Bledar H. Prifti, 30.06.2010
Debati i ngritur tashmë në disa media të shkruara dhe vizive pas vendimit të Gjykatës së Tiranës në lidhje me rastin “Pango” rezulton të jetë shumë i lokalizuar dhe në shumicën e rasteve tejet i thjeshtëzuar. Ky debat duhet të analizohet nga dy këndvështrime: (1) politike dhe (2) sociale.
Nga ana politike, debati duhet të analizohet si një përplasje e pushtetit (të katërt) të medias me pushtetin ekzekutiv. Fatkeqësisht, sot ky debat është përqendruar në formën e një beteje, ku nga njëra anë pozicionohet e drejta e një kanali televiziv për të investiguar Ministrin Pango dhe nga ana tjetër ndodhet pretendimi se gjoja Ministri na gëzuaka të drejtën ligjore që punët e shtetit t’i kryejë në shtëpinë e tij, madje edhe në dhomën e gjumit.
Nga ana sociale, ky debat duhet analizuar si një përplasje midis morales dhe imorales apo të drejtës me të padrejtën. Analizat e tipit të dytë zakonisht bëhen nga ajo shtresë e dijetarëve dhe të zgjuarve të shoqërisë, të cilët janë kryesisht më të impenjuar dhe shqetësuar me çështjet sociale sesa me ato politike.
Tek ky grupim bëjnë pjesë ata që ne i konsiderojmë “intelektualë” dhe “të pavarurit”. Përsëri fatkeqësisht, përveç ndonjë zëri të pafuqishëm të ngritur tek-tuk në media, analizat të këtij kalibri janë shumë të pakta, për të mos thënë që mungojnë tërësisht.
Por, ky shkrim nuk ka për qëllim që të merret kryesisht me anën sociale të argumentit, pasi autori ka shkruar dhe stërshkruar rreth paaftësisë së intelektualëve tanë dështakë recidivistë për të mbrojtur interesat e shoqërisë.
Ky shkrim orvatet të bëjë një analizë të karakterit politik, duke i mëshuar disa argumenteve që sot nuk diskutohen ose nuk vendosen në plan të parë të debatit publik dhe mediatik. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se përgjatë analizës ne nuk do të prekim argumente në lidhje më aspektin social të çështjes. Është e pamundur që të bëjmë ndryshe.
Politika dhe shoqëria janë të pandashme nga njëra-tjetra. Politika nuk është gjë tjetër, por një nënsistem social, përmes së cilit bëhet shpërndarja autoritative e vlerave të një shoqërie.
Politika i jep një hierarki vlerave të shoqërisë, pasi ajo nuk është veprimtari individësh, por veprimtari e grupimeve shoqërore me interesa dhe vlera të përbashkëta. Gjithashtu, duhet theksuar se pjesëmarrja në një debat të karakterit politik të çështjes “Pango” nuk do të thotë që asaj i hiqet karakteri social i saj.
Duke iu kthyer qëllimit të shkrimit, vlen për tu sqaruar se arsyeja që autori anashkalon rolin e pushtetit gjyqësor në çështjen “Pango” është sepse gjyqësori në këtë rast konsiderohet si një instrument në duart e pushtetit ekzekutiv për të arritur qëllimet e tij. Përplasja aktuale midis këtij TV dhe gjykatës nuk është gjë tjetë,r por përplasje midis medias dhe pushtetit Berisha-Meta.
Ka një sërë rastesh kryesore që vërtetojnë se pushteti gjyqësor nuk është gjë tjetër, por një instrument në duart e pushtetit ekzekutiv, i cili përdoret për të promovuar dhe mbrojtur interesat e pushtetit.
Shenjat e para të një gjyqësori të instrumentalizuar ishin rehabilitimet në pushtetin ekzekutiv, pas vitit 2005-së, të personave publik me precedent të rrezikshëm për demokracinë dhe shoqërinë.
Pasi pushteti krijoi bandën e tij, erdhi koha e kthimit të shtetit në funksion të pushtetit dhe interesave të klaneve të tij.
Si rezultat i kthimit të shtetit në shërbim të pushtetit dhe klaneve ndodhën dhe u orkestruan dy nga veprat më të rënda penale që ka përjetuar shteti shqiptar në periudhën post-komuniste: (1) tragjedia e Gërdecit, dhe (2) vjedhja dhe shpërdorimi nga pushteti i miliona eurove gjatë punimeve në rrugën Durrës-Kukës.
Në të dyja rastet, të akuzuarit kryesorë ishin dhe janë dy ministrat e kabinetit Berisha, respektivisht Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha. Në rastin e parë, Ministri i Mbrojtjes nuk vepronte i vetëm, por kishte dhe ndihmesën e djalit të kryeministrit Berisha.
Odiseja dhe fundi i deritanishëm i procesit “Mediu” dihet nga mbarë publiku; padia kundër ministrit u rrëzua për shkak se ministri fitoi mandatin e deputetit në zgjedhjet e 28 qershorit.
Si “shpërblim” për punëtorët dhe fëmijët e vrarë në tragjedinë e Gërdecit, kryeministri Berisha i dha Mediut një post ministror. I njëjti fat do të gjente edhe çështjen “Basha”.
Për tejkalim të afatit të hetimit, gjykata pushoi çështjen në ngarkim të ministrit Basha. Ashtu si edhe në rastin “Mediu”, kryeministri Berisha “rehabilitoi” dhe “shpërbleu” deputetin Basha, duke i dhënë edhe atij një portofol ministror.
Intrumentalizimi i pushtetit gjyqësor do të arrinte kulmin në rastin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Kolegji Zgjedhor u bënë instrumente të pushtetit për të ricikluar vetveten.
KQZ, në mënyrë të paprecedent, u vendos në shërbim të pushtetit Berisha, duke arritur deri në atë pikë sa të hidhte në votë një ligj të miratuar me shumicë të cilësuar nga Kuvendi. Ky veprim antikushtetues i KQZ-së u pasua dhe u miratua nga një vendim po i atillë nga ana e Kolegjit Zgjedhor.
Ashtu si në rastet “Mediu” dhe “Basha”, skandali i zgjedhjeve të 28 qershorit tregoi se palët në konflikt nuk ishin populli dhe gjyqësori, por populli dhe pushteti diktatorial i Berishës.
Dhe ja ku mbërritëm tek rasti “Pango”. Ministri e kishte kthyer shtëpinë dhe dhomën e gjumit në zyrë shteti ku diskutonte dhe merrte vendime rreth aferave që kishin të bënin direkt me funksionin e tij të ministrit.
Disa palloshë analistë deklarojnë se nuk ka asnjë problem ligjor me këtë akt të ministrit edhe pse ai veprim bie ndesh me interesat e shoqërisë. Nuk ka asnjë vend të botës demokratike ku ekziston një ligj që bie ndesh me interesat e shoqërisë. Këta syresh analistë trumbetojnë me të madhe të drejtën e privatësisë së ministrit.
Por këta syresh harrojnë se ministri Pango e humbi pritshmërinë e arsyeshme të privatësisë (reasonable expectation of privacy) në momentin kur ai e ftoi, hapi derën e shtëpisë, dhe bisedoi me vajzën (gazetaren).
Ligji kërkon që vetëm njëra palë të japë pëlqimin për regjistrimin dhe publikimin e një bisede apo çështje që nuk është e karakterit të një marrëdhënie intime. Pango ishte koshient dhe i bindur se ai nuk gëzonte më të drejtën e privatësisë, pasi goca, si palë në bisedë, kishte të drejtën t’ia tregonte bisedën kujtdo.
Përpos kësaj, çështja duhej të publikohej për vetë faktin se ajo përbënte një interes publik dhe ishte objekt i ushtrimit të një funksioni shtetëror.
Ja ku jemi. Tashmë po flitet se vendimi i gjykatës në rastin “Pango” është një përplasje midis medias dhe gjyqësorit.
Madje, flitet se disa gjyqtarë të prekur sentimentalisht firmosën një listë-peticion si ai i artistëve që kërkonin ndërprerjen e grevës së urisë së opozitës. Absurditet dhe përralla me mbret! Ai vendim nuk ishte gjë tjetër, por një levë-instrument në duart e pushtetit Berisha për të goditur dhe nënshtruar median e lirë dhe kundërshtare.
Për kujtesë, në gjyqin për tragjedinë e Gërdecit, gjykata e la të lirë përgjegjësin kryesorë të saj, ministrin Mediu, dhe e çmoi një jetë fëmije të barabartë me 20 milionë lekë të vjetra. Kurse në rastin e ministrit “Pango”, po ky gjyqësor i jep të drejtën ministrit 60-vjeçar dhe e shpërblen atë me plot 400 mijë euro, ose 520 milionë lekë të vjetra. Këto çudira dhe maskarallëqe ndodhin vetëm në Shqipërinë tonë.
Këtu tek ne duket se ka vetëm një shoqëri të fjetur, një klasë intelektualësh të dështuar, një klasë pushtetarësh finokë, bastardë dhe të babëzitur, një klasë teknokratësh të zellshëm për t’i shërbyer pushtetit, dhe një opozitë politike të pafuqishme për t’u përballur me gjithë të parët.
Në sistemin tonë politik nuk ka ruajtës të balancës së pushteteve; madje nuk mund të flitet për pushtete, por për klane. Parlamenti është kthyer në një teatër kukullash, ku deputetët flasin si kukulla të kurdisura.
Presidenti është i kujdesshëm të mos harrojë se si u zgjodh dhe se kujt ia detyron presidencën. Prokuroria ecën nën hapat e presidencës duke sajuar gjoja përplasje me ekzekutivin (për t’i hedhur hi syve publikut) edhe pse po mbushet viti dhe nuk po dëgjojmë gjë se çfarë ka ndodhur me votat në qarkun Shkodër.
Sistemi ynë gjyqësor nga një ruajtës besnik i të drejtës që duhet të ishte është shndërruar në një qen gjahu i pushtetit Berisha. Në gjuhën popullore, një shërbyes i këtillë mund të konsiderohet “laro” ose “balo”.
Dhe përfundimi pas gjithë kësaj meseleje është krijimi i një pushteti ekzekutiv, i cili është kthyer në një qeveri Pangosh, ku vlera më e lartë është amoraliteti dhe hajdutëria, virtyti më i lartë është mashtrimi dhe ligësia, dhe qëllimi final është mbajtja e pushtetit përmes perversitetit.
Pavarësisht mendimeve të mësipërme, lexuesi do të vazhdojë të pyesë nëse është ky pushtet pangosh që krijoi këtë drejtësi larosh, apo është kjo drejtësi larosh që krijoi këtë pushtet pangosh.