A do të rrijë Ilir Meta në varkën që po mbytet?

0
40

NGA EDUARD ZALOSHNJA, 11 JANAR 2013

Ftesat për një koalicion parazgjedhor ndaj Metës po shpeshtohen. Disa janë të drejtëpërdrejta e disa të tërthorta. Disa me kushte e disa pa kushte. Dje, raportoi mbrëmë TV Klan, Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i kanë kërkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim që të qëndrojë në koalicionin qeveritar. Sipas tyre, fitorja kalon përmes një koalicioni të madh parazgjedhor dhe është në vetë interesin e LSI-së të mos ndryshojë kurs në këtë moment.

Po mbrëmë, Berisha, në mbledhjen e kryesisë së PD-së, deklaroi se koalicioni PD-LSI ka funksionuar më së miri, duke lënë kështu të kuptohet se s’ka pse të mos vazhdojë. Ndërsa disa ditë më parë, Edi Rama, në konferenën e shtypit në tweeter, vuri kushtin: “LSI-ja duhet të zgjedhë: Patericë e regjimit apo krah opozitar! Duke zgjedhur opozitën do të bënte edhe një akt vullneti të mirë për t’u ndarë nga hija e një të shkuare të palavdishme në pushtet”.

Por deri më sot, Ilir Meta dhe lejtnantët e tij kanë lënë të kuptohet se LSI-ja do të futet më vete në zgjedhje, duke bërë koalicion vetëm me ndonjë parti të vogël si PDIU-ja apo edhe ndonjë tjetër.

Ilir Meta nuk shquhet si një lexues i madh librash– si Sali Berisha, për shembull. Ilir Meta nuk shquhet për një penë të fortë – si Edi Rama, për shembull. Ilir Meta nuk shquhet për jetesë modeste – si dikur Eduard Selami, për shembull (fatkeqsisht, është vështirë të gjesh sot shembuj politikanësh që bëjnë jetë modeste). Por një gjë nuk mund t’i mohohet Ilir Metës – nuhatja e zhvilluar politike.

Duket se pikërisht nuhatja e zhvilluar politike po i tregon atij se varka e Berishës është drejt mbytjes, ndërkohë që varka e Ramës mund të mos dalë dot e vetme në breg pas 23 qershorit. Sondazhet e publikuara deri më sot sugjerojnë se koalicioni i Berishës, pa LSI-në, arrin në rastin më të mirë në kuotën e 35 pikëve. Ndërkohë, koalicioni i Ramës, në qoftë se bashkohet me AK-në (FRD-ja është e prerë në mëvehtësinë e saj), vërtitet në kuotën e 50-përqindëshit.

Me sa di unë, Ilir Meta, ashtu si Rama dhe Berisha, ka zhvilluar një sondazh privat, i cili, siç duket nga qëndrimi publik i LSI-së, do të ketë dhënë pak a shumë të njëjtën tablo elektorale që paraqesin sondazhet e publikuara. Dhe për ambiciet afatgjata të Metës do të ishte vdekjeprurëse futja në zgjedhje si pjesë e koalicionit të Berishës, kur ky koalicion rrezikon që, edhe me ndihmën bujare të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, të dalë humbës. Këta të fundit mund të ndihmojnë kur diferenca në një qark është 10 vota, por jo kur është 10 mijë vota…

Nga ana tjetër, Ilir Meta duket se llogarit që, edhe në qoftë se AK-ja i bashkohet koalicionit të Ramës, ky koalicion nuk do të arrijë të sigurojë 71 mandatet e domosdoshme për të krijuar qeverinë. Dhe në një rast të tillë do të mbërrinte për ndihmë varka LSI-PDIU, e cila, me mandatet e saj “të florinjta”, do ta nxirrte koalicionin e Ramës në bregun qeverisës. Siç bëri katër vjet më parë me koalicionin e Berishës…

Por a mund ta pranojë “populli opozitar” ndihmën e Metës dhe Idrizit në një rast të tillë? Në qoftë se nuk e pranon ai, e pranon populli tjetër – “populli mazhoritar”. Siç bëri katër vjet më parë…

Kjo analizë e shkurtër e bastit politik që duket se po vë Meta bazohet në atë çfarë shihet mbi ujë. Por deri më sot Meta, përveçse për baste të forta politike, është shquar edhe për blofe të forta politike. Pra, dhënia e idesë për futje më vete të LSI-së në zgjedhje mund të jetë edhe një blof i Metës, për të ushtruar trysni ndaj Berishës para krijimit të koalicionit parazgjedhor nga ky i fundit. Është e vështirë të parashikosh se ç’do të bëjë “pokeristi” Meta…