SHOQËRIA SHQIPTARE ËSHTË DORËZUAR

0
84

Mustafa Nano

Mustafa Nano

Zululand
Shumë vetë e marrin me të qeshur deklaratën e përsëritur të Berishës, se “ai do të jetë Kryeministër edhe 35 vjet të tjera”. Mirëpo është një nga ato pak deklarata, me të cilat Berisha as tallet, as gënjen. Ndoshta gabon pak kur thotë 35 vjet (Berisha kontrollon e blen gjithçka, por jo vdekjen; vdekja nuk është as ministër, as deputet, e as gazetar i zhganit të vet), por me këtë kërkon të thotë se “ai do të jetë Kryeministër për aq kohë sa do të marrë frymë mbi dhé”.

Duhet besuar pra, pasi nuk ka asgjë që ta pengojë; veç në ndodhtë, që ajo gjëja që “nuk është as ministër, as deputet, e as gazetar i zhganit të vet” t’i lërë një takim të papritur. Mirëpo, nuk është shumë elegante të presësh shpëtim prej saj; përveç kësaj, vdekja është shumë trillane; është aq trillane, sa mund të na marrë fillimisht ne të tërëve, e pastaj të marrë atë.

Kur thashë pak më sipër se nuk ka asgjë që ta pengojë, pata parasysh pikërisht këtë situatë, në të cilën shoqëria shqiptare është totalisht e lodhur, e ligështuar, e dorëzuar. Po zbehen e po zhbëhen ato pak vatra të rezistencës embrionale të kësaj shoqërie ndaj praktikave të sundimit autokratik të vendit. Shoqëria civile, qendrat e dijes e të krijimit dhe elitat intelektuale e kulturore, duket se ia kanë futur gjumit për shtatë palë qejfe; një pjese syresh, në fakt, veç te gjumi nuk u shkon mendja: të japin përshtypjen se jetojnë me hallet e pushtetit dhe vuajnë prej këtyre halleve më shumë se sa vetë pushteti.

Mass-media s’ka qenë kurrë kaq servile ndaj Kryeministrit; edhe ato që s’janë me Kryeministrin, janë të sqaqura e të tredhura prej një droje e prej një neutraliteti të kërkuar si kriter me demek deontologjik. Një numër gazetarësh influentë të vendit, bash në këtë moment, kanë zgjedhur t’i shërbejnë Kryeministrit (e bëjnë këtë po njësoj edhe kur heshtin, edhe kur sillen si kinse të paanshëm, edhe kur bëmat prej shërbëtori i shpallin faqe botës).

Institucionet e pavarura kushtetuese janë ose të nëpërkëmbura, ose të frikësuara, ose të korruptuara, e në këto rrethana, sa herë që u duhet të marrin një vendim, apo të mbajnë një qëndrim, nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të orientohen nga busulla e interesave të Kryeministrit. Opozita e Edi Ramës, pas daljes me gisht në gojë nga Krokodili, duket se është keqas e trallisur.

Ndërsa është duke vrarë mendjen, se si duhet ta vijojë betejën për hetimin e zgjedhjeve të shkuara (një betejë që, sipas meje, duhet vazhduar), është duke humbur funksionet e njëmendta opozitare, gjë që duket te fakti, që së pari Kryeministri nuk duket se ndodhet hiç nën presion, e që së dyti opozita nuk po di të kontrollojë e të denoncojë si duhet aksionin qeverisës e zullumet e Kryeministrit. Përkundrazi, Kryeministri është i eksituar si rrallëherë, dhe ne më kot po presim që të ejakulojë. Ngjan se është opozita ajo që ka ejakuluar. Tok me të gjithë ne.