Regresi që na pret

0
68

Nga Mero Baze, 14 Qershor 2012

Shansi i humbur për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë sipas rekomandimeve të Brukselit dhe zhgënjimi me të cilin ai u prit, do të jetë një arsye e fortë për Sali Berishën të sabotojë reformën zgjedhore dhe reformat e tjera të kërkuara nga Bashkimi Evropian, duke ringjallur retorikën antiopozitare. Procesi i zgjedhjes së presidentit dhe vullneti i opozitës për tu përfshirë në të e lë në të vërtetë zbuluar planin e qartë të Berishës për ta injoruar rekomandimin e Evropës dhe për ta zgjeruar rrethin e votimit përtej 73 votave të qeverisë.

Shantazhi në dukje i Ilir Metës u kompensua sipas disa deputetëve shqiptarë me një superkoncension për marrjen e Albpetrolit, ndërsa klientë mafiozë të tij, që i kanë shtetit deri 100 milionë euro borxh, janë amnistuar me vendime formale gjykatash duke marrë shtetin peng. Pas gjithë kësaj Berisha është i qartë se mori presidencën, por humbi gjithë shanset që të fitojë statusin e vendit kandidat, në një proces ku përgjegjësia ishte tërësisht e tij.

Në këto kushte e vetmja rrugë që ka përpara Berisha është sabotimi i rekomandimeve të Bashkimit Evropian, që kërkojnë një reformë të shpejtë zgjedhore, një reformë parlamentare dhe heqjen e imuniteteve. Edhe pse nuk dua të bëj kasandrën në këtë rast, shihet qartë se ai do ta degradojë debatin për reformën zgjedhore në yçkla të vogla dhe meskinitete duke e bërë atë të panevojshme për opozitën, bile stresuese për të. Ai do të mbrojë simbolikisht Ristanin për të dëshpëruar opozitën dhe do të sabotojë me ndihmën e diplomatëve që ka në xhep në Tiranë, kontrollin elektronik të votuesve dhe numërimin elektronik të votave që janë vendimtare për të shmangur votimin familjar dhe mbushjen e kutive gjatë ditës.

Po ashtu reforma e imunitetit do të vonojë deri në ndryshimin e kryeprokurores. Një heqje e menjëhershme e imunitetit me këtë kryeprokurore, së paku Fatmir Mediun e çon në qeli dhe bashkë me të mund të rihapet historia e rolit të djalit të tij në bizneset e fishekëve në Gërdec dhe Rinas. Kështu që as reforma për imunitetin nuk ka për tu mbyllur pa ikur Ina Rama, për të cilin Presidenti Nishani premtoi se e ka në shënjestër.

Reforma parlamentare po ashtu do të jetë një problem më vete pasi zonja Topalli ndjehet e përjashtuar nga partia e saj, duke u përjashtuar nga gara për presidente sikur të ishte bashkëpunëtore sigurimi dhe jo bashkëpunëtore e ngushtë e Berishës. Klani Meta- Basha diktoi përjashtimin e saj dhe ndërkohë siguroi një llokmë të madhe nga pasuria kombëtare si shpërblim për të çuar një eunuk në Presidencë. Në këto rrethana Berisha as që ka ndërmend të bëjë hapa përpara për këto reforma, së paku në këtë sezon parlamentar. Humbja e statusit të vendit kandidat për anëtar në BE është gati e sigurt, ose minimumi mund të jepet një status i kushtëzuar me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këto rrethana Berisha më mirë preferon një zvarritje të reformave dhe ringjallje të retorikës antipozitare se sa hapa gjysmakë përpara, që i hapin më shumë telashe në të ardhmen.

Izolimi i tij pas zgjedhjes së presidentit, përkeqësimi i krizës ekonomike, detyrimi i tij për të toleruar biznesmenë mafiozë, të cilët i kanë borxhe shtetit shqiptar sa gjysma e borxheve që shteti u ka biznesmenëve të rrugëve, dhe mbi të gjitha pritshmëria që Berisha të marrë gjithë pushtetet mbi drejtësinë, KLD, Prokurorinë dhe gjykatat, e bëjnë marrjen e statusit një mision të pamundur për Shqipërinë. Dhe në rrethana të tilla Berisha natyrisht është i interesuar ta largojë sa më shumë atë ditë, duke hapur polemika shterp me opozitën se sa t’i futet detit me këmbë e ta çojë vendin drejt Brukselit, duke u detyruar të dorëzohet pak nga pak në spiralen e kushteve të Perëndimit për një shtet juridik dhe republikë parlamentare.

Sot Sali Berisha ka presidentin, i cili premtoi se do të konsultohet me shumicën për kryeprokuroren dhe pasardhësin e saj, ka gati shumicën në KLD dhe emërimin e gjykatësve të lartë që presin në radhë, ka gati kontrollin mbi Gjykatën Kushtetuese dhe Shërbimin Informativ Kombëtar, për të cilin mund të hyjë në konflikt dhe me SHBA. Të gjitha këto pushtete natyrisht e bëjnë atë një njeri të padëshiruar në Evropë, dhe ai nuk është i shqetësuar. Ai thjesht do të bëjë ç’është e mundur që asnjë kusht i Evropës të mos plotësohet, duke e bërë këtë vend përditë e më të izoluar, përditë e më të varfër dhe Familjen e tij përditë e më të pasur e sunduese, duke detyruar shqiptarët të shkëmbejnë vlerat e tyre të lirisë dhe orientimin perëndimor me një rrogë, një kafshatë bukë dhe liri të kushtëzuar të jesh pro regjimit.