Andrea Stefani
Përleshja e lemerishme e banorëve të Hamallajt me falangat e policisë shpreh me elokuencë tragjike gurësh, flake, gjaku, dëshpërimi, kërbaçi e britmash, dështimin e shtetit dhe ligjit. Konflikti i ndezur është rrjedhojë e mashtrimeve elektorale, e moszbatimit të ligjit dhe mungesës së barazisë përpara tij. Ai është edhe dëshmia më e freskët e dështimit të shtetit ligjor në një çështje themelore për të, sikundër është ajo e pronave.
Nuk do shumë vëmendje për të kuptuar se tragjedia e Hamallajt është në thelb e njëjtë me tragjedinë e piramidave financiare të ndodhura 13 vjet më parë. Gjë që provon përsëri se qeverisjet e Sali Berishës kanë si thelb dhunën dhe se nuk dinë të ndjekin me kohë politika që çojnë në shmangien e dhunës. Ndaj vjen edhe konfrontimi i qytetarëve me forcat e policisë dhe dhunën e “shtetit”. Nuk kemi të bëjmë me një rastësi. Por aty ku nis dhuna, aty nis e mbaron shteti. Dhuna mbi popullsinë nuk është tregues i forcës, por i dobësisë së një shteti, i krizës së tij. Të paktën kriza e piramidave duhet t’i kish vlejtur Sali Berishës për të kuptuar kaq pak gjë.
Hamallaj si mashtrim elektoral
Jo pak nga banorët e Hamallajt deklarojnë se deputetët e PD-së i kanë mashtruar, se u kanë premtuar gjatë fushatës elektorale që do t’ua legalizonin ndërtimet e paligjshme. Janë pohime që tingëllojnë të vërteta jo vetëm sepse dihen premtimet e Sali Berishës për legalizimet, por edhe sepse prej vitesh politika shqiptare funksionon sipas parimit populist: premto dhe mashtro. Në vitin 2004, në prag të rikthimit në pushtet, Berisha deklaronte publikisht për sa u takon ndërtimeve pa leje: “Jam për amnistimin e plotë të tyre dhe jam që shteti t’u japë kredi atyre që të paguajnë me vlerën e tregut truallin e pronarëve.
Nuk ka zgjidhje tjetër. Nuk ka shtet që të marrë përsipër që t’i rrënojë”. Sot po del se ka pikërisht “një zgjidhje tjetër”, ajo e shtetit që rrënon shtëpitë e qytetarëve të vet dhe jetët e tyre. Pse? Sepse Berisha është në pushtet dhe sa herë ndodh kështu, pushteti bëhet destruktiv. Por politikanët shqiptarë, përfshi Sali Berishën, duhet të kuptojnë se një premtim nga tribunat e shtetit, shoqërohet me reagime të panumërta poshtë, në gjirin e popullatës.
Nëse ju thua njerëzve se paratë e shqiptarëve janë “më të pastrat në botë” (dhe koha po provon se nuk ka qenë dhe nuk është aspak kështu), është faji dhe përgjegjësia jote si qeveritar që ata u dyndën edhe më shumë drejt piramidave financiare, duke humbur deri edhe shtëpitë. Nëse u premton shqiptarëve se do jua legalizosh ndërtimet pa leje, mos u habit fare dhe është përgjegjësia jote direkte që ndërtimet pa leje do shtohen pas zgjedhjeve si kërpudhat pas shiut. Sikundër edhe ndodhi në Hamallaj dhe në gjithë Shqipërinë.
Prandaj, një Kryeministër dhe qeveria e tij që ka premtuar legalizim ndërtimesh gjatë zgjedhjeve, ka nxitur indirekt ndërtimet pa leje, i ka nxitur njerëzit të investojnë paratë e një jete të tërë në ndërtime që shpresonin t’u legalizoheshin. Prandaj një qeveri e tillë nuk ka asnjë të drejtë morale t’ua shembë sot shtëpitë qindra apo mijëra familjeve si të paligjshme, sepse ka premtuar t’ua bëjë të ligjshme.
Prandaj themi se përleshja e ndodhur në Hamallaj mes banorëve dhe policisë është rrjedhojë e një mashtrimi politik elektoral, i një premtimi të pambajtur nga Berisha, deputetët dhe qeveria e tij. Edhe policët, edhe banorët që detyrohen të përgjaken me njëri-tjetrin, janë thjesht viktima fatale të një mashtrimi politik. Njëra palë mbron bukën e gojës, rrogën, tjetra shtëpinë.
Hamallaj si mungesë e ligjit dhe “Çatia”
Por le t’i harrojmë premtimet elektorale dhe të gjitha të tjerat që thuhen në një fushatë. Le t’i konsiderojmë, sikundër ka qejf Berisha, “fjalë kazani”. Pyetja është se përse qeveria ka lejuar që banorët e Hamallajt të ndërtojnë për rreth 3 vjet të pashqetësuar nga askush dhe në kundërshtim me ligjin? Ku ishin deri sot organet e zbatimit të ligjit, si ato lokale, ashtu edhe ato të qeverisë qendrore? S’ka asnjë dyshim se ka penguar jo vetëm dredhia populiste e qeverisë (duhej të kalonte ca kohë sa të harroheshin premtimet për legalizim), por edhe mekanizmi korruptiv që gëlon gjithandej.
Jo pak banorë mund të kenë paguar ryshfete të majme që të mos ndalohen në ndërtimet e tyre. Por kur autoritetet vonojnë në zbatimin e ligjit, ata bëjnë që e drejta t’i braktisë. Gjithkush që ndërton pa leje mund të thotë se nuk e njihte ligjin dhe të kërkojë llogari se përse nuk e penguan që t’i investonte paratë gabim. Një histori pak a shumë e njëjtë si ajo e piramidave. Edhe në atë kohë qeveria nuk mund ta kalonte lumin, ashtu sikundër edhe u përpoq, duke u thënë shqiptarëve: Vetë i futët paratë në piramida! Kjo është të lash duart.
Berisha justifikohet sot duke thënë se në kohën e piramidave, nuk kish ligj që t’i ndalonte ato. Po sot kur ka ligje dhe organe që duhet të parandalojnë ndërtimet pa leje, pse nuk ndodh një gjë e tillë? Përse lejohen të ngrihen në mes të ditës vila e pallate shumëkatëshe që pastaj të shkatërrohen me operacione në mes të natës? Dhe a nuk është akti më çnjerëzor t’i prishësh një familjeje shtëpinë? Jemi në mileniumin e ri, apo në kohërat e errëta të legjendës së Rozafës, ku sundonin forcat e errëta të shkatërrimit?
Dekada më parë shfaqej edhe në Shqipëri një film italian i titulluar “Çatia”. Fokusohej në Italinë e pas Luftës II Botërore dhe fabula e tij kish të bënte edhe ajo me banorë që popullonin në atë kohë rrethinat e qyteteve të mëdha italiane, duke ndërtuar pa leje. Qeveria dhe shteti italian bënin çmos që procesi i ndërtimeve pa leje të stopohej, por megjithatë ligji nuk injoronte atë që mund të quhet shenjtëria e banesës, paprekshmëria e shtëpisë. Nëse karabinieria e gjente shtëpinë të ngritur, nuk mund ta shembte, por shkelësi i ligjit mund vetëm të gjobitej. Ndërkaq, autoritetet nuk flinin gjumë si te ne.
Karabinierët i patrullonin rrethinat aq dendurisht, sa jo pak herë të ardhurit detyroheshin t’i ndërtonin kasollet nga themeli në çati brenda natës. Dhe në filmin që po flasim, karabinieria nuk pati kurajë, nuk e gjeti morale t’ia shkatërrojë shtëpinë një familjeje, edhe pse një pjesë e çatisë kish mbetur ende e pambyllur. Vijmë në Shqipëri: Ku e gjen moralin qeveria që dërgon falangat e policëve për të mbështetur shkatërrimin me dhunë të qindra banesave, ndërtimin e të cilave ajo vetë e ka toleruar për vite me radhë? Ku e gjen moralin të kërkojë zbatim ligji ajo që vetë nuk ka këmbëngulur në zbatimin e ligjit?
Sepse po të kish punuar qeveria çdo ditë për zbatimin e ligjit, sot nuk do kishin as ndërtime pa leje, as konflikte të përgjakshme për ndërtimet pa leje. Qeveria nuk ka të drejtë t’i shkatërrojë ato shtëpi, sepse është bashkëfajtore në ndërtimin e tyre. Zgjidhja e problemit të ndërtimeve pa leje mund të përfshijë legalizimin krahas gjobitjes, si dhe shumë formula të tjera, por nuk duhet të jetë shkatërrimi. Është e gabuar dhe tejet çnjerëzore të rrënosh investimin e një jete të një familjeje, mundin dhe djersën e njerëzve. Një qeveri e mirë duhej të kish parandaluar që qytetarët të investonin në drejtimin e gabuar. Por nuk ka qenë e tillë. Prandaj duhet të paguajë edhe ajo paaftësinë e vet.
Jo të lajë duart duke e hedhur gjithë barrën e ndëshkimit ligjor në kurriz të qytetarëve që, edhe pse shkelës të ligjit, janë të nxitur nga vetë qeveritarët ta shkelin ligjin. Dje me premtime për legalizim, sot me mosveprim për të parandaluar ndërtimet pa leje. Dhe një pushtet që është i paaftë (për shkak të korrupsionit dhe populizmit) të parandalojë shkeljen e ligjit, humbet edhe të drejtën të ndëshkojë në emër të ligjit. Sepse edhe ndëshkimi do bëhet jo më në emër të drejtësisë. Ligji do të jetë vetëm “gjethja e fikut” e një padrejtësie të re. Në argumentimin e kësaj të fundit do kalojmë tani.
Hamallaj si pabarazi para ligjit
Por le t’i harrojmë edhe fajet e qeverisë në parandalimin e ndërtimeve pa leje, braktisjen prej saj dhe të organeve të zbatimit të ligjit të detyrës për të parandaluar të keqen. Po si i bëhet me faktin që në disa zona të vendit ndërtimet pas leje po legalizohen dhe në disa të tjera jo? Pse në Bathore kemi legalizim dhe në Hamallaj jo? Opozita akuzon se e gjitha ka të bëjë me interesa pushtetarësh, me investime për fshatra turistikë, ku janë përfshirë fshehtazi edhe ministra të qeverisë “Berisha”.
Nëse është vërtet kështu, atëherë ajo që po ndodh në Hamallaj është një ilustrim alarmuesi dyfytyrësisë së një pushteti korruptiv, është një tjetër provë alarmante e mungesës së shtetit ligjor. Por edhe sikur të mos jenë në lojë të tilla interesa, standardi i dyfishtë në zbatimin e ligjit është padrejtësi. Sepse ligji ose zbatohet njëlloj për të gjithë, ose nuk zbatohet fare. Pra jo çdo zbatim ligji është padrejtësi. Zbatimi i ligjit selektivisht, vetëm për disa, është në vetvete padrejtësi. Prandaj themi se banorët e Hamallajt, burra e gra, motra e vëllezër, nëna me foshnja e pa foshnja, nuk kundërshtojnë sot zbatimin e ligjit, por një padrejtësi që ju bëhet “në emër të ligjit”.
Politikanë, të cilëve ju kanë dhënë votën, i kanë futur në kurth duke i vënë përballë ligjit. Kanë rënë në kurthin e premtimeve dhe gënjeshtrave duke investuar në ato shtëpi, që sot ata që ju premtuan se do ua legalizonin, i sulmojnë me fadroma e sampistë. Kanë rënë përsëri në kurth po ashtu sikundër ranë në kurthin e piramidave kur Berisha i nxiste të investonin në to. Atëherë jo pak humbën paratë e shtëpive të shitura, sot jo pak po humbin shtëpitë. Shqipëria s’po ndryshon!