Nga Tema
Parlamenti Evropian miratoi me shumicë votash në Bruksel rezolutën për liberalizimin e vizave me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, si dhe deklaratën e përbashkët të Komisionit dhe Këshillit Evropian. Rezoluta e Parlamentit Evropian është konsultative dhe ka vlerën e rekomandimeve politike, ndërkaq vendimin përfundimtar pritet ta marrë Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, deri më 30 nëntor
Në të përcaktohet se heqja e regjimit të vizave për tri vendet përfituese hyn në fuqi, jo më 1 janar 2010, siç pritej, por më 19 dhjetor 2009. Eurodeputetët thanë se kjo do të ishte një dhuratë për Krishtlindje për banorët e këtyre vendeve.
Deklarata nuk përcakton asnjë datë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjë-Hercegovinën, por lihet e hapur mundësia që këto shtete të përfitojnë liberalizim vizash, sapo të plotësojnë kushtet, pa caktuar afate.
Por Tirana është shprehur entuziaste për këtë lajm duke deklaruar se kushtet do të plotësohen shumë shpejt dhe lëvizja pa viza do fitohet në korrik të vitit që vjen.
Nga ana tjetër, ministrat e Jashtëm të Italisë, Rumanisë dhe Hungarisë janë angazhuar për integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk duhet të mbetet jashtë Bashkimit Evropian dhe integrimi i gjithë Ballkanit Perëndimor duhet të jetë prioritet”, – ka thënë ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Balash, gjithashtu ka thënë se synim kryesor i Iniciativës së Evropës Qendrore duhet të jetë integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Qeveria: Rama po mban peng PS. Rama: Qeveria duhet të na përgjigjet
Ndërsa tri vende të Ballkanit Perëndimor përfituan lëvizjen e lirë pa viza që këtë vit, në Shqipëri kriza politike vazhdon të mbajë të mbërthyer vendin. Palët kanë përforcuar qëndrimet e tyre, duke mos dhënë asnjë sinjal për zgjidhje.
Fillimisht ishte vetë ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, që doli në një konferencë për shtyp për të përshëndetur vendimin e ambasadorëve të BE për dhënien e dritës jeshile për aplikimin e Shqipërisë, dhe u përpoq të bënte diversionin brenda opozitës, kur tha që socialistët po i mban peng kryetari Rama.
“Toni i ndërkombëtarëve në thirrjen e vazhdueshme që i bëjnë opozitës për të hyrë në Kuvend është në nivel “crescendo” (vjen duke u rritur”), kjo u duk edhe dje në deklaratën e z. Rehn gjatë konferencës për shtyp me ministrin e Jashtëm, Meta. Nuk mund të parashikoj reagimin e opozitës apo të them, nëse ajo do ndërrojë qëndrim sot ose nesër, e vetmja gjë që mund të them është se kreu i PS, Rama, po krijon një situatë anormale që startoi pas zgjedhjeve të 29 qershorit, kur idhnia e tij e humbjes së zgjedhjeve bëri që ai ta zgjedhë dhe përdorë bojkotin vetëm për arsye personale. Them për arsye personale, sepse çdo anëtar i Partisë Socialiste është i bindur që rruga e kryetarit të tyre, jo vetëm që s’ka gjasa t’i sjellë në pushtet, por s’po i lejon të bëjnë as opozitë”, – tha Bregu.
Kurse kryetari i PS, Edi Rama, tha se opozita i ka marrë përgjegjësitë e saj, tashmë është koha e qeverisë të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Ai tha se deklarata e Komisionarit për Zgjerimin, Olli Rehn, janë keqinterpretuar.
“Jam i keqardhur që deklarata të tilla që janë të qarta dhe të lexueshme, transformohen dhe reformohen nga vetë pushtetarët. Në këndvështrimin tim, apeli i Rehn është fare i qartë dhe tregon se kjo shumicë nuk duhet të vazhdojë në rrugën e lënies së përgjegjësisë në supet e opozitës. Opozita e ka marre përgjegjësinë e vet”, – ka deklaruar Rama.
Duke iu përgjigjur deklaratës së Rehn se bojkoti nuk është mjet demokratik, Rama tha: “Bojkoti nuk është një shprehje e normalitetit demokratik, madje është reagimi ndaj mungesës së normalitetit demokratik. Ne jemi gati të hyjmë në parlament që nesër, nëse plotësohen kërkesat tona”, – ka shtuar kreu i PS.
Ndërsa nga foltorja e Kuvendit, kryeministri, Sali Berisha, la të kuptohet se nuk ka ndërmend që të rishikojë zgjedhjet e qershorit. Ai i quajti ato si zgjedhjet më të mira në vend.
“Qeveria dhe autoritetet, forcat politike, kurorëzuan procesin zgjedhor më të mirë në historinë e vendit, u aplikuan teknologjitë më moderne të identifikimit të qytetarëve dhe të numërimit të votave, kurorëzuan procesin, ku Kodi Zgjedhor u përcaktua nga opozita”, – theksoi Berisha
“Besimi te vota, tek autoritetet shtetërore, se në Shqipëri do bëheshin zgjedhjet më të mira se asnjëherë tjetër, u bë një realitet. Për herë të parë realizuam zgjedhjet më të mira, si rrallë ndonjëherë në ndonjë vend tjetër. Tabelat e rezultateve të qendrave u firmosën pa asnjë vërejtje nga mijëra komisionarë të forcave politike. Mandatet e deputetëve u votuan nga të gjithë anëtarët e KQZ pa kontestime”.
Të mërkurën, Komisionari për Zgjerimin i tha zëvendëskryeministrit, Ilir Meta, se duhet gjetur një zgjidhje për krizën politike.
“Dua gjithashtu të them diçka në lidhje me pjekurinë demokratike. Progresi drejt BE kërkon reforma të vështira dhe konsensus politik në prioritete kyçe. Kjo është thelbësore për çdo vend që të bëjë progres drejt BE. Në emër të forcimit të konsensusit politik, i kam kërkuar zv/kryeministrit të gjejë një zgjidhje për bllokadën aktuale politike dhe për bojkotin e parlamentit prej opozitës.
Patjetër që ky është një shqetësim që e kam ngritur edhe me opozitën dhe i kam kërkuar asaj që t’i japë fund bojkotit parlamentar që nuk respekton standardet demokratike evropiane. Debati demokratik duhet të ndodhë brenda parlamentit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë kësaj periudhe që BE është duke konsideruar kërkesën, dhe kur Komisionit do t’i duhet së shpejti të fillojë punën për Opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Një kriter politik thelbësor është stabiliteti demokratik dhe ky lloj bojkoti parlamentar nuk përputhet me pjekurinë demokratike apo me stabilitetin që kërkohet”, – tha Rehn. Ai deklaroi se kriza politike do të pengojë ambiciet e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
“Natyrisht, nëse bojkoti parlamentar do të vazhdojë më gjatë, ai do të ketë një ndikim negativ në analizat për kriterin politik dhe kështu do të kishte një ndikim negativ në mundësitë për garantimin e statusit të kandidatit nga BE”, – tha Rehn.