Nga Mero Baze, 31 Dhjetor 2012
Viti që sa po lëmë, nga pikëpamja politike është viti i klonimit të pushtetit të Berishës, por dhe atij personalisht në politikën shqiptar. I kapluar nga ethet e ikjes nga pushteti dhe i stresuar nga ideja e një pasardhësi, që mund të bëjë politikë në PD duke u distancuar prej tij, Sali Berisha e ktheu vitin 2012 një vit të klonimit të pushtetit të tij në të gjitha aspektet.
Gjesti i parë i rëndë i klonimit të pushtetit ishte marrja e Presidencës. Me një skemë makaveliane, Sali Berisha manovroi brenda partisë së tij dhe koalicionit, duke shkuar drejt një kandidature që plotëson gjithë dimensionet e një klonimi primitiv dhe besnik të Sali Berishës. Me aftësi fizike të kufizuara, me aftësi intelektuale të një personazhi qesharak, që manifestohen më së miri tek teksti banal i urimit të tij për fundvitin, dhe mbi të gjitha i gatshëm të veproj për të klonuar institucionet e tjera në favor të Berishës, Bujar Nishani ishte objektivi i një kalkulimi mizor në procedurën e zgjedhjes së presidentit. U propozua fillimisht Zaganjori, një jurist karriere të cilit ju vu kushtëzimi të ishte konsesual për tre raunde garë. I sigurtë se opozita nuk e pranonte si njeri i afërt i Berishës, Berisha kishte nisur ndërkohë konsultimet me kandidatin e dytë në radhë, Artan Hoxhën.
Edhe pse Zaganjori vazhdonte garën formalisht, Berisha kishte thirrur Hoxhën ta kandidonte, edhe pse në vitin 1993 kishte detyruar kryeministrin Meksi ta largonte nga detyra, për shkak të ‘së shkuarës”. Hoxha e pranoi kandidimin zyrtarisht të premten që doli nga gara Zaganjori dhe të dielën në mbrëmje u bë publike. Të hënën në mëngjes Berisha mblodhi formalisht firmat, por sapo Hoxha u nis drejt Kuvendit, ai i kërkoi të kthehej në zyrën e tij. Aty i komuniko se shefi i SHISH i kishte njoftuar shefin e tij te kabinetit për një dosje të tij me Sigurimin . Ishte e qartë se Hoxha nuk mund të avanconte më tej. Edhe pse ky i fundit e kishte hëngër lojën e Berishës, sërish nuk ja doli as ta kundërshtonte dhe të vazhdonte garën. E zbritën nga makina e gardës dhe gjysmë ore më pas Bujar Nishani u kandidua për president. Në zyrën e tij ishin bërë gati lulet dhe gjithçka për ceremoninë qysh ditën e shtunë.
Kështu Berisha shmangu koalicionin Meta- Basha që ishin kundër Topallit, bëri sikur ju nënshtrua procedurës dhe përfundoi tek njeriu që kishte piketuar qysh në janar.
Dhe Nishani nuk e zhgënjeu. Hapi i radhës ishte klonimi i SHISH. Visho Ajazi (Lika), një ndihmës dhe njeri i afërt i Gazidedes, i ikur në Kanada pas vitit 1997, shtetas kanadez dhe shqiptar, i thirrur qysh më 2005 nga Berisha në përpjekjet e herëpasëhershme për të marrë SHISH, zëvendësoi Bari Shaqirin. SHBA, e cila ishte përballur me Ajazin në vitin 1997, përmes fjalimit të famshëm të Gazidedes lexuar në parlament për planin “Lotus” grek për pushtimin e Shqipërisë dhe rolin e SHBA, e kishte tani të ringjallur fantazmën e luftës së vjetër me Berishën. E gëlltitën në heshtje kandidaturën, por ende nuk janë parë publikisht me të.
Hapi tjetër i Nishanit ishte klonimi i KLD. Me emrat e rinj të futur aty dhe emërimin e një shoku të djalit të kryeministrit në krye të saj, u mbyll dhe cikli i drejtësisë. Prokurori i Përgjithshëm, i cili ishte hallka e fundit e këtij klonimi, u zgjodh dikush që shquhet për të mos bërë keq, ashtu siç i duhet për momentin Berishës.
Kësisoj Berisha mbylli ciklin e klonimit të institucioneve të pushtetit, duke siguruar vazhdimësinë e pushtetit të tij në rast dështimi të mbajtjes me dhunë të pushtetit në qershor.
Por, klonimi i Berishës vazdoi dhe në më tej. Në PD ai nuk guxoi të përfundojë zgjedhjet që kanë nisur qysh në vitin 2005. Ajo parti nuk ka ende një Sekretar të Përgjithshëm, nuk ka ende nënkryetar partie, nuk ka ende zgjedhje, pasi nuk ka ende siguri se cilët janë njerëzit që mund të sigurojnë pushtetin e familjes në parti. Nuk dua të bëj kasandrën, por jam i sigurtë se zgjedhjet në atë parti do përfundojnë pas zgjedhjeve të qershorit, kur Berisha të jetë i qartë se kush i duhet në krah për të ruajtur pushtetin.
Një hap të madh ka bërë dhe në klonimin e medies. Shembulli i Tv Klanit dhe ABC News si vegla të shpërblyera të pushtetit, ka nxitur një fushatë të paimagjinueshme servilizmi dhe ngarendje për të qenë me Berishën në gjithë medien, me shpesë se të gjithë do kenë përftimet e pronarit të Tv Klanit. Dhjetra biznesmenë në hall, të mbytur me borxhe e dështime, investojnë pa ju dridhur dora në medie të reja, me shpresë se një ditë do të bëhen të dobishëm për Berishën dhe do t’i hedhin hallet përtej. Një konformizëm i pashoq dhe një cektësi e padurueshme ka pushtuar medien e shkruar dhe televizive, të cilat shpesh i bëjnë aq dëm dhe pushtetit, sa do t’ja vlente t’i paguaje për këtë gjë. Fjala vjen, mediet që transmetuan urimin e Bujar Nishanit, pa i thënë që është një idiotësi, nuk mund t’i bëjnë më keq se kaq imazhit të pushtetit.
Dhe, si për të vënë kapakun, Berisha ka klonuar portretin e tij shpifarak dhe agresiv në familjen e tij. Reagimet publike të vajzës, djalit dhe dhëndrit të tij, janë jo vetëm të neveritshme, por një imitim qelizë më qelizë i Sali Berishës. Një grua në moshë të mesme si e bija e tij, me aq shumë para dhe mundësi për të qenë njeri në punë të vet, jo vetëm që rrezaton urrejtje dhe frustrim në deklaratat e saj publike, por dhe një perversitetet ala Sali, në detajet e akuzave të saj për kundërshtarët e babait. Përfytyroni një femër që u referohet akuzave të babait të saj si fakte dhe flet për operacione plastike të liderit të opozitës, proteza të shtrenjta dhëmbësh dhe udhëtime në vendet e Gjirit Persik, ku Rama nuk ka shkuar ndonjëherë për pushime, thjesht se si pëlqen. Gjithë frustrimet e saj dhe nevojat e saj për operacione plastike, hotele të shtrenjta, ndërhyrje kirurgjikale në nofulla dhe dhëmbë, mendon se janë nevoja të çdo njeriu tjetër në këtë botë dhe flet njësoj i ati, plot urrejtje dhe mungesë finese. Dhe, pretendon që është femër, vetëm pse quhet vajza e babait.
Njësoj dhe i biri, por për atë nuk ka njeri keqkuptimin që është i zgjuar. Njësoj dhe dhëndëri, por për atë e dinë të gjithë që ka identitet martesën. Të gjithë së bashku janë klonuar jo si fëmijë apo dhëndurë të tij, por si Berishë të vegjël, që do të vazhdojnë më pas rrugën e tij.
Berisha bëri gjithçka që viti 2012 të punonte si një vit që do të klononte gjithë gjymtimet e tij, gjithë perversitetet e tij, gjithë regresin dhe agresivitetin e tij në politikë, me shpresë se e ardhmja nuk do ta prodhojë dot ndryshimin. Gabohet rëndë. Shqipëria nuk ka punë me kopjet e shëmtuara të tij. Ka punë vetëm me origjinalin. Më 23 qershor ai ose do ti bindet votës së shqiptarëve, ose betejës me shqiptarët. Të dytën e ka provuar një herë në vitin 1997 dhe gjithë këta të klonuarit e sotëm e lanë vetëm në zyrë me dritë të fikur poshtë tavolinës, nga frikë e plumbave. Është më mirë t’i bindet votës së shqiptarëve . Pas kësaj të klonuarit e tij nuk na hyjnë më në punë. Shkojnë pas tij.