Pasuria e Shkëlzenit dhe Argitës, e dhjetëfishuar për 5 vjet. A janë të korruptuar fëmijët e kryeministrit?

0
33

TemA Online, 15 Qershor 2012

Shkëlzen dhe Argita Berisha

Kur gjyqi mes fëmijëve të kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit socialist, Sajmir Tahiri, po shkon drejt fundit, deputeti bën publike deklaratat e pasurisë që tregojnë se si janë pasuruar fëmijët e Berishës gjatë kohës që babai ishte në pushtet. Dhe ta mendosh që janë deklarime publike

Procesi gjyqësor mes fëmijëve të kryeministrit, Shkëlzen dhe Argita Berisha, me deputetin socialist, Saimir Tahiri, ka vijuar edhe ditën e premte. Por, ndërsa procesi është kthyer në një farsë, deputeti socialist jep të dhënat e pasurisë së tyre, duke ngritur një pyetje: Kush mund të më thotë, a janë apo jo të korruptuar këta…

“Pasuria e Shkëlzen Berishës në vite (sipas Deklarimit të Pasurisë):

Viti 2006 – 9 milionë lekë të vjetra + apartament 56 milionë lekë të vjetra (total 65 milionë lekë të vjetra).

Viti 2011 – 630 milionë lekë të vjetra (dhe apartament nuk ka më, jeton me qera)

Pasuria e Argita Berishës në vite (sipas Deklarimit të Pasurisë):

Viti 2006: 880 milionë lekë të vjetra (përfshirë 10 apartamente në Tiranë).

Viti 2011: 1 miliard e 825 milionë lekë të vjetra (përfshirë 9 apartamente)”, shprehet deputeti socialist.

Siç shihet nga shifrat, Shkëlzen Berisha brenda 5 viteve e ka dhjetëfishuar pasurinë e tij, ndërkohë që nuk merret me ndonjë punë apo aktivitet të veçantë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Argitën, pasuria e të cilës është në shifra të frikshme.

Seanca

Gjatë ditës së premte është zhvilluar seanca gjyqësore midis deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri në cilësinë e të paditurit dhe fëmijëve të kryeministrit Berisha, Argita dhe Shkëlzen Berisha, në cilësinë e paditëseve. Deputeti Tahiri i kërkoi gjykatës riçeljen e procesit të hetimit gjyqësor me arsyen se disponon prova të reja si dhe për shkak se një seancë gjyqësore është zhvilluar pa praninë e tij dhe pse deputeti Tahiri kishte kërkuar shtyrjen e saj pasi ishte seanca parlamentare kur do të votohej për Presidentin e ri të Republikës.

Tahiri tha se kjo seancë ishte zhvilluar në kundërshtim me ligjin sepse avokati i deputetit socialist nuk kishte të drejtën e përfaqësimit gjyqësor të tij kur ai vetë nuk ishte i pranishëm në seancë. Por gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë të deputetit Tahiri. Më pas Saimir Tahiri kërkoi përjashtimin e gjyqtarit të çështjet me argumentin se ai ka faktuar qëndrimin e tij të njëanshëm më shumë se njëherë me vendimet e ndërmjetme që ka dhënë gjatë këtij procesi gjyqësor. Edhe sot nuk u dha vendimi pasi u kërkuar nga deputeti Tahiri kohë për të hartuar konkluzionet përfundimtare.

Pas seancës, Tahiri tha: “Siç besoj e dëgjuat ky proces gjyqësor po kthehet në një parodi dhe më vjen shumë keq që gjykata dhe as gjyqtari nuk e fshehin dot shndërrimin në avokat të fëmijëve të kryeministrit.

Seanca e fundit është zhvilluar në mungesën time, pikërisht ditën kur votohej në Kuvend kandidatura e Presidentit të Republikës. Unë kërkova natyrshëm shtyrjen e gjyqit, për sa kohë unë duhet të isha në seancën parlamentare për të votuar Presidentin e Republikës. Kërkesa ime jo vetëm nuk është marrë parasysh por gjyqi është mbyllur me argumentin, mesa duke të gjykatës, se unë duhet të isha në seancën gjyqësore dhe jo në seancën parlamentare. Kam këtu vetëm një fakt, bazuar vetëm në deklaratat e pasurive të fëmijëve të kryeministrit. Shkëlzen Berisha në vitin 2006 ka pasur 90 milionë lekë të vjetra, në vitin 2011- 630 milionë lekë të vjetra. Argita Berisha ka deklaruar pasurinë në vitin 2006 – 880 milionë lekë të vjetra, në vitin 2011 – 1 miliard e 820 milionë lekë të vjetra,” tha Tahiri.

I pyetur se përse nuk i dorëzon provat në prokurori, Tahiri tha: “Provat që unë disponoj kryesisht janë në prokurori. Janë dhe në gjykatë madje. E për këtë arsye unë kërkova nga gjykata të mi jepte këto prova. Dhe përsa kohë un personalisht ja kërkova gjykatës dhe nuk mi dha, kërkova nga gjyqtari që të detyronte gjykatën të mi jepte këto prova. Meqë gjykata më la pa prova, meqë institucionet nuk më përgjigjen për provat që ju kërkova dhe meqë gjyqtari nuk ua kërkon institucioneve provat unë do arrij ti provoj vet mesa mundem. Të paktën në këtë gjyq edhe nëse nuk bindet gjykata, e mesa shoh është e bindur për të kundërtën, të paktën të bindet publiku se fëmijët e kryeministrit nuk janë të pastër.”