Kambana e Europës

0
41

Prof. As. Dr. Artan Duka, 07.07.2010

Greva e urisë në emër të votës transparente testoi, krahas vullnetit politik absolut të opozitës në kurorëzimin e votës së lirë përballë absurdit të mohimit me çdo kusht të saj, edhe vullnetin dhe forcën e politikës europiane për të pohuar objektivitet, principialitet e dëshmuar vendosmëri për të “imponuar” standarde që përbëjnë “indin” e civilizimit perëndimor.

Për pritshmërinë që krijoi me letrat drejtuar politikës në vend, takimin në atmosferë ultimative të Strasburgut, afatet 2 dhe më tej 3-javore etj., Europa “zhgënjeu”. Mbi të gjitha për mungesën e vetë transparencës së saj të menaxhimit të krizës së politikës shqiptare, duke mos dalë nga qerfulli i fjalëve, komenteve dhe tashmë dhe veprimeve “as mish, as peshk” e shtuar më tej konfuzionin mes nesh.

FAULLI DHE ARBITRI

Pavarësisht konfidencialitetit të “Krokodil”, shoqëria shqiptare e meriton një përgjigje të drejtpërdrejtë prej politikës europiane. Mesazhet e “mekura” nuk promovojnë dinjitetin dhe vullnetin e një shoqërie të tërë të etur në ndërtimin e një demokracie efikase të bazuar në meritokraci dhe vlera njerëzore.

U “nis keq” teksa u “vulosën” e më tej u justifikuan deri në absurd – “1/3 qendrave të votimit u numëruan keq apo shumë keq, por kjo nuk ndikoi në rezultat” (!?) – zgjedhjet e 2009, pavarësisht të metave, duke dëshmuar kakofoni të atillë zërash që komprometojnë perceptimin si një entitet solid me qasje të përbashkët në promovimin e vlerave të vërteta demokratike që nuk janë thjesht produkte kompromisi, por piketa orientimi, të cilat pohohen fort për vende aspirante, për më tepër anëtare të NATO.

Ajo “vulë” i ka “ulur zërin” në një farë mënyre Europës për të luajtur të “paanshmin” në dinamikën e politikës shqiptare.

Kjo “ulje steke”, e dobishme për pushtetin, nuk favorizon zhvillimin e shpejtë të demokracisë në vend, por nanurit më tej praktikat abuzive dhe shpesh jo demokratike të një pjese të klasës politike shqiptare, indirekt inkurajon “statukuonë” në hullinë politike në Shqipëri dhe dekurajon vullnetin dhe besimin për ndryshim.

“FATURA” E STRASBURGUT

Sikur të mos mjaftonte “turpi” i patronazhit të Strasburgut, Europa sot tërhiqet me elegancë, duke e çuar përsëri krizën në pikën “zero” dhe “larë duart” me predikimin “zgjidheni vetë!”

Kjo tërheqje, ndërkohë që shoqëria shqiptare kishte mbërthyer sytë drejt saj, shqiptarit të thjeshtë nuk i lë veçse shijen e hidhur të mospërfilljes deri cinizëm për “puthitur” më mirë kapakun e kusisë me presion të një shoqërie që vlon dhe lërë në vetminë e fatit të tij.

Predikimi “zgjidheni vetë” tingëllon sot absurd, sepse ishte pikërisht ajo që po bënin faktorët shqiptarë mes vetes – opozita me protestat dhe pushteti me kundërargumentet teksa Europa u ndërhyri në emër të zgjidhjes së situatës, prej të cilës tërhiqet sot. Nëse qëllimi “Krokodil” ishte të mbyllej një grevë urie që po dramatizonte situatën, atëherë nuk kishte përse të pritej 20 ditë dhe të rrezikohej jeta e dhjetëra njerëzve, por të ftoheshin liderët që të nesërmen e fillimit të grevës.

Aq sa e vërtetë është që Europa nuk mund t’i imponohet një vendi sovran, aq e vërtetë është që nëse vendi është aspirant drejt saj, ajo të bashkojë në një faktet dhe dinamikat me prirje joperëndimore me aktorët që i bartin apo provokojnë ato duke vënë pikat mbi “i” dhe mos lërë vend për spekulim.

PADYZIM

Sot në Shqipëri kriza është në embrionin e demokracisë – besimi tek vota. Europës duhet t’i “dhëmbë” më shumë se kushdo çështja e votës, për hir të interesit të saj, qytetarëve të saj, por dhe qytetarëve shqiptarë që meritojnë një ardhme më të mirë dhe sa më shpejt.

Liberalizimi vizave, përtej spekulimeve me të, përkundër faktit se nuk ofron punësim përkundrazi do “pompojë” më tepër para jashtë vendit si turistë, do kontribuojë më tej në emancipimin demokratik të qytetarëve e rrjedhimisht do të shpjerë në realizëm të mëtejshëm në perceptimin e politikës në Shqipëri me përfitime për vlerat demokratike.

Ndërsa në vend, shumëkush për konformizëm mund të jetë në “turmën e Andersenit” dhe nuk mund thotë me zë të lartë se mbreti është lakuriq, Europa nuk ka përse dhe nuk duhet të demonstrojë një qëndrim të ngjashëm.

Dilema nëse interesi për këtë “sagë” është periferik për të apo interesi është përtej parimit, pavarësisht përgjigjes, cenon njësoj mbarëvajtjen e demokracisë në vend.

Shqipëria, e përgëzuar gjithnjë për “protagonizëm” stabiliteti në rajon, realisht nuk po promovohet sikurse ndodh me vende të tjera përreth me të shkuar të afërme të turbullt deri të përgjakshme.

Ky rol stabiliteti, përballë “neutralitetit” deri në injorim prej Europës për ecurinë e demokracisë në vend, veçse pezmaton. Europa na e ka borxh të vërtetën dhe nëse preferon të jetë jo tutori por partneri ynë i sinqertë duhet ta drejtojë gishtin drejt plagës dhe shkaktarit e padyzuar.

“VAKSINIMI” I ZGJEDHJEVE LOKALE

Me zgjedhjet lokale në prag, besimi rifitohet me realizimin e transparencës integrale zgjedhore. Precedenti i transparencës së zgjedhjeve të 2009 duhet materializuar përpara zgjedhjeve vendore për të garantuar një proces zgjedhor ku “frika” nga ligji të ruajë votën të virgjër. Kjo do sfumojë vullnetin propagandistik të krahëve të politikës në emër të votës teksa transparenca del jashtë domenit të tyre.

Zgjedhjet vendore krahas transparencës kërkojnë dhe një proces të mirëfilltë teknik siç është ai i aplikimit të kartës së identitetit online që faktikisht ende ka mbetur në rolin e një certifikate klasike, pavarësisht një periudhe njëvjeçare të emetimit të tyre.

Përballë diskreditimit të shenjtërisë së votës, krizës së thellë të mosbesimit politik, zgjedhjeve të reja në prag, ekonomisë së turbullt dhe momenteve decizive për integrimin në BE, koha nuk justifikon arrogancën e pushtetit përballë legjitimitetit të opozitës për transparencë zgjedhore.

Ndërsa dilemat për aktorët shqiptarë mund të enden disi më gjatë në hullinë e kohës, për Europën të tilla nuk duhet të ketë dhe kambana e saj duhet të gjëmojë fort dhe sot.