Zahmetet e Zvicrës

0
64

Nga Enver Robelli, 14 Qershor 2012

Çka e mundon njërin prej shteteve më të pasura në botë?

Secili vend i ka problemet e tij. Spanja u detyrua të kërkojë ndihmë nga eurozona për të shpëtuar bankat, të cilat duke dhënë kredi me mendjelehtësi dhe duke financuar tregun e pasigurt të patundshmërive kanë rrëshqitur në krizë. Greqia në fund të kësaj jave do të mbajë sërish zgjedhje parlamentare, pasi partitë nuk arritën që pas zgjedhjeve të 6 majit të krijojnë një qeveri. Pastaj do të dihet pak më mirë nëse ky vend do të mbetet pjesë e eurozonës apo do t’i kthehet valutës së dikurshme, drahmës.

Hungaria po lufton për të përmirësuar imazhin, pasi kryeministri i gjithëfuqishëm Viktor Orban ka futur nën kontroll mediet, gjyqësinë, institucionet kulturore dhe autoritete të ndryshme të shtetit. Të enjten Ballkani do të shikojë se çfarë do të thotë Tomislav Nikoliqi në Bruksel, ku do të vizitojë krerët e Bashkimit Evropian. Presidenca daneze e BE-së e ka kritikuar kryetarin e ri serb për shkak të deklaratave të tij mohuese ndaj gjenocidit në Srebrenicë. Kroacia momentalisht nuk ka gati asnjë problem, sepse pothuaj të gjithë janë të përqendruar në Kampionatin e Futbollit në Poloni/Ukrainë. Starti i kroatëve (3:1) kundër Irlandës ishte premtues.

Shqipëria nuk ka po ashtu gati asnjë problem këto ditë. Pritet që Sali Berisha të propozojë Reis Çiçon kandidat për president. Për problemet eventuale të Kosovës nuk ia vlen të diskutohet në këtë tekst, aq më tepër që atmosfera është tepër festive, kur disa përbetohen në idealet e Lidhjes së Prizrenit, të tjerët e gjejnë kënaqësinë në heqjen e flamujve të Kosovës, thuajse një copë tekstil qenkësh pengesë për zhvillim. Secili vend, pra, i ka problemet e tij. Por çfarë problemesh ka Zvicra? Të shohim në vazhdim.

1.

Të gjithë të barabartë para ligjit. Shefi i policisë së kantonit Aargau ka dorëzuar patentën e shoferit, sepse ka ngarë veturën përtej limitit (86 km/h në vend të 60 km/h) dhe me atë rast është fotografuar prej një “polici” tjetër, policit prej teneqes, siç i thonë zviceranët radarit skaj rrugës.

2.

Secili sipas traditës së vet, madje edhe në rrugë drejt botës tjetër. Në Luzern, në njërin prej qyteteve më të bukura të Zvicrës, hindusët mund t’i varrosin të vdekurit sipas riteve të tyre. Në lumin Reuss është caktuar një vend, ku kortezhi mund të derdhë hirin e të vdekurit.

3.

Para pak ditësh në Bernë, në kryeqytetin diskret të Zvicrës, atje ku njerëzit janë të famshëm, sepse flasin ngadalë, mbi 10 mijë të rinj (aty-këtu edhe të tjerë në moshë të pjekur) marshuan nëpër qytet me moton: “Çlirohu duke vallëzuar”. Me këtë aksion pjesëmarrësit protestuan kundër kufizimeve në jetën e natës nga ana e autoriteteve.

4.

Me gjasë në katër javët e ardhshme Evropa do të jetë e bllokuar. S’është fjala këtu për euron (valutën), as për Euron (me “E” të madhe) në Poloni e Ukrainë; fjala këtu është për Grykën e Gotthardit, masivin gjigant që ndan Zvicrën gjermane me atë italiane. Nën këtë masiv kalon një tunel për vetura dhe një tjetër për trena. Këto dy arterie lidhin Evropën Veriore me atë Jugore. Rruga dhe hekurudha e Gotthardit janë arterie që mundësojnë qarkullimin e mallrave mes ekonomive evropiane. Tani afër lokalitetit Gurtnellen në kantonin Uri është çarë një shkëmb dhe disa mijëra metra kub gurësh kanë bllokuar trasenë e Gotthardit. Një punëtor ka vdekur. Po punohet me të madhe që grumbulli i gurëve të hiqet dhe nëpër tunelin e Gotthardit sërish të kalojnë, për çdo ditë, nga 120 trena mallrash, 60 në drejtim të jugut, 60 në drejtim të veriut.

5.

Rrallëherë zviceranët i përcjellin debatet parlamentare. Interesi i publikut shtohet kur në çdo katër vjet, në fillim të dhjetorit, parlamenti zgjedh ministrat e rinj ose i konfirmon ata që tashmë ndodhen në poste dhe rikandidojnë. Së fundi publiku ishte i interesuar shumë për debatin parlamentar, sepse të zgjedhurit e popullit po merreshin me mbajtjen e delfinëve në Zvicër. Pas një debati emocional u vendos që tani e tutje importimi i këtyre gjitarëve të ndalohet. Aktualisht në Zvicër notojnë tre delfinë, në delfinariumin e parkut “Connyland” në Lipperswil afër liqenit të Konstancës. Atje në fund të vitit të kaluar ngordhën dy delfinë të tjerë. Arsyet nuk dihen ende, pronari i parkut mendon se dikush mund t’i ketë helmuar delfinët e tij. Prokuroria fillimisht supozonte se një gabim i mjekëve kishte shkaktuar ngordhjen e delfinëve. Politikanët janë të mendimit se në Zvicër nuk ka kushte për mbajtjen e delfinëve. Tre delfinët e mbetur pritet të dëbohen nga Zvicra, ndoshta diku në Mesdhe.

6.

Se deri ku mund të shkojë një betejë juridike e dëshmoi këto ditë një firmë zvicerane, e cila ka një reputacion botëror në prodhimin e çokollatave. Një produkt shumë i njohur i kësaj fabrike është lepuri prej çokollate, i mbështjellë me letër dekorative ngjyrë ari. Këtë markë zviceranët synonin ta mbronin me ligj. Për këtë qëllim iu drejtuan Gjykatës Evropiane në Luksemburg. Por juristët evropianë nuk treguan mirëkuptim dhe nënvizuan se lepuri prej çokollate, i prodhuar në fabrikën buzë liqenit të Zürich-ut, nuk shquhet për ndonjë veçori të jashtme, e cila do ta bënte atë të denjë për t’u mbrojtur me ligj si markë. Synimi i zviceranëve ishte që t’i ndalohej konkurrencës austriake prodhimi i kafshëve të ëmbla. Fundja për çdo vit firmat zvicerane të çokollatave shesin 110 milionë ekzemplarë lepuri-çokollatë.

7.

Në Zvicër është ruajtur forma më burimore e demokracisë. Ai që ndër viset shqiptare njihet si Kuvend, ku të parët tanë diskutonin për probleme të ndryshme, përfshirë edhe më të rëndat, në Zvicër ekziston ende. Për çdo vit në sheshin qendror të qytezës së Glarusit mblidhen qytetarët me të drejtë vote dhe marrin vendime të rëndësishme për kantonin e tyre, i cili bart emrin e njëjtë (Glarus). Demokraci nën qiell të hapur quhet kjo formë e shprehjes së vullnetit popullor. Në Glarus kështu është tashmë 625 vjet. Në shesh miratohen ose hidhen poshtë ligje, zgjidhen anëtarët e rinj të qeverisë së kantonit dhe caktohen gjykatësit. Kur para disa javësh mbaheshin zgjedhjet në Francë, Greqi e Serbi edhe në Glarus u mbajt “Landsgemeinde” (asambleja kantonale ose Kuvendi). Edhe sivjet demonstrimi i demokracisë në sheshin e hapur ishte mbresëlënës. Përkundër shiut të imët mijëra qytetarë gjatë debatit pesorësh nuk lëvizën nga ulëset.

8.

Një grindje bizare është duke u zhvilluar në Zürich. Pronari i një restoranti po ndiqet juridikisht nga fqinji i tij, një dyqanxhi, i cili shet çanta, kravata, shalle. Dyqanxhiu e ka një problem me menynë e restorantit: specialiteti kryesor i lokalit është “Fondue”, djathë i shkrirë në një enë, e cila nxehet mbi zjarr, pastaj djathit – sipas qejfit – i hidhet pak verë e bardhë. Në këtë qull, me ndihmën e një piruni të gjatë, ngjyhen copa buke. Kjo është ana e mirë e këtij specialiteti zviceran. Ana tjetër më pak e këndshme është aroma e rëndë që lëshon djathi. Dyqanxhiu është i mendimit se kjo aromë (ose erë e rëndë) depërton në prodhimet e tij të tekstilit dhe kështu ia prish biznesin, sepse askush nuk dëshiron të blejë një kravatë, së cilës i vjen era djathë. Për shkak të shkaktimit të erës një gjykatës e ka dënuar pronarin e restorantit me një gjobë prej 450 frangash.