E Enjte, 06.14.2012
TIRANE – I është dhënë sot lamtumira e fundit njërit prej personaliteteve më të njohura të historisë së futbollit shqiptar, “Mjeshtrit të Madh të Sportit”, Medin Zhega, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë në moshën 66 -vjeçare.
Gjatë ceremonisë së homazheve, që u zhvillua në hollin e Pallatit të Kongreseve personalitetet më të larta të shtetit dhe politikës, njerëz të sportit, miq dhe të afërm janë përulur me respekt përpara trupit të pajetë.
PRESIDENTI TOPI NDERON KUJTIMIN E MEDIN ZHEGES
Presidenti i Republikës Bamir Topi i bëri sot homazhe të ndjerit Medin Zhega, në shenjë nderimi dhe vlerësimi të veçantë për kontributin e rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e futbollit shqiptar ndër vite, si lojtar, specialist dhe trajner i Kombëtares shqiptare të futbollit.
Në mjediset e Pallatit të Kongreseve, Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule pranë trupit të pajetë të personalitetit të shquar të sportit shqiptar, si dhe i shprehu ngushëllimet më të sinqerta anëtarëve të familjes, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të ish-futbollistit dhe trajnerit Zhega.
“Sot, me hidhërim të thellë përcjellim me lamtumirën e fundit, Medin Zhega, të paharruarin, një personalitet i shquar jo vetëm i botës së sportit, por dhe një qytetar i devotshëm, një njeri, me të cilin kam pasur njohje të drejtpërdrejtë, duke pasur rastin që të ma rrisë mundësinë për ta vlerësuar atë në radhë të parë si njeri me karakter të fortë, gjë të cilën ai e demonstroi jo vetëm në botën e sportit, por edhe në politikë, dhe në radhë të parë, në marrëdhënie me qytetarët, me kolegët e tij. Kjo është arsyeja që ai nderohet sot nga të gjithë. Shpirti i tij u prehtë në paqe!”- deklaroi Topi për mediat pasi kreu homazhe pranë trupit të pajetë.
TOPALLI:ZHEGA PËRFAQËSOI ME DINJITET KOMBËTAREN SHQIPTARE
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli bëri sot homazhe në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në nderim të ish-futbollistit dhe ish-trajnerit të Kombëtares Medin Zhega.
Pasi ngushëlloi familjarët për humbjen e njeriut të dashur dhe gjithë sportdashësit për humbjen e një prej ikonave të futbollit shqiptar, në një prononcim për mediat, kryetarja e Kuvendit vlerësoi figurën prej kampioni të Medin Zhegës, si një nga futbollistët që ka krijuar emocione të pafundme, që kur luante tek ‘Vllaznia’, dhe më pas në të gjithë karrierën e tij në futbollin shqiptar.
“Zhega ishte një njeri ndër më të dashurit për qytetin dhe skuadrën e tij, për kombëtaren, për çdo shqiptar. Emocionet që ai u ka dhënë shqiptarëve mbeten në mendjen dhe shpirtin e çdo qytetari. Ishte një shqiptar i jashtëzakonshëm dhe sot ne kemi humbur një njeri të dashur, i cili përfaqësoi në mënyrën më dinjitoze kombëtaren shqiptare”, tha Topalli.
MEDIN ZHEGA NDERROI JETE TE MARTEN
Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i kombëtares shqiptare Medin Zhega ndërroi jetë të martën pasdite, në moshën 66-vjeçare. Ai pësoi nje aksident në mjediset e familjes para një viti në Kanada, ndërkohë që më pas u soll për trajtim të mëtejshëm në Tiranë.
Medin Zhega e nisi karrierën futbollistike si sulmues në ekipin e Vllaznisë në Shkodër, për ta vazhduar më tej me ekipin e ‘Dinamos’ e më pas përsëri me Vllazninë, ndërkohë që luajti dhe me ekipin përfaqësues në disa ndeshje ndërkombëtare. Ai mbetet një nga lojtarët më të famshëm të futbollit shqiptar dhe një prej trajnerëve më të njohur.
(bw)







