BISEDË ME LIRINË – poezi nga krijimtaria e Rrustem Gecit

0
38

Të fituam me zjarrin e zemrës
me prushin e shpirtit, me flakë
të epokës. Të nxorrëm ku kishe
rënë, me dorën e bërë grusht

Të fituam me gjakun e betejave
me dashurinë e të rënëve, me
dritën e pashuar të shtëpive, dhe
me gisht në këmbëz të pushkës

Kosovë, bijë e Shipërisë, motër
e Shkupit dhe e Tetovës, motër
e Çamërisë, dhe e Arbëreshit
motër e Preshevës dhe e Ulqinit;

Dhimbje kam në kraharor, jetoj
me plagë të rënda për tokën që
ma grabitën, për pjesë t´atdheut
tonë në burg, dhe në kryengritje

Kosovë, merre fitoren në duar
të mos rikthehet kohë e burgut
e gjyqeve të montuara, arresteve
kohë e lotëve të nënave për bijtë!..

KANUNI POETIK

Aty ku e drejta është në burg
dhe liria ç´nderohet çdo ditë
lufta politike s´njeh të afërm
aty edhe i afërmi merr gjak

Kjo lëndë e trishtë për pushtet
hap rrugët e përgjakjeve, dhe
mbahet me injarantë e teveqel
dhe ngritet me fushatë e krim

Në betejat e ashpra për fron
sponzor janë rendi dhe paraja
diktatorët nuk lindin vetvetiu
në fron ata i ngrejnë magnatët

Një pretendent të tijëve u tha;
nëse unë do vij në pushtet; u
jap qumësht nga qumështi i
juaj, dhe bukë nga buka juaj

I DEHURI I KËNGËS SË MOLLËS

Jam nga zotërinjtë tuaj të tokës
lirik i mbrëmjes dhe i mëngjesit
dashnor i dehur i më të bukurës
mik i të vetëdjegurve të këngës

S´pytet sa është e thellë dhimbja
dhe as sa është e afërt ëndërra
dehja është shumë më e thellë
në një thellësi janë me dashurinë

Në kopshtin e mollëve të mërzitura
djali i mungon të bukurës pemë
Antike është nata në kopësht
dhe lirikë është hëna nëpër degë

Jam nga zotërinjtë tuaj të tokës
tingujt e rrugës mi do zemra
jam i vetëlindur në kohën time
jam i dehuri i këngës së mollës!..

Rrustem Geci – Dortmund, 2015