Kur Partia bëhet ‘si këmbët e dhisë’

0
49

Bledar Prifti

Bledar Prifti, 09.07.2010

Politikat e papërgjegjshme të Fatos Nanos dhe fryma (apo mentaliteti) që ai futi në Partinë Socialiste (PS) vite më parë, jo vetëm që e shkatërruan kohezionin dhe unitetin brenda partisë në atë kohë, por vazhdojnë ta shkatërrojnë atë edhe sot. Jam shumë i bindur se po ky mentalitet ka për ta mbajtur të shkatërruar PS-në edhe në të ardhmen, përderisa të ndryshojë ky soj mentaliteti. Ky mentalitet dhe kjo frymë papërgjegjshmërie u shfrytëzua dhe po shfrytëzohet sot nga kundërshtari politik për ta mbajtur Partinë Socialiste në një proces permanent shkatërrimi.

Ngaherë flitet për demokraci brenda PS, por rrallë herë flitet për anarki brenda kësaj force. Me pretekstin e demokracisë, shumë individë e kanë kthyer, me ose pa vetëdije, partinë në një institucion anarkik ku rrallë herë, për të mos thënë “asnjëherë”, udhëheqja dhe figura publike të saj kanë qenë në unitet për të implementuar një strategji politike të autorizuar nga instancat më të larta të partisë. Si kudo dhe kurdoherë, kur një strategji e një force politike sulmohet ose nuk mbështetet nga brenda, atëherë ajo ka pak shanse që të triumfojë. Është absurde dhe tejet naive që ta sulmosh një alternativë të forcës tënde politike dhe nesër të kërkosh llogari se përse kjo strategji nuk funksionoi. Këto çudira ndodhin, me dhe pa vetëdije, vetëm në Partinë Socialiste dhe nga anëtarë dhe figura publike të saj.

Më tregoni të dashur lexues dhe ju drejtues apo figura publike të PS-së, se në cilën parti politike të Shqipërisë gjendet një kaos dhe anarki e tillë, të cilën shumë nga ju e mbulojnë duke përdorur termin “demokraci”? Ku në ndonjë vend të botës demokratike mund të gjendet një parti politike me një “demokraci” të tillë në kufijtë e anarkisë?! Ju shani Partinë Demokratike, LSI dhe partitë e tjera se gjoja ato nuk janë parti “demokratike” si ju. Por, ashtu siç mund ta keni kuptuar, asnjëri nuk ua varë qillon juve në këtë pretendim, as media, as publiku dhe as partitë e tjera.

Ju garantoj se anëtarët dhe mbështetësit e atyre partive janë shumë të lumtur me kohezionin dhe unitetin publik të partive të tyre. Ata mund të kenë divergjenca përbrenda, por nuk janë aq të meskinë, të përdalë dhe naivë sa problemet e “shtëpisë” së tyre t’i bëjnë objekt debatesh publike, debate të cilat do të shfrytëzoheshin nga kundërshtarët për revansh politik. Ajo mënyrë sjelljeje nuk do të thotë mungesë demokracie. Ajo do të thotë profesionalizëm dhe përgjegjësi, kurse kjo që shohim tek PS nuk është gjë tjetër, por diletantizëm, paaftësi, papërgjegjshmëri, naivitet, madje, në disa raste, edhe diabolizëm nga ana e disa figurave të saj.

Nguliteni në mëndje, grupimet shoqërore synojnë pushtet politik, me qëllim që të mbrojnë dhe promovojnë interesat e tyre. Për këtë arsye, ata formojnë institucione politike, siç janë partitë politike. Partitë politike janë institucione që operojnë bazuar në një tërësi rregullash, normash dhe principesh që sigurojnë unitet dhe kohezion brenda grupimit. Një institucion anarkik ku pjesëtarët sulmojnë vetveten dhe njëri-tjetrin nuk mund të ketë sukses në arenën politike. Këtë e vërtetuan, përveç mijëra rastesh të tjera, zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, kur PS dhe partitë e majta dështuan të merrnin pushtetin për shkak të ndasive dhe konflikteve brenda llojit dhe për shkak se institucionet e tyre ishin jo demokratike por anarkike.

Po kështu, zgjedhjet e vitit 2009, tregojnë dy anët e një medalje. Nga njëra anë ishte një grupim i vogël politik i disiplinuar dhe me unitet për tu pasur zili, siç ishte PD-ja dhe e djathta, kurse nga ana tjetër ishin grupimet politike të majta të mbytura nga zullumi, hakmarrja personale, naiviteti, dhe sentimentalizmat e “demokracisë” së brendshme dhe nga anarkia e tejskajshme në kastën drejtuese. Ashtu si edhe në 2005-ën, Partia Demokratike e Berishës rrëmbeu pushtetin.

Sentimentalët dhe sofistët e së majtës përsëri vazhduan të tregonin përralla për nevojën e një Partie Socialiste me “demokraci” që të lejonte fraksione dhe anarki, kurse nga ana tjetër i qanin hallin “diktaturës” partiake Berishiane që solli në pushtet grupimin shoqëror të djathtë. Nëse Partia Demokratike do të kishte atë soj “demokracie” që pretendojnë se gjoja e kanë Socialistët, unë ju garantojë juve se ata jo vetëm që nuk do të vinin në pushtet në 2005 dhe 2009, por do të ishin shpërbërë si parti.

Jam shumë i bindur se i gjithë ai grupim shoqëror që i shikon interesat e tij të përfaqësuara tek Partia Demokratike, e vlerëson tej mase rolin e Berishës si një drejtues që ka arritur të unifikojë forcën e tij politike, pavarësisht se ky unifikim është bërë përmes një disipline të hekurt dhe tipike ushtarake. Detyra e Berishës nuk ishte të përdorte sentimentalizma dhe sofizma rreth konceptit “demokraci” shumë të analizuar dhe përfolur nga sofistët në media dhe jo vetëm. Detyrimi i Berishës para elektoratit ishte të sillte forcën e tij politike dhe grupimin shoqëror të djathtë në pushtet.

Kush pretendon për të kundërtën apo ndryshe, jam i bindur se shikon ëndrra me sy hapur. Berisha nuk i detyrohet moralisht, politikisht dhe ligjërisht askujt tjetër përveç elektoratit dhe popullit të djathtë. PD është një institucion i ngritur nga elektorati i djathtë për të mbrojtur dhe promovuar interesat e tij dhe jo një institucion i ngritur për të përmbushur tekat, sentimentet dhe sofizmat e individëve drejtues të partisë.

Këtë duhet ta kuptojnë, nëse duan, edhe sentimentalistët dhe sofistët e Partisë Socialiste, apo të gjithë ata, të cilët, me ose pa arsye, trumbetojnë “demokracinë”, por që në të vërtetë sjellin veç anarkinë dhe dështimin. Sofistët, sentimentalistët dhe anarkistët brenda PS duhet të kuptojnë se ata nuk mund të marrin pushtetin politik pa e konsoliduar dhe disiplinuar partinë. Partia Socialiste nuk është një institucion i ngritur për t’i shërbyer interesave apo tekave të individëve.

Partia Socialiste është një institucion politik i ngritur nga grupimi shoqëror i majtë, i cili shikon tek PS mbrojtjen më të mirë të interesave të tij. Partia Socialiste nuk mund të jetë një institucion politik që përmbush tekat e njërit apo tjetrit. Partia Socialiste nuk mund të drejtohet me sofizma dhe sentimentalizma që përpiqen të përmbushin tekat e individëve. Partia Socialiste është një institucion politik duhet të jetë i unifikuar dhe i disiplinuar.

Disiplina nuk mund të quhet diktaturë kur ajo i shërben interesave të elektoratit të saj. Edhe shteti, si institucioni më i lartë shoqëror, bazohet tek uniteti dhe disiplina shoqërore dhe i shërben dhe i detyrohet interesave të shoqërisë. Partia Socialiste, si grupim politik, i detyrohet direkt moralisht, politikisht dhe ligjërisht elektoratit të saj që e ka krijuar atë. Elektorati i majtë nuk do t’ia dijë se çfarë mendon Islami, Majko, Pëllumbi, Blushi dhe shumë të tjerë në lidhje me një strategji politike të aprovuar nga forumet partiake të autorizuara.

Për elektoratin e majtë e rëndësishme është që vendimet partiake rreth strategjive politike të merren në mënyrë demokratike duke respektuar vullnetin e shumicës dhe të respektohen dhe mbështeten nga të gjithë, pavarësisht kundërshtive. Elektorati i majtë kërkon një forcë politike të bashkuar dhe të disiplinuar për të fituar pushtetin politik. Nëse të lartpërmendurit kanë teka dhe mendime të ndryshme rreth një strategjie të miratuar, ata mund t’i diskutojnë ato në forume partie, por kurrsesi nuk mund t’i shndërrojnë ato në debate publike që mbartin kosto politike për partinë.

E vërteta qëndron se disa figura publike të PS përpiqen ta portretizojnë anarkinë në parti si “demokraci” apo virtyt demokratik, e cila lejon debatin publik të çështjeve të brendshme partiake. Ky pretendim mund të konsiderohet dhe diskutohet në dy mënyra: (1) si një naivitet dhe papërgjegjshmëri e figurave të larta të partisë, dhe (2) si një lëvizje e mirëmenduar për të përmbushur interesat personale të disa figurave politike të PS. Si fillim, do të ishte naive dhe e papërgjegjshme që një figurë drejtuese e PS të diskutonte për sentimentalizma dhe sofizma politike, në një kohë kur ai duhet të jetë i vetëdijshëm se elektoratit të majtë nuk i interesojnë sofizmat, por marrja e pushtetit. Nuk mund të pretendosh se i shërben elektoratit në një kohë kur sofizmat dhe debatet publike brenda llojit shkaktojnë humbjen apo mosmarrjen e pushtetit.

Elektorati i majtë nuk do t’ia dijë për sofizmat, sentimentalizmat dhe tekat. Ata duan të shohin një parti të bashkuar dhe të aftë për të marrë pushtetin. Kurrkush, si anëtar partie, nuk ka të drejtë të kundërshtojë publikisht me pretendime sofiste dhe sentimentale një strategji politike të miratuar nga autoritetet legjitime partiake. Kushdo mund të ketë mendime ndryshe, por asnjë anëtar partie nuk duhet të ketë të drejtë që mendimet ndryshe t’i bëjë objekt të debatit publik, i cili dihet botërisht se ka një kosto politike mbi PS. Ato figura të larta politike të PS që nuk arrijnë ta kuptojnë rëndësinë e unitetit, disiplinës dhe respektimit të vendimeve të forumeve të partisë, unë ju them me plotë gojë: Iu rrofshin “demokracia” dhe sofizmat! I mbajtshi me shëndet se pushtetin e mban Sali Gërdeci dhe Ilir Floriri.

Dikush mund të pyesë në lidhje me ato figura të larta politike të PS që e dinë shumë mirë impaktin që sentimentalizmat, sofizmat, traktet mediatike dhe debatet e tyre publike kanë mbi performancën politike të Partisë Socialiste. Disa e bëjnë nga ambiciet e tyre personale për pushtet partiak, disa të tjerë nga urrejtjet dhe smirat personale, dhe disa të tjerë e bëjnë, sepse janë të shitur apo të blerë. Shumë pak nga këta individë të këtij grupimi iu shkojnë në mëndje hallet e socialistit apo popullit të thjeshtë, të varfër dhe të papunë. Ata nuk duan t’ia dinë për atë gjë. Këta syresh nuk do të ndalojnë kurrsesi në rrugën e nisur apo në misionin e marrë. Ata janë kamikazë politik, ashtu siç ishin gjashtë deputetët që votuan për Presidentin Topi. Këta kamikazë politikë nuk kanë elektorat të mirëfilltë. Kamikazët politik nuk japin llogari në bazë, sepse nuk kanë një të tillë; ata japin llogari vetëm tek padroni i tyre.

Por, çfarë mund dhe duhet të ndodhë? Besoj se institucionet janë frutë i një bashkimi individësh me sistem të përbashkët vlerash dhe interesash. Një institucioni krijon dhe mbijeton, sepse individët e mbajnë atë jo vetëm kanë një sistem të njëjtë besimi, por ata kanë interesa të përbashkëta dhe bëjnë zgjedhje racionale identike ose të përafërta. Parë nga ky prizëm, Partia Socialiste do të shkojë drejt unifikimit dhe disiplinimit për faktin se kjo është e vetmja zgjidhje racionale që do të rriste potencialin politik të PS dhe do ta sillte atë në pushtet.

Çdo individ, interesat e të cilit bien ndesh me interesat e elektoratit është i destinuar të braktiset nga elektorati dhe partia. Nëse kjo gjë nuk ndodh sot, jam shumë i bindur se ajo do të ndodhë nesër, shumë shpejt. Elektorati i majtë nuk mund të lejojë që institucioni i Partisë Socialiste të bëhet “si këmbët e dhisë” nën pretekstin e sentimentalizmave dhe sofizmave. Përpara sofizmave dhe sentimentalizmave, elektorati i majtë kërkon një parti kompakte dhe të disiplinuar që do të sillte pushtetin.