KËNAQËSIA E NJË VLERËSIMI NGA KOLEGËT…

0
28

Skicë:

Shkruan: Murat Gecaj

Kanë kaluar vetëm pak ditë nga ajo veprimtari e paharruar, që u organizua në Laç-Kurbin, me rastin e festave të bukura të 7 e 8 Marsit. Siç kam shkruar edhe në një kronikë të mëparshme, me atë rast, aty u organizua përurimi i veprës “Thesar Kombëtar-3”, e përgatitur dhe e botuar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptare “Papa Klementi XI-Albani”, në Suedi. Prandaj, aty kishin ardhur disa anëtarë e drejtues të kësaj Shoqate, të ftuar nga qytete të ndryshme të vendit tonë, por dhe nga Kosova. Mikpritës ishin Bashkia e qytetit, me kryetar Artur Bardhin dhe Shoqata Kombëtare e Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, me president Nikollë Lleshin.
Murat Gecaj merr një vlerësim
Siç është e kuptueshme, në kinoteatrin e atij qyteti ishin të bpranishëm shumë të ftuar, për ta parë më nga afër ceremoninë përuruese të atij libri. Përveç fjalëve të rastit e përshëndetjeve ansambli artistik i Laçit dha një shfaqje të bukur, me këngë e valle popullore.
Por, pjesë e kësaj veprimtarie ishte edhe shpallja e vendimit të Asamblesë së Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, për t’i pranuar “Anëtarë-Nderi” disa veta. Kështu, me ceremoni modeste, ua dhanë dëshminë përkatëse: Hysen Ibrahimit, Padre Giovani Parugines, Besi Bekteshit e Murat Gecajt.

2.
Ndoshta, dikush do të më qortojë dhe për këtë gjë kërkoj falje, duke thënë se nuk është modeste, që po shkruaj këtu që, me atë rast, edhe mua ma dorëzuan zj.Saranda Iseni(Suedi) e z.Nikollë Lleshi (Laç) dëshminë “Anëtar-Nderi”, të asaj Shoqate. Ndërsa mendoj që arsyen e shpjegon përmbajtja e saj, që po e shënoj më poshtë:

“Mbështetur në Statutin e Shoqatës Kombëtare të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, neni 24, shkronja “n”, Asamableja e Shoqatës vendosi ta pranojë “Anëtar-Nderi”, prof. Murat Gecaj, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë dhe përgjegjës seksioni në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë.

Kryesia e Asamblesë së Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali e vlerëson shumë ndihmesën tuaj në veprimtarinë disavjeçare të Shoqatave, ku ju jeni pjesëtar në drejtim të tyre, në mbrojtjen dhe duke pasqyruar me realizëm vlerat e çmuara të arsimit dhe të kulturës sonë kombëtare.
Murat Gecaj merr një vlerësim
Po kështu, me shkrimet tuaja, që keni publikuar brenda dhe jashtë Atdheut tonë, keni pasqyruar me realizëm arritjet e punës, që ka në misionin e saj Shoqata Kombëtare e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali. Pra, Ju jeni një mik i nderuar i Shoqatës sonë.
Për Shoqatën Kombëtare të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, Presidenti Nikollë Lleshi, Laç. Më 8 mars 2015”.

Kujtoj këtu me se më herët, pra më 30 tetor 2013, edhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”,në Suedi, më kishte nderuar, duke më pranuar “Anëtar-Nderi” të saj, bashkë me miqtë e mi: Ulmar Kvik(Suedi), Viron Kona (Tiranë) dhe Jusuf Buxhovi(Kosovë).
Ndërsa tani dëshiroj që, përmes kësaj skice, t’i falënderoj përzemërsisht, kolegët e miqtë e Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, me president Nikollë Lleshin, për vlerësimin e punës sime modeste dhe bashkëpunimin tonë të deritanishëm.

Po kështu, shprehem këtu se, edhe në të ardhmen, nuk do të kursehem në këtë drejtim, si për pjesëmarrje në veprimtaritë e bukura dhe domethënëse, që ata zhvillojnë herë pas here, si dhe në informimin e medias së shkruar dhe asaj elektronike, për punën e tyre të pandërprerë, me përmbajtje atdhetare e kulturore.

Tiranë, 15 mars 2015