shfrytëzohet për të kërkuar bashkëpunimin e EUROSTAT me INSTAT për kurimin e sëmundjes kronike të fshehjes ose manipulimit të treguesve ekonomikë e financiarë të vendit. Përndryshe, INSTAT nuk mund ta fshehë pafundësisht faktin që pasuria prodhon varfëri dhe varfëria prodhon pasuri.