TemA TV/ PS mbyll fushatën në Tiranë. Rama: Do keni në dorë titullin e pronësisë, falas (VIDEO)

0
61

TemA, 20 Qershor 2013

Festa e fitores së opozitës për 23 qershorin ka nisur që në mitingun mbyllës të fushatës për kryeqytetin, aty ku të majtët pretendojnë të përmbysin rezultatin e 2009.

Mitingu u mbajt në sheshin “Nënë Tereza”. Pas fjalimeve të shkurtra, përshëndetëse të kandidatëve për deputetë që dolën një nga një në platformën e ngritur në qendër të sheshit, fjalën e mori kryesocialisti Edi Rama.

“Ky është miting safi me vendalinj dhe jo miting me robër të mbledhur nëpër autobusë. Pastaj ju e dini, ne një autobus kemi, vetëm autobusin “mavi”. Gjithë autobusët e tjerë i ka mbledhur katragjyshi me antiplumb, për t’i mbushur me njerëz si të gjithë ju, që marrin një rrogë nga taksat e të gjithëve ne dhe që një katragjysh i marrë fund i mban peng lidhur me bukën e gojës. Ditën e diel me numrin e bekuar 29 do t’i çlirojmë të gjithë robërit e katragjyshit”, tha lideri i opozitës, që ndërpritej shpesh nga duartrokitjet e zjarrta të turmës.

Në një fjalim që zgjati rreth 30 minuta, kreu i PS-së u angazhua se legalizimi falas për zonat informale do të realizohej brenda mandatit të parë qeverisës të së majtës.

“Me votën tuaj për Rilindjen, ju kryeqytetasit, pavarësisht prejardhjes krahinore, përkatësive partiake, përkatësive fetare, pavarësisht moshës dhe gjinisë, do të keni në krah një qeveri që hallet tuaja do t’i bëjë të vetat, problemet tuaja do t’i ketë të vetat dhe unë do të jem pranë jush në çdo përpjekje. Rilindja nuk po vjen vetëm, po e sillni ju një popull i tërë. Zotimi im është se brenda mandatit të parë të gjithë ata që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, që kanë ardhur për një jetë më të mirë, në kërkim të kësaj Amerike të vogël, do të kenë në dorë titullin e pronësisë të patundshme mbi shtëpinë, falas”, tha Rama.

Rama u ndal për të komentuar një mesazh që Partia Demokratike, nën emrin e kryeministrit Berisha, u ka dërguar qytetarëve dhe i ftonte për të votuar numrin 44.

“Sot paradite katragjyshi më çoi dhe mua një sms, ju ftoj të votoni 44. Por nuk ka më, kush kujton 44, voton 29. Votoni thotë projektin e PD-së, që të hapim 250 mijë vende pune. Pse s’i hape po i mbylle, aty ishe, ku i ke? Votoni thotë që pagën minimale ta bëjmë 350 dollarë, pagën e mësuesit 700, pensionin 150, ndërkohë që ata që jetojnë me pagë minimale sot kanë një pyetje, si të mbërrijnë në fund të muajit dhe si t’i paguajnë listat e borxheve. Këto nuk i ha më njeri, ashtu siç nuk i ha askush premtimet për trefishimin e granteve për fermerët. Thotë japim tapitë për 6 muaj, pse nuk i dhe për 20 e kusur vite”, shtoi Rama.

“Dallimi mes nesh dhe atyre, është se pas katragjyshit nuk ka asgjë, ndërsa pas meje është skuadra e rilindjes,” e mbylli fjalën e tij Edi Rama.

Dhe teksa Rama thërriste emrat e 32 kandidatëve socialistë për tu ngjitur në skenën e improvizuar, qielli i Tiranës u ndriçua nga fishekzjarrët dhe ngjyrat e Rilindjes.