Shqiptarët dhe korrupsioni

0
31

Irish Times, 16.07.2010

Në satirën politike “Qeni shakaxhi”, roli i fiksuesit politik, Robert de Niro, sugjeron një plan të fillimit të luftës me Shqipërinë, për të shmangur vëmendjen ndaj një telashi presidencial amerikan. Kjo bazohet në faktin që askush nuk e ka idenë ku bie Shqipëria.

Është një vend i vogël i Ballkanit, me një histori krenare, por komplekse.

Gjëja që u shkakton shqiptarëve, më tepër neveri se anonimati, është klisheja e referimit ndaj tyre si kriminelë gjenetikë. Sipas organizatës “Transparency International”, Shqipëria është njëri nga vendet më të korruptuara në Ballkanin Perëndimor.

Nëse pritni një takim me prokuroren e Përgjithshme të Shqipërisë, Ina Rama, e para femër në këtë post, ju do të krijoni një përshtypje të veçantë për shkak të interesimit jo të zakonshëm të mediave për të.

Dy paraardhës të saj janë akuzuar dhe larguar. Kurse ajo u përball me çështje të imunitetit mbi dy ministra aktualë të akuzuar. Rasti i parë i imunitetit ka të bëjë me keqmenaxhimin e 120 milionë eurove të fondeve shtetërore në tenderimin e rrugës për në Kosovë.

Rasti tjetër i profilit të lartë përfshin shpërthimin masiv në depon e municionit afër kryeqytetit Tiranë, ku u vranë fëmijë që ishin të punësuar ilegalisht aty.
Ju mund të imagjinoni se drejtësia do të mbizotëronte në këtë rast në Shqipëri, por nuk ndodhi kështu. Të dyja rastet e profilit të lartë ministror u refuzuan nga Gjykata për “shkaqe procedurale”.

Rasti më i fundit për të kuptuar qasjen qeveritare ndaj prokurorit të përgjithshëm, ndodhi kur Ina Rama u përpoq të marrë në pyetje biznesmenin nga Bosnja, Damir Fazliq. Pavarësisht nga reputacioni i lidhjeve me “mafien e energjisë” në rajon, prokurorët nuk ishin në gjendje ta ndalojnë atë para se ai të largohej nga Shqipëria.

Vetëm pas paraqitjes së pamjeve në televizion, në të cilat vetë shefi i policisë ishte filmuar duke e përcjellë zotin Fazliq në aeroport, Ministria e Brendshme e pranoi se e kishte dërguar policinë, me qëllim që t’i parandalojë prokurorët për ta marrë në pyetje Fazliqin (!). Po çfarë arsyetimi ishte dhënë nga ministri për pengimin e kërkesës së kryeprokurores për marrje në pyetje? U tha se kërkesa ishte jokushtetuese, sepse ishte bërë me telefon (!)

Gjithashtu, janë akuzuar anëtarët e afërt të familjes së kryeministrit S. Berisha dhe ish-ministrit të Jashtëm, L. Basha, për lehtësimin e shitjes së një kompanie me seli në Qipro. Kjo kompani, pronë e Damir Fazliqit, nuk kishte pasuri, por ishte shitur për 1.75 milion euro dhe kjo ka ngritur shqetësime për pastrim parash.

Të gjithë që janë të përfshirë fuqishëm, i kanë hedhur poshtë akuzat. Madje kryeministri i këtij vendi publikisht e ka përshkruar Fazliqin si “mik të dashur”. Për të, kryeprokurorja Ina Rama u shndërrua nga personi, për të cilin kryeministri kishte thënë se “e gëzon besimin e gjithë spektrit parlamentar” në njeriun që “ishte mashë e opozitës”.

E pyetur se si ky presion ndikon në familjen e saj, ajo thotë se nëna e saj i mbledh të gjitha shkrimet në gazeta për të… Kur babai e pyet se si po ecën puna, ajo gjithmonë i thotë: “unë jam mirë”.

*Irish Times është nga të përditshmet më prestigjoze dhe më të vjetra të Irlandës. Titulli në original: “Gruaja që pengohet të luftojë korrupsionin”