DONI TË PROMOVOHENI? DEMONSTRONI BESNIKËRI NDAJ PUSHTETIT!

0
43

Mustafa Nano

Mustafa Nano

Nëse Shqipëria ka një dyzinë juristësh të mirë, një nga këta është Sokol Çomo. Nuk e them unë, pasi personalisht as e njoh, as e kam takuar, as kam tagër e kompetencë për të bërë një rating juristësh. E thonë njerëz të fushës. Sipas të gjitha gjasave, këtë gjë e dinë dhe e pranojnë (nën zë) edhe berishianët. E megjithatë, Komisioni i Ligjeve i Parlamentit, me votat e demokratëve më të shumtë në numër, e rrëzoi si kandidat për anëtar të Gjykatës së Lartë; rrjedhimisht emri i tij nuk do të mbërrijë në Parlament ditën e votimit të këtyre kandidaturave.

Para ca kohësh, Parlamenti rrëzoi kandidaturën e Kristaq Trajës për anëtar të së njëjtës gjykatë të rëndësishme të republikës; e rrëzoi, s’ka gjë se të gjithë e dinin, që Traja bën pjesë në kremin e komunitetit të juristëve të këtij vendi. Në mos arrinin ta kuptonin këtë gjë, duhet të kenë qenë të bindur prej faktit, që ai punoi për më shumë se dhjetë vjet në Strasburg, në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ku rekrutimi e përzgjedhja, afërmendsh, nuk bëhen mbi baza klienteliste e njohjeje. Por e rrëzuan si pa të keq. Motivi? Ka qenë gjyqtar në kohën e diktaturës komuniste.

Ndërsa Sokol Çomon e bënë me faj, që “ka pranuar ofertën për të dhënë një kontribut të natyrës ngushtësisht profesionale në dikasterin e drejtësisë në kohët, kur qeverisnin kundërshtarët e këtyre të sotmëve”. Por kuptohet, edhe nëse curriculum-it të Trajës apo Çomos do t’u mungonin këto momente “komprometuese”, ata do gjenin vjega të tjera për të varur arsyet e refuzimit të tyre. Puna nuk është se Traja, Çomo etj., kanë njolla në jetën e karrierën e tyre, e për pasojë duhen refuzuar. Është bash e kundërta: puna është që këta duhen refuzuar se s’bën, e për pasojë u duhen gjetur njolla e yçkla.

Sokol Çomo, ngaqë e di mirë se si tirren punët e gjërat rrotull tij, me siguri ka pasur një zë të brendshëm, që i është drejtuar me fjalët: “Koli, mos e bëj këtë lëvizje bosh, pasi dihet se si do shkojë kjo histori! Ata nuk është se besojnë vërtet, që ti u përket socialistëve; ata dinë mirë, që ti nuk u përket atyre. Kjo është e gjitha”. Ka bërë mirë, që s’ia ka vënë veshin këtij zëri të brendshëm?

Nuk e di. Por di një gjë tjetër; di se ç’do të thotë të jesh në vend të Sokol Çomos në këto rrethana. Merret me mend vuajtja e dikujt, i cili një ditë prej ditësh mëson prej përvojës së vet atë çfarë janë rrekur t’i mësojnë për vite të tëra edhe përvoja të të tjerëve, d.m.th se në këtë vend nuk vlejnë dijet, karriera e paqortueshme, origjina e fisme, integriteti moral. Për të bërë hair në këtë vend, lipset të plotësosh vetëm një kriter: t’u shërbesh atyre që kanë pushtetin.