Sistemi që duam

0
87

Ardian Vehbiu

Ardian Vehbiu, 02.07.2010

Në Shqipëri privatësia e personit publik shpërfillet e dhunohet çdo ditë: nga politikanët në foltoret e pushtetit, nga mediat, nga njerëzit në rrugë; për arsye që varen nga tradita jonë e komunikimit, por që ndikohen edhe nga modelet e ofruara rishtas. Megjithatë, rasti i ish-ministrit të Kulturës Pango dhe televizionit privat Top Channel ka ndihmuar që çështja e privatësisë të rikthehet në fokus të debateve, tashmë edhe ngaqë në të ka shkelur së fundi gjyqësori me putër të rëndë.

Siç pritej, në debatet rreth kësaj çështjeje janë ndërthurur e ngatërruar mes tyre tema të ndryshme: privatësia dhe pacenueshmëria e banesës, abuzimi i pushtetarit me detyrën, profili etik i një ministri, roli i medias hetimore në demokraci, qëndrimi i opinionit publik. Megjithatë, ndoshta na duhet që vëmendjen ta mbajmë të përqendruar në privatësinë e individit, sepse pikërisht këtu – besoj unë – shoqëria shqiptare ka ende deficite të rënda, që janë për t’iu faturuar provincializmit, sundimit të mendësisë katundare dhe sidomos kulturës totalitare të marrëdhënieve mes individit dhe masës.

Pyetja mund të shtrohet kështu: a pati dhunim të privatësisë së individit Pango, nga emisioni Fiks Fare? Dhunim pati, madje të dyfishtë: sepse u cenua privatësia e Pangos si person, sa kohë që fjalët dhe veprimet e tij u regjistruan dhe u riprodhuan nga një medium privat pa pëlqimin e tij; dhe sepse këtij qytetari iu cenua hapësira private e shtëpisë ku banonte.

Në vendet demokratike, veprime të tilla ndërmerren si rregull nga forcat e ruajtjes së rendit, me vendim, leje ose autorizim të organeve të pushtetit (prokurorisë, gjykatës); por emisionin Fiks Fare dhe mediumin televiziv Top Channel nuk e kishte autorizuar kush që të vepronte kështu, as mund ta kishte autorizuar kush.

Nuk e di me saktësi si e ka formuluar misionin e vet Top Channel; duke qenë entitet privat, ma merr mendja që synimi i parë i veprimtarive të tij në lëmin e komunikimit publik është të pasurojë pronarët e mediumit; por mund edhe të pranoj që pronarët përkatës përnjëmend të besojnë se, me vullnet të mirë, po i bëjnë një shërbim shoqërisë ku vepron ky televizion dhe opinionit publik që kultivon.

Që shoqëria shqiptare sot është shoqëri e sëmurë, këtë e provon, sado tërthorazi, edhe suksesi i emisioneve të tilla si Fiks Fare, të cilat pjesërisht edhe e ngjizin vetë lajmin; e që vërtet mund të “demaskojnë” shkelje dhe abuzime nga më shqetësueset, por suksesin komercial e arrijnë vetëm kur munden t’u hedhin turmave të zemëruara ndonjë mish për të shqyer.

Mirëpo iluzioni në thelb romantik se mediat, publike dhe aq më keq private, mund të vendosin drejtësinë në një shoqëri ku sundon korrupsioni e rrezikon drejtpërdrejt demokracinë; pikërisht në atë masë që drejtësia nuk vendoset me vota as në sheshet e linçimit as në mënyrë simbolike dhe të ritualizuar, duke vringëllirë telekomandën. Argumenti im nuk ka detyrimisht lidhje me personin e ish-ministrit Pango.

Si çdo qytetar i republikës, edhe ai gëzon të drejtën për privatësi që ia njeh dhe ia mbron kushtetuta; madje kjo e drejtë aq më tepër i duhet mbrojtur, në rrethanat kur kundër tij ngrihet i indinjuar opinioni publik, pavarësisht nëse i manipuluar apo jo nga mediat. Kjo, ngaqë e drejta për privatësi merr kuptim pikërisht në rrethanat kur tundohemi për ta shkelur.

Sot nuk hap dot gazetë e nuk ndjek dot një zëdhënie publike, pa dëgjuar të lakohen familjet dhe familjarët e politikanëve më në zë, krerëve të qeverisë dhe të opozitës; të përgojohen etërit e tyre, zakonet e tyre, historitë e tyre private, të fshehtat e nxjerra prej dosjeve të tyre të dikurshme ose të shpikura për efekt.
Si të mos e shohësh vallë, këtë dukuri, si vijimin inercial të situatës së djeshme, kur regjimi totalitar e riprodhonte vetveten duke dhunuar, shpërthyer e përdhunuar çdo barrierë privatësie; duke përgjuar, regjistruar, raportuar, denoncuar individin, deri sa ta kthente mbrapsht në sy të shtetit, si kostum stofi nga ata të qëmotit?

Themi se duam të ndërtojmë, në shoqërinë shqiptare, institucionet e një sistemi pluralist dhe demokratik, me pushtete të ndara dhe respekt për të drejtat dhe liritë e individit. Edhe pse me gabime, gafa, kulte kargosh, rrëzime, zbythje, dredha, shkelje syri dhe marifete gjithfarësh, një farë emancipimi ka ndodhur tanimë në mendësitë e njerëzve, përtej ekonomisë së tregut, kra-krasë protokollare dhe katundarizimit të debatit politik.

Suksesi, jo vetëm në publik por edhe në cilësinë absolute të ofruar dhe përditësimin teknologjik, i Top Channel-it e dëshmon këtë emancipim drejtpërdrejt; sepse vetëm në një shoqëri të lirë, pluraliste dhe demokratike, medias private i krijohet madje garantohet mundësia për të vepruar lirisht dhe e pavarur.

Megjithatë kjo shoqëri e lirë dhe demokratike brenda së cilës mund të lulëzojë një televizion si Top Channel-i, me filozofinë e vet të komunikimit publik dhe pozicionimin e vet në konfliktin politik në Tiranë nuk mund të konceptohet dot, as të realizohet pa marrë parasysh parimin e rëndësishëm të pacenueshmërisë së hapësirës private të qytetarit.

Me fjalë të tjera: sistemi që toleron në gjirin e vet televizionin e suksesshëm privat Top Channel, themelohet mbi pacenueshmërinë e privatësisë së qytetarit Ylli Pango. Këtë nuk duket ta ketë kuptuar një pjesë e opinionit publik, ndoshta ende e penguar nga mjegullimi që i është bërë problemit nëpërmjet sulmeve ad hominem ndaj ish ministrit të Kulturës, ose shqetësimit legjitim për abuzimin e pushtetarëve me detyrën, në të gjitha instancat.

Prandaj vendimi i gjyqtarit A. Bendo për të dënuar Top Channel-in me gjobë të rëndë merr vlerë të mirëfilltë edukative për opinionin qytetar në Shqipëri; si shembull elokuent i ndërhyrjes së gjyqësorit në mbrojtje e mbështetje të institucioneve të shoqërisë së lire dhe demokratike në Shqipëri. Ai vendim nuk ka të bëjë me gazetarinë hetimore (investigative), as duhet interpretuar si sulm ndaj kësaj gazetarie, e cila përndryshe tek ne ka ende punë për të bërë, për ta diferencuar veten nga voyeurismi dhe skandalistika.

Përkundrazi, mund dhe duhet të shërbejë për të ushqyer një debat, në nivel të lartë, në lidhje me çfarë duhet ndrequr, riformuluar ose miratuar rishtas, për ta rregulluar kuadrin ligjor të raporteve midis nevojës së publikut për informim dhe së drejtës qytetare individuale për privatësi dhe pacenueshmëri të hapësirës private.