Përse Kosova nuk e shpëton dot Berishën?

0
42

Nga Mero Baze, 21 Qershor 2013

Ka disa ditë që po rritet shqetësimi për skenarët e mundshëm të manipulimit të zgjedhjeve. Një paranojë e re, që po forcon skenarin e një ndasie të fortë brenda shqiptarëve, është zhurma për ardhjen e shqiptarëve të Kosovës në votime. Një pjesë e madhe e tyre, rreth 20 mijë, mund të jenë pajisur me shtetësi të rregullt, por frika më e madhe, që po qarkullon si paranojë, por dhe si realitet, është “vjedhja” e identitetit të mijëra shqiptarëve që janë emigrantë, dhe prodhimi i kartave të reja të identitetit jashtë sistemit duke angazhuar qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia të votojnë në Kukës, Peshkopi dhe Tiranë si një trupë votuese shtesë.

Kam qenë jashtë Shqipërisë këto ditë dhe kam konstatuar se kjo paranojë është gati një skenar që ta thotë çdo shqiptar i Shqipërisë apo Kosovës që takon, kur bie fjala për zgjedhjet e së dielës. Nuk jam aq i frikësuar nga efekti elektoral i një aksioni të tillë të paprinciptë, por jam i frikësuar nga një pasojë e rëndë që ky operacion mund të lërë në hapësirën shqiptare, duke formuar një frymë të fortë anti-kosovare, si dhuratë e fundit në ditën e fundit të Sali Berishës në pushtet.

Si një nga gazetarët e Shqipërisë, më i angazhuar në shtypin e Kosovës prej vitit 1992, dhe si një avokat i sinqertë i tyre në Tiranë, do të doja t’u drejtohesha atyre publikisht për të shmangur sa të mundim një keqkuptim ndërshqiptar si peshqesh prej Sali Berishës.

E para që dua t’u them me siguri është se Sali Berisha do të humbasë pushtetin ditën e diel. Paralajmërimet e para për rrethimin ndërkombëtar të tij po i sjell shtypi perëndimor këto ditë, ndërsa ne që jetojmë në Shqipëri dhe që e prekim me dorë situatën, jemi të qetë se e hëna do të gdhihet pa Sali Berishën në pushtet. Opozita do të fitojë nga 74 deri në 80 mandate në varësi të fuqisë që do të ketë për të ndalur procesin e manipulimit industrial që Sali Berisha po përpiqet të aplikojë, por kurrë nuk do të ketë shans që të jetë afër fitores.

Sa herë Sali Berisha rrezikon të ikë nga pushteti, ai përdor Kosovën si mollë sherri mes shqiptarëve, për të shpëtuar varkën në mbytje. Shqiptarët e Kosovës, por dhe ata të Maqedonisë, që Lulëzim Basha po përpiqet t’i angazhojë me karta fallco, hoxhallarë fallco, dhe para fallco, duhet t’i qëndrojnë larg kësaj beteje, e cila nuk është betejë e tyre. Ata po thirren si mercenarë në një betejë që ka rëndësi historike për Shqipërinë dhe fatin e saj perëndimor.

Unë, më shumë se kushdo tjetër, i njoh ndjeshmëritë e shumë shqiptarëve në Kosovë për Sali Berishën. Njoh nevojën e tyre për lider të fortë në Shqipëri, afërsinë e tyre gjeografike me Sali Berishën, ndikimin që ka retorika e tij populiste mbi zonat rurale në Kosovë, njoh historinë e asaj çfarë ai ka bërë dhe ç’po bën për Kosovën deri më sot. Jam aq i qartë sa i justifikoj të keqkuptuarit, të entuziazmuarit dhe të dëshpëruarit prej tij. Por ky nuk është rasti as të shprehni mirënjohje dhe as hakmarrje ndaj Sali Berishës. Ky është rasti të qëndroni në shtëpinë tuaj dhe të mos vendosni për betejën tonë mes të resë dhe të vjetrës në këtë vend.

Unë e kuptoj se mijëra anëtarë të LDK-së në Kosovë kanë ndjesinë se Sali Berisha i përfaqëson si një ish- mik i Ibrahim Rugovës, por e vërteta është se ai ka qenë një nga armiqtë e tij real. Prej vitit 1994, komunikimi i tyre ka qenë formal, dhe prej vitit 1996 ka qenë armiqësor. Ibrahim Rugova nuk e priti Sali Berishën në Kosovë dhe ky njeri ia arriti të shkelë në Kosovë vetëm në varrimin e Ibrahim Rugovës. Ai tentoi ta diktonte atë, ta poshtëronte, ta zëvendësonte me liderë të tjerë gjysmë sharlatanë, vetëm që t’i tërhiqte botës vëmendjen nga kriza e pushtetit të tij në Shqipëri në vitin 1996- 1997.

Unë e kuptoj se shumë nacionalistë ish- luftëtarë të UÇK dhe pjesa patriotike e Kosovës, janë të entuziazmuar nga retorika folklorike patriotike e Sali Berishës. Ai di të bëjë sikur qan për Kosovën, dhe mbi të gjitha di të shtiret si mik i saj. Por që nga viti 2005, kur ka ardhur në pushtet, ai i ka hapur nga Tirana dritën jeshile mafies ish- jugosllave të Damir Fazlliçit dhe Mishkoviçit, duke i bërë ata zotër të energjetikës, zotër të porteve, të naftës, zotër të tregut ushqimor, zotër të ndërtimit të rrugëve me punët publike dhe të pranishëm deri në informatizimin e shkollave në Shqipëri. Asnjë biznesmen nga Kosova nuk ka mundur të fitojë dot këto 8 vjet qoftë dhe një tender formal nga buxheti i shtetit në Shqipëri, ndërsa për biznesin serb janë derdhur mbi 500 milion euro nga paret publike. Nuk do isha xheloz sikur të ishin serbë të aftë dhe ta meritonin, por janë thjesht pazare të së vetmes familje serbe që kemi në pushtet, kryefamiljar i të cilës është Sali Berisha.

Është i njëjti njeri që po anulon prej dy vitesh tenderin e linjës energjetike me Kosovën, vetëm pse nuk e fitojnë atë serbo- boshnjakët e Familjes së tij, dhe po i njëjti njeri që ka mbyllur kompaninë ajrore shqiptare me Prishtinën për të lulëzuar biznesi i avionëve të Lulëzim Bashës, që kërkon t’i marrë dhe bukën nga dora atyre pak bizneseve të Kosovës në fluturimet ajrore.

Sali Berisha këto tetë vite në pushtet, ka bilancin më hipokrit në raport me Kosovën dhe më të mirin me mafien e ish- Jugosllavisë.

Për këtë arsye është mirë që shqiptarët e Kosovës t’i qëndrojnë larg betejës së shqiptarëve për të ndryshuar Shqipërinë. Në Shqipëri ekziston një konsensus kombëtar për Kosovën, dhe një distancë e lavdërueshme e palëve për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të tyre. Shqiptarët nuk kanë ndërmend t’u japin mend kosovarëve kë të zgjedhin në shtëpi të tyre.

E njëjta gjë duhet të bëhet dhe nga Kosova për Shqipërinë. Aleancat politike nuk duhet të ndikojnë në ndarjen shqiptare, por në afrimin mes palëve.

Unë e kuptoj Isa Mustafën që mendon se forcohet brenda LDK duke dekoruar Lulëzim Bashën, por ai në të vërtetë është duke i bërë një shërbim të keq Kosovës në Shqipëri. Nuk jam nga ata që mendoj se Lulëzim Basha ka spiunuar luftëtarët e UÇK në Hagë, pasi ata nuk kanë bërë gjë për t’u dënuar, por e di që mund ta ketë bërë atë si pjesë e punës së tij në zyrat e OKB bashkë me vajzën e dhëndrin tjetër të Sali Berishës. Edhe po të mos ishte ai apo Argita, do gjendeshin njerëz të tjerë ta bënin.

Por Isa Mustafa nuk duhet të dekorojë në emër të Prishtinës një Ministër të Brendshëm të Shqipërisë, që ka vrarë zyrtarisht katër qytetarë. Kur ai e bën këtë, është duke u thënë qytetarëve të Tiranës se ne jemi në anën e vrasësit tuaj, jemi në anën e regjimit, përballë qytetarëve, jemi në anën e vjedhjes së votës, përballë lirisë së zgjedhjeve. Këto janë sinjale të rënda, që në Tiranë ngjallin një anti-kosovarizëm të rrezikshëm. Këto armiqësojnë Kosovën me Shqipërinë për arsye fare banale politike, vetëm për disa nevoja të brendshme të një lideri në Prishtinë.

Është pikërisht kjo qasje e gabuar, ky kontribut kundër demokracisë dhe lirisë së zgjedhjeve në Shqipëri, që e bën sërish të prekshme çështjen e distancës që duhet të ruajë Prishtina nga Tirana ditën e diel. Është në të mirë të Shqipërisë dhe Kosovës, në të mirë të një shoqërie të bashkuar shqiptare, që të qëndrojnë larg njëra- tjetrës në ditë që vendosin për vetveten.

Sali Berishën nuk e shpëton dot askush ditën e diel. Nuk e shpëtojnë dot as miliardat e Familjes së tij, që i ka bërë në bashkëpunim me mafien jugosllave, nuk e shpëtojnë dot policët e Flamur Nokës, nuk e shpëtojnë dot perëndimorët që paguhen privatisht prej tij, nuk e ndihmon dot as KQZ e vet, as media e tij dhe populli i tij. Nuk e ndihmojnë dot dhe gjithë shqiptarët e Kosovës sikur të vijnë këtu, pasi dhe ata nuk votojnë të gjithë njësoj. Në Kukës ka gjasa të bëhet betejë dhe fisnike për të ruajtur votat, për shkak të panikut që ka kapur Berishën që të humbasë në shtëpi të vet. Opozita dhe media do të jetë të dielën në Kukës ta ndal këtë masakër dhe nuk do të donte të kishte përballë mercenarë nga Kosova në shërbim të Berishës.

Por ajo që mund të shpëtojmë të dielën, është një armiqësi e kotë anti-kosovare në Tiranë, nëse merret vesh se ata po marshojnë nga Morina për të shpëtuar Sali Berishën nga humbja. Është mirë të qëndroni këtë të diel në shtëpi dhe ejani të hënën pushoni në Shqipëri në bregdetin e saj të qetë. E diela juaj mund të prishë jo vetëm qetësinë tuaj, por të gjithë shoqërisë shqiptare. Rrini në shtëpi dhe sodisni betejën e vëllezërve tuaj këtu, pa u përzierë në të. Ai që po ikën, dhe ata që po vijnë, janë thjeshtë liderë. Shqiptarët janë me Kosovën pavarësisht atyre. Ai që u priti në vitin 1999 ishte Pandeli Majko, i cili pret të vijë në pushtet ditën e hënë, dhe ju s’keni pse përzieni në betejën e tij. Sali Berishën nuk e shpëtoni dot. As Sali Berisha nuk e ndal dot humbjen e Sali Berishës. Por ju mund të ndalni një valë anti-kosovarizmi që mund t’i kushtojë shumë shoqërisë shqiptare në Ballkan. Dhe ta mendosh që Sali Berisha dhe i vdekur arrin të na ndajë, është tepër!