Mungesa e dialogut parimor

0
40

Në përditshmërinë shqiptare, duke u nisur nga politika, e cila qëndron në majat e të këqijave, pastaj tek strukturat tjera shoqërore, institutet e ndryshme, elitat e mediat, shohim se nuk ekziston asnjë fushë, ku ne të arrijmë të bashkohemi rreth të mirave të përbashkëta

Ndue Ukaj

Kriza shqiptare ka lidhje me dimensionet tona historike, qytetëruese, shpirtërore, dhe natyrshëm në këtë arenë hyn mungesa e dialogut parimor të brendshëm, që ka sjellë humbjen e besimit në të ardhmen. Mungesa e ndjenjës së bashkëpunimit është ndër faktorët që e pengon kombin në rrugën e përparimit.

Cenet, paragjykimet dhe shpirtngushtësia

“Pesë anarkitë tona” të identifikuara nga Fan Noli, si: anarkia fetare, sociale, morale, patriotike, e idealeve, mbeten pengesa në ecjen krahas kombeve të qytetëruara. Edhe pas shumë dekadave, ato janë diga që na pengojnë t’i flakim tutje cenet dhe paragjykimet tona. Të ndërlidhura edhe me filozofinë e brohoritjeve, ato na kanë sjellë para një gjendjeje anarkiste, edhe në fillimet e shekullit XXI, kur besohej me të drejtë se çështja shqiptare do të përmbyllej me jetësimin e projekteve të nisura shekuj më parë.

Mungesa e idealit

“Një popull nuk rron dot pa ideale, pa një shtytje, pa një qëllim që e bën të ecë, të përpiqet dhe të përparojë”, thotë Lumo Skëndo. Idealet duhet të ushqehen nga qëllime të mira e të përbashkëta. Por, shoqëria jonë formësohet në kontraste të fuqishme, mes dimensioneve civilizuese, që përplasen mes perëndimoreve e lindorëve, gegëve e toskëve, të djathtëve e të majtëve. Për shkak të këtyre divergjencave, ne nuk kemi arritur dot kompromise. Varësisht nga vendi ku jetojmë, ne ndryshe e konceptojmë problemin ekzistues të gjuhës shqipe, ndryshe vlerësojmë historinë e të ardhmen tonë.

Ne nuk kemi arritur sot e gjithë ditën të bëjmë një kompromis. Nuk mund të mohohet se fajin e ka politika, por nuk mund të justifikohen as elitat intelektuale, shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët, gazetarët etj., që nuk kanë ndërmarrë asnjë përpjekje dashamirëse për një kompromis unik për çështje me rëndësi.

Dialogu ka munguar dhe ende mungon

Dialogu ka munguar në të kaluarën, për fat të keq, mungon edhe sot. Madje, ka tregues që thonë se do të mungojë edhe në të ardhmen, për shkak të njerëzve që promovojnë antidialogun, bojkotin, ikjen e kamuflimin e problemeve. Me këtë strukturë të elitave nuk duken shenja të nisen debate të mirëfillta, të cilat do të shtronin probleme, do të analizonin shkaqet dhe pasojat, dhe do të nxirrnin pastaj konstatime. Pa e ekzagjeruar, dialogu është për shqiptarët gjithçka tjetër përpos aftësi për t’u marrë vesh, për të bashkëpunuar, për të bashkërenduar e për të ndërtuar kompromise në drejtim të së mirës së përbashkët. Madje, shpesh, dialogu konceptohet si turp, frikë e lëshim, kur ai është vlerë, shans e shprehje e vetëdijes së lartë emancipuese.

Shqipëria lindi nga Zoti (nga idealizmi), shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët, shkruante Faik Konica. Sot, vrasësit e shqiptarëve, nuk janë armiqtë e jashtëm, nuk janë as vetëm politikanët, ata janë brenda, duke tharmuar shpirtin shqiptar. Kundër këtij fenomeni duhet të dilet në betejë të hapur dhe pa kompromis.