Albin Kurti
Në emrin e tij personal, të PDK-së e qytetarëve të Kaçanikut, kryeministri Thaçi e falënderoi kryetarin Xhabir Zharku për punën e mirë në shërbim të gjithë qytetarëve, në hapje të fushatës së PDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kaçanik. E falënderoi jo vetëm në emrin e vet, por edhe të PDK-së. A thua se deshi ta vuloste që PDK-ja është veçse parti e Xhabirave, duke e ngritur kështu Xhabirin në dukuri të përgjithshme partisë. Nuk ka se si të jetë ndryshe.
Dihet që vetëm pushteti (i paligjshëm) dhe paraja (e vjedhur) e mbajnë bashkë PDK-në. Ajo s’ka demokraci të brendshme, program, parime politike, ideale e as vizion për shoqërinë. Xhabiri është esenca e PDK-së, fundamenti përkufizues i saj. Prandaj, jo Xhabiri, por njerëzit e mirë në PDK, janë aksidenti. Pa njerëzit e mirë në PDK, partia ia del fare mirë; pa Xhabirin, s’mundet dot. Prandaj Thaçi s’mund të mos e lavdëronte Xhabirin. Atë e ka krijuar e mirëmbajtur PDK-ja, por edhe e kundërta vlen veçse më shumë.
Xhabiri nuk ka bërë punë të mirë në shërbim qytetarëve, ashtu siç u shpreh për të Thaçi. Përkundrazi, Xhabiri ka bërë punë shumë të keqe, sepse ai ka punuar për vete dhe, me gjasë, për PDK-në, në kurriz të qytetarëve. Ai s’ka punuar për qytetarët, por ua ka punuar qytetarëve. Kulmi i poshtërsisë së Thaçit ishte falënderimi i Xhabirit në emër të kaçanikasve. Në emër të viktimave, falënderoi xhelatin e tyre! Para një muaji, Gjykata Supreme e Kosovës vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës për Xhabir Zharkun.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut u shpall fajtor për veprat “detyrim” e “armëmbajtje pa leje”, dhe u dënua me 3 vjet burg e 1 500 euro gjobë. Edhe tre të akuzuarit e tjerë: Arsim Kolshi, Nysret Cena dhe Besnik Hasani, u shpallën fajtorë, duke u dënuar respektivisht me 3 vjet dhe nga një vit e tre muaj burg. Dihet që gjykatat në Kosovë janë fort të lodhura. Kur dënohen politikanët e zyrtarët e lartë si puna e Xhabir Zharkut, atëherë vërtet e kanë tepruar me shkelje e krim, se përndryshe nuk i akuzojnë, e aq më pak t’i dënojnë.
Krimi i tyre lidhet me krimin më të madh në ekonominë e Kosovës së pasluftës – privatizimin. Ky grup me në krye Xhabirin kanë kërcënuar e detyruar ofertuesin e parë të tërhiqet me rastin e shitjes së një ferme blegtorie në 2006-n, për ta fituar atë më pastaj ofertuesi i dytë, Arsim Kolshi. Xhabiri nuk u ndie fajtor gjatë procesit dhe bëri betejë gjyqësore në instanca më të larta. Ata që e njohin në Kaçanik thonë se ai nuk di ndryshe: qeverisjen lokale e kupton si sundim e pronësim të mjeteve, pasurive e njerëzve. Arsimi, administrata, shëndetësia, tregtia, etj. ishin nën kthetrat e këtij zullumqari që nuk beson që njerëzit kanë të drejta. Për këtë mënyrë, ai mori edhe mirënjohjen e kreut të qeverisë e partisë së tij.
Nuk është i rastësishëm slogani i tyre për zgjedhjet e 17 qershorit: Vazhdojmë me Besimin! Pa kurrfarë vetëkritike apo kërkim faljeje për qeverisjen kriminale, në mënyrën më të ulët të mundshme, thërrasin për vazhdimin e rrugës së kërcënimeve, përvetësimeve e korrupsionit të profilit të lartë. Kjo thirrje është paralajmërim i qartë për krimet e ardhshme të PDK-së në Kaçanik, në rast të fitoreje.
Kandidati i PDK-së, Besim Ilazi, djali i komandant Bardhit, është përzgjedhur nga familja e dëshmorit të kombit që të përdoret si paravan për kuzhinën e njëjtë të ndyrë të PDK-së. Pra, vepruan ashtu siç bënë me familjen e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari: emri i tij iu vu aeroportit të Prishtinës, kurse djali i Hamëz Jasharit u bë drejtor i bordit të aeroportit, në mënyrë që shitja e aeroportit të bëhej sa më e lehtë. Këta njerëz po i keqpërdorin pa dhimbje familjet e dëshmorëve, pasi e keqpërdorën UÇK-në. Po terrorizojnë popullsinë në emër të kontributit të tyre në luftën çlirimtare. Ata nuk ia zëvendësuan Kosovës okupimin me lirinë, por okupimin e huaj me uzurpimet e tyre.
Ata po sillen si mercenarët, që nuk ua dhanë paratë në fund për luftën që bënë. Zaten, le të dalin dhe të thonë se sa para u ka populli borxh, në mënyrë që t’ua paguajë njëherë e mirë dhe të çlirohet prej këtyre çlirimtarëve. Shumë prej tyre kanë degraduar veten, por po marrin në qafë edhe Kosovën. Baron i krimit nuk ishte vetëm kryetari i komunës së Kaçanikut. Të tillë ka edhe në krye të jo pak komunave të tjera nëpër Kosovë. Xhabir Zharku ishte fatkeqësia e Kaçanikut, largimi i tij është fati i Kaçanikut. I takon Kaçanikut që të mos lejojë t’i përsëritet fatkeqësia. Përsëritja e fatkeqësisë bëhet tragjedi. Me 17 qershor është mundësia që duhet shfrytëzuar.







