Përse z. Nishani nuk duhet të jetë President

0
35

Mentor Kikia

Presidenti i ri u zgjodh, ashtu siç edhe pritej dhe siç nuk mund të ndodhte ndryshe, përmes një pazari. Në fakt, në gjuhën politike u thonë negociata, por në Shqipëri këto janë thjeshtë pazare, pasi kanë brenda matrapazllëqe ku vota shkëmbehet me para të thata ose me koncensione ekonomike. Dhe pazari kësaj radhe, më shumë se mes dy palëve ishte brenda palës, pra brenda mazhorancës. Meta, pasi kapi pozicionin e të moderuarit dhe kërcënoi Berishën se nuk do të votonte asnjë kandidat të njëanshëm dhe politik, pasi mbylli një marrëveshje të mirë, ditën e fundit tha se do të votojmë sipas kushtetutës, duke respektuar marrëveshjen me 2009-ës me Berishën.

Ndërsa opozita nuk qe në gjendje të prodhojë asnjë lloj impakti. Ajo qëndroi në pozicionin e qaramanit dhe suksesi më i madh që arriti ishte takimi Berisha-Rama. “Unë nuk e di çfarë dua, por di që jam kundër çdo gjëje që do të bësh ti” – me këtë devizë e nisi dhe me këtë e mbylli opozita procesin e zgjedhjes së presidentit. E gjithë sa ndodhi nuk është faji as i PD-së, as i Metës, e as i Ramës. Ky është sistemi. Dhe ky sistem nuk mund të prodhojë tjetër kryetar shteti veç këtë. Edhe presidenti Topi erdhi në fron po përmes pazareve. Një numër votash të nevojshme për ta votuar, nuk u blenë me koncensione por pastër fare, me para në dorë.

Ky mekanizëm do të vazhdojë të prodhojë të tillë shetarë të lartë. Edhe socialistët kur të vijnë në pushtet në të njëjtën mënyrë do ta zgjedhin presidentin e tyre. Do të ishte naivitet i madh të pretendonim që Sali Berisha, ne emër të “paqtimit” politik do të pranonte që president të bëhej një nga opozita. Dhe po ashtu, do të jetë naivitet që të besojmë se kur PS të vijë në pushtet do ti thotë Berishës në opozitë që presidentin zgjedhë ai. Ky mekanizëm këtë produkt do të ketë në mënyrë të vazhdueshme dhe këtë e zgjidh vetëm ndryshimi i mekanizmit, pra që presidentin të mos e zgjedhë parlamenti, por populli përmes votës.

Por le të kthehemi tek zgjedhja e Nishanit. Përse duhet dhe për çfarë duhet kontestuar zgjedhja e zotit Nishani në krye të shtetit? Opozita ka mbledhur ca defterë dhe bën llogaritë se në çorë filloi seanca e kur erdhi Jozefina Topalli në sallë, apo kur e paraqiti kërkesën në komisionin e ligjeve Nishani, për të gjetur elementë antikushteutes të procesit. Por para se të bëhen llogaritë se kur e hapi Jozefina derën e parlamentit, kontestimet ndaj Nishanit duhen kërkuar në të tjera drejtime. Dhe për të kërkuar ketë, duhet të bëjmë një parantezë të shkurtër.

Çfarë është presidenti për politikën shqiptare? Gjatë “fushatës”, të gjitha partitë theksonin se na duhet një president mbi palët, as i majtë e as i djathtë, as i tyre e as i yni. Duke e konceptuar politikën si ndeshje, si luftë, partitë tona kërkojnë një arbitër, në mënyrë që kur ato të grinden e shahen mes tyre, Ai, të jetë i paanshëm. Kur politikanët tanë të shahen mbarë e prapë, Ai sërish të jetë i drejtë për të thënë se kush ishte shkaktari i sherrit. Por presidenti ynë, para se të jetë një i panshëm mes polikanëve mistercë e sherrxhinj, apo një qokaxhi që të presë e përcjellë mysafirët, është Kryetari i Shtetit, është njeriu që komandon drejtësinë, është kreu i KLD-së.

Ai është njeriu që firmos për emërimet dhe shkarkimet e gjykatësve e prokurorëve, njerëzit që mbajnë në këmbë shtetin dhe bëjnë drejtësinë. Ai do të jetë timonieri i drejtësisë, sektorit më të rëndësishëm të shtetit i cili aktualisht është më i korruptuari në Shqipëri. Drejtësia është sot në gjendjen më skandaloze të mundëshme dhe shkaktare e shumë problemeve me pasoja jo vetëm mbi qytetarin e thjeshtë por deri edhe mbi vetë institucionet shtetërore. Iu referova pikërisht drejtësisë sepse në një vend ku qytetari i thjeshtë nuk e gjen drejtësinë, në një vend ku asnjë zyrtar i lartë nuk ndëshkohet edhe kur kapet me thes kë krah, nuk mund të flasësh as për demokraci e as për standarte të tjera.

Informacionet konfidenciale flasin për një merkato në emërimet e gjykatësve dhe prokurorëve. Informacionet konfidenciale flasin për një ushtri sekserësh që kontrollojnë “politikën e kuadrit” në sistemin e drejtësisë. Presidenti aktual lejoi degradimin e KLD-së, institucionit që kontrollon drejtësinë, në një organizatë mitigjesh e më pas në një parti politike dhe ai asnjëherë nuk u gjend i akuzuar për këtë. Berisha e sulmonte se nuk i vinte pas avazit të tij politik dhe jo sepse drejtësia nuk ishte drejtësi. Ndërsa opozita e mbronte meqë e sulmonte Berisha. Një trupë gjyqësore në Gjykatën e Lartë na tha në mes të ditës, se njeriu që ju shikoni doke folur për miliona Euro me vartësin e tij, nuk është që që duket, por ai që mendojmë ne.

Dhe ky presidenti që sulmohet se na qënkërkësh i “drejtë dhe jo palë me qeverinë”, nuk mori vesh çfarë ndodhi. Sistemi gjyqësor sot është degjeneruar në një ndërmarje të madhe fitimprurëse. Ka tre vjet që një burrë, i cili ka vrarë katër agjentë policie, po tallet publikisht me drejtësinë dhe një shtet i tërë nuk ia bën dot gjyqin. Nëse shkohet, së paku, në Gjykatën e Tiranës do të gjesh mijëra dosje me padi të qytetarëve të thjeshtë ndaj kompanive të sigurimeve(atyre që mbështesin në të zezë fushatat e partive), për mospagim dëmi, apo shërbimeve të tjera, të cilat kanë nga 5-6 vjet që nuk shqyrtohen sepse gjykatësit mbajnë anën e kompanive, të cilat padyshim që i paguajnë.

Në Fier, një gjykatës rrëzon vendimin e formës së prerë të Gjykatës Italiane duke refuzuar ekstradimin e një të dënuari për trafik drogash dhe nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë. Do të dushehin faqe të tëra të renditësh paudhësitë e drejtësisë në Shqipëri, ndërsa kryetari i KLD-së mban fjalime politike poshtë e lart, dhe pasi mbaroi se dekoruari tironsit denbabaden, ka marrë thesin e medaljeve dhe ia var në qafë çdo të moshuari që Idelpërpara.

Ky vend nuk na nevojë për një arbitër që të ndajë se kush e ka fajin ndër matrapazët e politikës sonë, por për një kryetar të denjë së pari për drejtësinë. Dhe pyetja që mund të bëjmë është: A është zoti Nishani njeriu i denjë për të vendosur drejtësi në drejtësi? Unë mendoj që jo. Sepse Bujar Nishani ka qenë Ministër i Drejtësisë dhe nëse ne do të gërmonim sot të gjenim një kontribut të tij në drejtësi, nuk do ta gjenim. Sepse, fare e thjeshte, ajo situatë për të cilën folëm në Gjykatën e Tiranës, ka qenë edhe kur Ministër Drejtësise ishte Z.Nishani, dhe kjo ministri ka pikërisht për detyre të kontrollojë gjykatën për të verifikuar afatet e gjykimit. Kontrollet janë bërë, por dosjet janë ende aty, qytetarët nuk e kanë marrë ende drejtësinë.

Neve nuk na duhet një president i urtë, as një president qokaxhi, as një president që ta ketë mirë me të tërë. Neve na duhet një kryetar shteti që tu dalë për zot halleve të shtetit dhe ky vend nuk ka hall më të madh se mosfunksionimi i drejtësisë. Ndaj dhe mesazhi i urimit i Ambasadës Amerikane për zotin Nishani ishte “Ne do ju mbështesim në punën tuj për vendosjen e sundimit të ligjit” dhe nuk ishte “Ne do ju mbeshtesim në punën tuaj për të qëndruar si hu në mes, kur të grindet Berisha me Ramën”.
Marre nga Gazeta Idea.com

(sg/shqiptarja.com)