Nga Mero Baze, 8 Qershor 2012
Xhezair Zaganjori u largua nga gara ku nuk e futën kurrë zyrtarisht. I propozuar publikisht si një zgjidhje që kënaqte luftërat e brendshme në pushtet dhe jo si një president konsensual siç u përpoqën ta paraqisnin, ikja e tij la të zbuluara gjithë prapaskenat dhe mungesat e sinqeritetit që shoqëruan këtë proces deri më sot.
Të parin që la zbuluar është Sali Berisha. Siç e tha dhe paraditen e së premtes në Kuvend, në përpjekje për të qetësuar Jozefina Topallin, ai me qejf do të kishte zgjedhur atë presidente, por nën shantazhin e Ilir Metës shkoi tek emri i Zaganjorit, një bashkëpunëtor i tij i vjetër, që për shkak të natyrës së tij oportune, kënaqte çdo palë brenda shumicës. Sali Berisha pra cedoi nga parimet e tij dhe shkolla e vet politike.
Ai vendosi t’i nënshtrohet shantazhit, i cili në të vërtetë vjen nga një “spurdhjak” brenda PD-së, strukur në Bashki. Lulëzim Basha përdori hallin e Ilir Metës për tu pastruar para opozitës dhe për t’i rritur rëndësinë vetes para Berishës, për të shantazhuar Berishën përmes LSI dhe ia arriti. Ato që për shumë vetë, për ditë dhe javë të tëra dukeshin si krizë e raporteve të Berishës me Ilir Metën, ishin në të vërtetë një shërbim i Ilir Metës ndaj një klani pervers në pushtet, ku gjithçka ishte kurdisur për të shantazhuar Berishën në emër të LSI.
Sapo Berisha i iku shkollës së vet politike dhe mori një vendim nën shantazh, ai u tërhoq zvarrë pa mëshirë deri këtu ku mbërriti sot. Burrëria e tij për të emëruar në krye të vendit një drejtues të lartë të PD-së u shua si kripa në ujë dhe filloi të fliste me superlativa dhe adhurim për Zaganjorin, dhe këtë e bënte jo se adhuronte atë, por se donte të na tregonte se kishte ceduar nga pozicioni i vet për diçka më cilësore. Sapo e bëri këtë, LSI, e cila u përdor për ta shantazhuar Berishën nga një klan brenda PD-së, shpalli paqen me Berishën dhe filloi t’i gëzohej hileve të saj në gjithë këtë proces.
Unë kontaktova një javë më parë me zotin Zaganjori, pas disa qëndrimeve të ashpra kritike të gazetës ndaj tij dhe ai më siguroi si gazetar se do të respektonte propozimin që i është bërë si kandidat konsensual dhe jo si një kandidat vetëm i shumicës. Me thënë të drejtën, besova se ai nuk do kishte fuqi të vendoste pa dëshirën e atyre që e kishin propozuar. Vendimi për dorëheqje të tij fare papritur, dhe qartazi pa u konsultuar me ata që nuk po e “llogarisnin”, tregon se ai është fyer nga e gjithë kjo farsë më shumë se kushdo tjetër. Atë e propozuan publikisht dhe nuk e konsideruan kurrë si një njeri që do të bëhej president, por si një nga ata që e caktonin “Ata”. Ikja nga kjo farsë i jep atij dinjitet, dhe të gjithë ne që e paragjykuam duke e emëruar dhe duke e kundërshtuar si një kukull, një leksion të ashpër se si nuk duhet ta zgjedhim presidentin e Republikës.
Pikërisht ky vendim e bën dhe më të dobët dhe të pafuqishëm Sali Berishën. Prej ditës që ai i iku qëndrimit të tij politik arrogant, ai po hiqet zvarrë dita- ditës nga një pakicë gjobëvënëse brenda shumicës, dhe po detyrohet të vazhdojë lojën e tyre për një president që tashmë nuk do t’i ngjajë dot as Zaganjorit.
Sali Berisha kishte mundësi të fshihte pafuqinë e vet duke luftuar ashtu si opozita për një president realisht konsensual. Ai donte të bënte të fortin dhe trembi gjithë botën, duke i bërë ata aleatë të tezës së opozitës. Në këto kushte ai ose do respektonte qëndrimin e tij të parë, ose do fshihej pas konsensusit real. Futja e tij në spiralen e pazareve e ka nxjerrë nga kjo garë si një rob lufte, që e tërheq pas karroca e Ilir Metës, me shpresë se kështu do ta shtyjë deri në vitin 2013.
I dyti që ka dalë i dëmtuar nga kjo manovër e ulët politike është Ilir Meta. Gara për president të Shqipërisë u bë interesante vetëm për një arsye, për arsyen se Ilir Meta gënjeu shqiptarët dhe opinionin publik ndërkombëtar se po vendoste një raport të ri me opozitën. E gjithë kjo mobilizoi emocione dhe debat politik plot mistere në Shqipëri, përfshiu në bisedime opozitën, tronditi shumicën dhe risolli në skenë llogaritë për jetëgjatësinë e shumicës në pushtet.
Gjithë këtë energji të prodhuar Ilir Meta e përdori ngushtësisht për interes të një klani gjobëvënës brenda PD-së, që nuk ka guxim të bëjë vetë luftë politike. Pikërisht këtu ai ka humbur tashmë besimin e Berishës, ka marrë natyrisht përçmimin e opozitës dhe e gjithë kjo do t’i përkthehet në kosto të re negative elektorale në vitin që vjen. Ai konsolidoi portretin e tij si politikan kulisash, i pasinqertë dhe i pabesë me të gjitha palët. Kjo natyrisht i është mbajtur shënim nga të gjithë.
Nga ana tjetër, ikja e Zaganjorit është një fitore e peshës së opinionit publik dhe parimeve mbi kulisat dhe luftërat e vogla. Në thelb Zaganjori iku siç e theksoi dhe vetë, pasi opozita nuk e pranoi dhe ai nuk donte të dëmtonte interesat e Shqipërisë. Kjo deklaratë në thelb tregon se ai, ndryshe nga klasa politike, e beson realisht rëndësinë e këtij procesi dhe e ka besuar realisht termin konsensual ashtu si shumë shqiptarë.
Fakti që opozita e respektoi atë personalisht, por e refuzoi politikisht si një emër jokonsensual dhe iu përmbajt deri të premten në drekë parimit se duhet zgjedhur një president konsensual, ka qenë një arsye e besueshme për të. Ndryshe nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, që flisnin për konsensus dhe kishin parasysh “një të tyrin”, opinioni publik nuk bëri shkaka me këtë fjalë dhe pati peshën e vet së paku mbi njeriun, të cilin Sali Berisha dhe Ilir Meta deshën ta përdorin për të mbuluar mungesën e sinqeritetit të tyre. Kjo është një fitore e madhe e një politike që mbështetet mbi një parim të shpallur, dhe në ketë rast një fitore e opozitës, e cila nuk u tundua dhe nuk e tradhtoi parimin e presidentit konsensual.
Sali Berisha u mundua sa mundi të bënte diversion me “dalëzotsat” e tij për të shmangur opozitën nga parimi i presidentit konsensual, por nuk ia arriti. Fakti që opozita i qëndroi atij parimi, e bën atë fituese morale të këtij procesi, pasi triumfoi parimi i saj. Sali Berisha, i cili u detyrua të shmangej nga qëndrimi i tij fillestar për një president polik nga PD-ja, nën shantazhin e Ilir Metës, donte doemos që dhe opozita të shmangej nga parimi i shpallur i konsensusit, duke e provokuar atë me skema përçarëse, duke vënë njerëz të mblidhnin firma për Fatos Nanon, vetëm e vetëm që dhe opozita të përbaltej.
Në finale ne kemi një Berishë që po tërhiqet zvarrë nga Ilir Meta për interesa të grupit Basha- Meta brenda pushtetit dhe një gjunjëzim të plotë të tij edhe për raundin e katërt nën diktatin e këtij grupi. Berisha nuk është më njeriu që merr vendime në shumicë. Ai nuk dikton dot më as Topallin dhe asnjë figurë politike që nuk i pëlqen Ilir Metës, dhe as që kthehet dot tek parimi i konsensusit, apo tek parimi i një kandidature politike. Ai tani ka probleme me zemrën deri në seancën e së hënës, kur shpreson se shumica që tashmë nuk është më e tij, të zgjedhë një president.
Ai po i paguan një haraç të madh gjithë hipokrizisë me të cilin e nisi këtë proces dhe gjithë paburrërisë me të cilin e vazhdoi së bashku me aleatin e vet. Dhe të mendosh se një parti e madhe si PD-ja, që nuk ka qoftë dhe një skifter t’i thotë ‘ndal’ vazhdimit të këtij poshtërimi, do të thotë se aty nuk ka më politikë dhe dinjitet, po vetëm pazare dhe tërheqje zvarrë pas gjithkujt që i siguron dhe disa muaj pushtet më shumë. Ashtu kanë për të ikur.







