Pse e hodhi “topin” Topi?

0
40

Aleksandër Çipa

Aleksandër Çipa

Të kritikosh përmes vlerësimit është një mënyrë e mprehtë politikëbërjeje. Këtë logjikë evidentoi në prononcimin e parë publik Presidenti Topi, pas rrëzimit të një prej dekreteve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ndërsa gazetarët e pyetën se ç’mendonte për votat kundër pozitës për dekretin në fjalë, Presidenti, duke e vlerësuar principalisht, premtoi se do t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë. Citojmë: “Në rast se Kuvendi me të drejtë ka rritur rigorozitetin në kontrollin e kandidaturave, kjo vlen dhe për Institucionin e Presidentit, që duhet ta përmirësojë, të vendosë kritere shumë më rigoroze për të gjitha kandidaturat dhe propozimet që vijnë nga pushtetet e tjera…”.

Rrëzimi i kandidaturës së juristit të njohur Sokol Çomo dhe mundësia e rrëzimit të një tjetër anëtari-kandidat për në Gjykatën e Lartë, përbën një akt-provë të diferencës apo ftohtësisë së krijuar mes Presidentit dhe Qeverisë, mes zotit Topi dhe zotit Berisha, sidomos në ballafaqimin institucional në Parlament. Në pohimin e tij, Presidenti qartazi ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet qeverisë dhe Parlamentit me “monedhën” e rigorozitetit. Po ç’është kjo monedhë dhe si duhet kuptuar “rigoroziteti” me të cilin do t’u përgjigjet pushteteve të tjera për të gjitha propozimet apo kandidaturat që do të sjellin?

Është krejtësisht e qartë se momenti aktual i raporteve President-Qeveri karakterizohet prej një cikli të ri marrëdhëniesh ndërinstitucionale për shkak të nevojës së propozimit dhe dekretimit të shumë emrave që lidhen me vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë, në institucionin e Avokatit të Popullit, sidomos atë të SHISH dhe kreut të tij, por edhe me projektligje të cilat janë thelb i ngërçit institucional që po derivon prej ngërçit politik. Shumica e sotme parlamentare po përjeton një “kohë të inefektivitetit legjislativ”, për shkak të marrëdhënies në krizë që ka pozita me opozitën dhe sidomos me Parlamentin.

Institucionet e larta kushtetuese po gjenden prej muajsh në kohë pritmënie, për shkak të bllokimit apo të mosarritjes së kuorumit të votave. Disa debate të hapura, që shkaktuan tension në marrëdhëniet e qeverisë me diplomacinë euroatlantike dhe amerikane, siç ishte ai i rastit të projektligjit për SHISH para disa muajsh, ribënë edhe më të nevojshëm rolin dhe firmën e Presidentit për shumicën qeverisëse të zotit Berisha. Nevoja për konsensus pranues apo refuzues, për çështje emrash dhe dekretesh, është gjithherë në fuqi për një politikan pragmatist dhe qëllimearritës, siç është Kryeministri i vendit.

Mirëpo kjo marrëdhënie e re, të cilën e shpalli më së fundi si me probleme, vetë zoti Topi, zbulon publikisht një ftohtësi të përfolur gjatë gjithë vitit të fundit. Dhe këtu kemi parasysh jo vetëm disa dekrete të vonuara apo të kaluara pa firmën e tij për shkak të afatit ligjor kohor, por edhe një aktualitet vijues që lidhet me financat e planifikuara në buxhetin e ri për institucionet kryesore të shtetit, ku kryeson presidenca.

Në jo pak raste mosfirmosja e dekreteve të pritshme prej zotit Topi dhe hyrja e tyre në fuqi pa firmën e tij, i kanë shkaktuar shumicës dhe qeverisë së zotit Berisha një kosto morale dhe politike në raport me ndërkombëtarët dhe reporterët vlerësues të zhvillimeve demokratike dhe institucionale në vend. Në lidhje me preferencat dekretuese që shumica e sotme qeverisëse ka pasur si për emërime krerësh në institucione të pavarura kushtetuese, aq edhe në raportin e debatit të hapur dhe të pazgjidhur për zëvendësimet në nivelet e sipërme të gjyqësorit, mund të thuhet se koha do ta shumojë sërish nevojën për njëri-tjetrin.

Pakënaqësia në fuqi e Presidentit, për rrëzimin e dekreteve, duket si një nisje me cikël të hapur.

Në kaq vite të mandatit të vet presidencial, politikani Topi i ardhur prej së djathtës së sotme në këtë mandat kryeshtetari, nuk ka pasur asnjë dalje të tillë, kaq atakuese, me dy pushtetet e tjera, ekzekutivin dhe legjislativin. Kjo është hera e parë që qartazi, duke iu përmbajtur kritikës përmes vlerësimit, le të nënkuptojmë se përplasja e re është e shenjuar për efekte të vjetra.

Por cilat kanë për të qenë pasojat e “rigorozitetit” që do të dëshmojë Presidenti? Në ç’emërime të reja ka për t’u dëshmuar ai?

Procesi i ridekretimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë mbetet i hapur, por njëkohësisht i hapur është edhe cikli i sjelljes në presidencë të disa ligjeve të reja, të cilat kjo shumicë e ka të domosdoshme t’i kalojë në kohë.

Nga ana tjetër, nevoja për fillimin e ndryshimeve në legjislacionin elektoral të pritshëm do ta risjellë edhe më në pah nevojën e reagimit dhe kontributit të Presidentit të Republikës. Sikundër mund të ndodhë që në kohën e afërt, opozita nëse rikthehet në rolin e saj klasik, mund ta detyrojë qeverinë e sotme të bëjë ndryshime në kabinetin ministror. Qenia e vendit në ditë të një fushate kalendarike zgjedhore, e bën edhe më të mundshëm forcimin e efektit politik të çdo dekreti apo qëndrimi presidencial.

Skena politike e mbajtur në këtë gjendje ngërçi ka dëshmuar shumë e shumë herë se institucionet tona vetëfuten apo imponohen të përfshihen në ndeshjet politike. Deklarata e Presidentit një ditë më parë nga Thethi, në brendinë e saj ishte e tillë. Nuk është thjesht një shantazh, por një mënyrë e drejtpërdrejtë përfshirjeje në sedrën e kapricion e përballjes politike dhe institucionale me pushtetet e tjera dhe protagonistët e së njëjtës përkatësie të shumicës.

Nisur prej natyrës së deritanishme të dëshmuar prej politikanit Topi, dikush mund të gjegjet se deklarata e Presidentit ishte një “topth dëbore”, të cilin Kryeministri “ia shkrin në dorë”. Natyrisht përballja vazhdon si pakënaqësi individësh politikë dhe jo si antagonizëm institucionesh, por në praktikën e kësaj klase është më se e zakonshme që inatin dhe sjelljen klikale ta shndërrojnë në protagonizëm antagonist. Me “topin e rigorozitetit”, Presidenti kësaj here tenton të gjuajë njëherësh dy “porta”: Qeverinë dhe Kuvendin. Ai rigorozisht ka mbetur deri më sot në profilin e lojtarit “jo gjuajtës”. Mos ka mbërritur çasti të dalë prej natyre?!