Prokuroria: Zyrtarët të mos gjykohen nga gjykatës që emërohen nga politika

0
26

TemA, 7 Qershor 2012

Prokuroria e Përgjithshme duket se e ka pasur një ditë sulmi kundër gjykatave këtë të sotmen. Kryeprokurorja Ina Rama, duke folur për Zërin e Amerikës, tha se gjykatat nuk kanë të njëjtën qasje si ata në luftën ndaj korrupsionit. Gjatë intervistës Rama tha se nuk e quante dështim mos të Prokurorisë faktin se tre zyrtarë të lartë, të cilët janë dërguar për gjykim, nuk janë dënuar.

“Kjo është konsideruar nga ne si një qasje e ndryshme e sistemit gjyqësor ndaj fenomenit” të korrupsionit,” tha Ina Rama.

E pyetur nëse i mohonte akuzat sipas të cilave edhe në vetë Prokurori ka të korruptuar, ajo tha se po ta bënte këtë “do të thoja një gjë të pavërtetë”.

“Kemi ngritur dy akuza për korrupsion ndaj prokurorëve. Kam kërkuar masën arrest me burg. Në të dyja rastet gjykatat nuk na kanë mbështetur”, sqaroi kryeprokurorja.

“Mënyra se si funksionon sot sistemi gjyqësor na ka ulur agresivitetin në luftën ndaj krimit,” pohoi zonja Rama.

Ndërkohë, në ditën e dyte të Konferencës për Reformën në Gjykatën e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dha qëndrimin e saj në lidhje me gjykimin e çështjeve në juridiksion fillestar të deputetëve apo ministrave, në një kohë, që janë vetë këta që gjatë emërimit të një gjyqtari japin pëlqimin për të në Kuvend.

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Kujtim Luli, deklaroi se nëse përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë do të vijojë të bëhet nga politika, atëherë gjykimi i pjesëtarëve të saj të rishikohet se si do të kryhet.

“Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës parashikojnë juridiksionin fillestar të Gjykatës së Lartë, kur gjykon akuzat penale kundër disa subjekteve kushtetuese, si ndaj presidentit të Republikës që dekreton emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, ashtu edhe ndaj kryetarit të Këshillit të Ministrave, ministrave dhe deputetëve, të cilët japin pëlqimin në Kuvend për emërimin e gjyqtarit. Kjo situate kushtetuese dhe ligjore, lidhur me juridiksionin fillestar ka krijuar dhe po krijon probleme ne rastet e akuzave të ngritura dhe të përfaqësuara nga prokurorët në Gjykatën e Lartë, veçanërisht në perceptimin e publikut për njëanshmerinë e gjyqtareve në zgjidhjen e atyre çështjeve.

Referuar diskutimit të ditës së parë te Konferencës dhe në vijim të kësaj dite, nëse situata ligjore dhe Kushtetuese për zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, në kuadër të kësaj reforme të pritshme do të konsiderohet të mbetet e njëjtë, lidhur me mënyrën e emërimit dhe të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, çmojmë se është e domosdoshme të bëhen ndryshime kushtetuese dhe ligjore, për të zbritur nivelin e gjykimit të këtyre subjekteve kushtetuese ne Gjykatat e Apeleve ose ne ato të Shkallës së Parë”, tha Luli.