Lamtumirë Rei Bredburit – shkrimtari që shpiku të ardhmen

0
39

Arjan Th. Kallço

Shpesh e bëjmë pyetjen se cila është e ardhmja jonë. Nuk mund ta përcaktojmë me saktësi, pasi askush nuk mund ta marrë me mend se çfarë drejtimi do të marrë. Nuk bëhet fjalë për të ardhmen e një individi, por të një bote të tërë. Për ta nxitur disi fantazinë, kriza e parashikimit të jetës sonë pas disa ditësh apo kohësh është një tundim tepër i lashtë, u drejtohemi edhe parashikuesve të fatit, por fantazitë e tyre janë më fantazi se tonat. Të ëndërrosh të ardhmen nuk është ndonjë gabim apo mëkat, bile është një ëndërr për të cilën qysh i vogël kujdesesh shumë. Udhëtimet nëpër ëndrra të çojnë në ato skaje që edhe pse nuk i njeh, se nuk i ke parë ndonjëherë apo ndoshta nuk do t’i shohësh, përsëri ndihesh mirë, sepse të paktën shpreson dhe siç thotë proverbi, shpresa është e fundit që vdes.

Dëshirës për një botë më të mirë dhe më të drejtë i janë përgjigjur gjithmonë fantazitë e studiuesve, shkencëtarëve, shkrimtarëve të ndryshëm kudo në botë. Mjafton të përmendim librin e Zhyl Vernit, 20 mijë lega në det, që është një ndër romanet e parë që kemi lexuar dhe bashkë me autorin lundron nëpër thellësitë e deteve edhe vetë lexuesi. Kaluan shekuj, por këto fantazi një ditë u bënë realitet. Edhe më parë Leonardo Da Vinçi që mbetet një ëndërrimtar i guximshëm dhe i pandreqshëm, kishte ëndërruar shumë dhe në shekullin e kaluar disa nga fantazitë e tij më në zë, morën jetë. Një ndër shkrimtarët e gjinisë së fantazisë është dhe shkrimtari i madh amerikan Ray Bradbury, që me të drejtë është quajtur novator i vetë gjinisë, fantasia e të cilit gjeti shprehje në kërkimet e shumta të NASA-s. Ai ndërroi jetë më 5 qershor 2012 në moshën 91 vjeçare në Los Anxhelos.

Lindi në Ilinoi në vitin 1920 nga një familje me origjinë suedeze. Babai ishte punëtor dhe nëna shtëpiake dhe në vitin 1934, për arsye shëndëtsore u transferuan në Kaliforni, ku zbuloi botën e fantashkencës, aq sa filloi të shkruante tragime në revistat e këtij sektori. Midis veprave të para janë tregime policore dhe noir. Në vitin 1950 i mblodhi në një volum të vetëm Kronika Marsiane dhe patën një sukses të gjerë ndërkombëtar që edhe pse vitet kanë kaluar mbetet i paprekur. Vepra përbëhet nga 28 tregime fantastiko-shkencore të lidhura nga një temë : eksplorimi dhe kolonizimi i ardhshëm i planetit Mars.

Një vit më vonë vijoi kryevepra për të cilën do të kujtohet më shumë, Fahrenheit 451, një lloj elozhi ndaj letërsisë së ambientuar në një shoqëri distopike që më vonë u bë edhe film i suksesshëm. Në vitet e mëvonshme iu fut karrierës si skenarist kinematografik me filmin Moby Dick, por pa harruar Rayn romancier me romanet Bota e madhe aty poshtë, Mrekullitë e mundshme, Njeriu i ilustruar, Unë i këndoj trupit elektronik, Vendi në tetor, Populli i vjeshtës, Udhëtari i Kohës dhe romani ambicioz Vdekje në Vemecia, më të lehtit Varreza e të marrëve dhe Mollët e praruara të diellit.
Në vitet e fundit shprehu kundërshti ndaj formatit elektronik aq sa i pengoi ato të botoheshin në formatin dixhital. Vetëm në vitin 2011 lejoi botimin e tyre dhe

pikërisht romanin Fahrenheit 451, duke mbështetur gjithmonë formatin letër.
Tetë vite më parë kur anija kozmike Spirit u ul në Mars dhe filloi të dërgonte imazhe të planetit të kuq, NASA ftoi në një event të veçantë, njeriun që atë histori e kishte imagjinuar në vitin 1950. Ai ishte i sëmurë nga një iktus që në vitin 1999 dhe qysh atëherë jetonte në një karrocë invalidi. Por vazhdonte të shkruante dhe botonte, të polemizonte dhe ta imagjinonte të ardhmen. Në një intervistë theksoi se imazhet që vinin nga Marsi në studion e NASA-s ishin një emocion i jashtëzakonshëm. “Shpresoj që shumë njerëz në botë, të ndajnë me mua entuziazmin tim. Tash mjaft më me sonda eksploruese, në Mars duhen dërguar austronautë”.