Fushata është etike? Po, por Topalli…

0
41

Nga Mustafa Nano, 21 qershor 2013

Ka ditë që thuhet nga më shumë se një person se kjo fushatë elektorale ka qenë ndër më të mirat në planin etik. “Është fushata më e shëmtuar në drejtime të tjera”, të thonë, “por në planin e komunikimit mes palëve ka qenë etike”. Rama ka mbërritur deri te stigma e gjyshit dhe e katragjyshit në adresë të Berishës, por nuk ka shkuar më tutje. Vetë Berisha e berishianët ia kanë marrë për të madhe këtë “fyerje”, por pakkush e ka kuptuar e mirëkuptuar ndjeshmërinë e tyre etike në një kohë që ata vetë kanë shkuar pak më tutje, kur kanë folur për martesë elektorale e për martesat e pafundme të Ramës.

E vërteta është, se ka diçka serioze që s’shkon edhe në këto batuta cinike që ata hedhin në adresë të sho-shoqit. Rama ka tentuar ta shpjegojë me një domethënie metaforike stigmën e “gjyshit e katragjyshit” për kundërshtarin, por kjo nëpërkëmbje anagrafike e tjetrit nuk ka kuptim të bëhet. Dhe në fakt, si zor të jetë bërë në ndonjë vend tjetër. Jo për ndonjë gjë, por do të vijë për të gjithë, dhe për Ramën, një moment “i pafavorshëm” anagrafik. Madje, ka për të ardhur shumë shpejt, pasi diferenca mes tij e Berishës është 20, e jo 200 vjet.

Por edhe sikur diferenca të ish më e madhe, nuk do të shkonte kjo përbuzje për të moshuarit, në radhë të parë ngaqë shkurt e thjesht nuk shkon, dhe në radhë të dytë ngaqë lagjia e politikës, më shumë se lagje të tjera brenda shoqërisë humane, kanë natyrë më gjerontokratike. Ka një motiv pse është kështu. Në politikë, mosha përkthehet me urtësi, e prandaj ajo është rëndom një avantazh, e jo një disavantazh. Problemi i Berishës nuk është mosha. Berisha ia ka marrë për të madhe këtë punë, duke demonstruar me këtë se i ka djegur shumë kjo punë (nuk kuptohet pse; duhet të ketë ndonjë sëkëlldi senile, me siguri), por problemi i tij nuk është mosha. Mosha nuk është problemi i askujt, në fakt.

Ndërsa sulmi i Berishës ka synuar një denigrim moral të Ramës, por mbi kritere shumë të vjetruara. Vini re: po them të vjetruara, e jo konservatore. Konservator është dhe Berlusconi, miku i Berishës, që ka bërë e bën një jetë ku e ku më libertine se të Ramës. Ndërsa Berisha është i prapambetur. Çdo konservator i botës së sotme do të skandalizohej nga guximi i Berishës për të turpëruar kundërshtarin faqe botës, ngaqë ky i fundit qenka martuar disa herë, e nga guximi për të interpretuar e komentuar martesat e tjetrit si “të kopsitura elektoralisht”. Sikur ta merrte vesh këtë gjë Silvio Berlusconi, do t’i thosh: “Sali, ti ke bërë zgjedhjen tënde të përjetshme me Lilin tënd, por ç’dreqin ke me ne që i ndërrojmë femrat, apo me femrat që i ndërrojnë burrat?”

Sidoqoftë, Berisha është ky që është, s’kemi ç’i bëjmë deri më 23 qershor. Ne jemi mësuar që ai ta lëshojë gojën deri atje sa t’u ngjethë mishin të tjerëve, dhe këtë gjë nuk e ka bërë deri tani; e duhet shpresuar të mos e bëjë, pasi mua qysh tani më zënë të dridhurat prej këtij skenari. Këtë rol, megjithatë, këtë herë ia ka ngarkuar një tjetri. E morëm vesh pardje, në Shkodër.

Në të vërtetë, nuk ishte “tjetri”. Ishte “tjetra”. E nuk mund të ishte, veçse ajo, gruaja më gojëlëshuar e këtyre anëve. Shikoni se ç’ka thënë atje (po ua sjell të paprekur, marrë nga “Shekulli”, që kish zbardhur videon e filmuar): “[Edi Rama] fëmijën [e tij] e njohu për herë të parë kur kandidoi për kryetar bashkie për herë të parë. Për herë të katërt a të pestë u martua kur do kandidonte për herë të katërt Bashkinë. Ai përdori sëmundjen e kaluar të fëmijës së tij për pushtetin e tij. Ai përdor nënën, djalin, bashkëshorten e radhës. Ai braktisi të birin foshnjë dhe paditi të atin për një akt monstruoz që vetëm një mendje e sëmurë e bën. Edi Rama edhe në shpirt është lakuriq. A e keni parë ndonjëherë të shtrëngojë duart dhe të përqafohet me socialistët? Ai përçmon njerëzit e thjeshtë. Ai ju thotë çdo ditë mjeranë, injorantë, katundarë, shpellarë, të paditur.

Ky është një shpërthim i pafalshëm. Dikush duhet t’i shpjegojë asaj zonje se këto shpërthime janë shumë të ulëta për t’u bërë faqe botës. Nuk mund të flasë një personalitet publik në këtë mënyrë. Ne e dimë se ajo i përket shkollës së Berishës (e me sa duket, është e vetmja shkollë që njeh), por s’do të bënte keq që, sa herë që e kapin gjendje të tilla konvulsive, të kujtohet, në mos tjetër, se të paktën vjen nga një familje e fisme, siç nuk harron ta nënvizojë në rrethana të tjera këtë fakt, sa të bëhet të besosh ndonjëherë se mbiemri i saj nuk është Çoba, por është Stuart, apo Tudor, apo Bourbon, apo Valois.

Po i drejtohem zonjës Topalli: “Nuk bëhet, e dashur, kjo që bëni ju. E keni shkelur keq. E keni bërë baltë. Është një teprim e shkuar teprimit. Këto janë gjëra të paprovuara e të paprovueshme, dhe në këtë kuptim, një pyetje më vjen natyrshëm: Si do ju vinte juve, sikur dikush t’iu numëronte botërisht bëma që do ju turpëronin. Ju s’keni bërë të tilla? Po ç’rëndësi ka? E kujt do t’i duhet t’i provojë ato që thotë? A mos vallë ju po i provoni ato që thoni?

Kjo është e para. Ka dhe një të dytë. Këto gjëra nuk thuhen kurrë, në asnjë rrethanë, në adresë të askujt. Me ç’të drejtë dikush mund t’i thotë monstruozitete të tilla? Kush e paska këtë postin apo statusin e një censori të madh moral? Kush e meritoka, në fund të fundit, këtë post a status? Si nuk ju shkon mendja se betejat morale të bëra me këtë gjuhë nuk i shkojnë asnjë politikani. Aq më pak ju shkojnë juve, për arsyet që ne të tjerët i dimë, e që kanë të bëjnë me abuzimin me pushtetin (këto po, që janë gjëra të dokumentueshme; meqë ra fjala, bëjini të fala dhëndrit tuaj! Si po ia kalon në Paris? Po e shijon dhuratën që ia ka bërë vjehrra e pushtetshme?).

Ka dhe një të tretë. Hahuni me kundërshtarin në planin politik! Denoncojeni për bëmat publike, e jo për trillet, huqet apo “lapërdhitë” në jetën private! Evidentojeni si politikan të keq, e jo si njeri të lig! Jeta private, flirtet, tradhtitë e bixarritë intime të kundërshtarëve tuaj nuk janë punë e juaja; janë punë e tyre. Duhet ta kuptoni këtë, e dashur. E nëse s’e kuptoni ju, dijeni se ka plot njerëz që e kanë kuptuar. Janë ata, të cilëve, edhe pse janë shumë kritikë me mënyrën se si ju e keni administruar pushtetin, nuk u ka shkuar kurrë mendja të zhbirilojnë në jetën tuaj private, e aq më pak të sajojnë gjëra në jetën tuaj intime. Nuk ju bën përshtypje që nuk e bëjnë? Duhet t’ju bëjë.

Shqip