Rama: Gati të zgjedhim presidentin me Berishën. Në 2013-ën fitojmë edhe pa LSI

0
47

TemA, 5 Qershor 2012

Kryetari i PS thotë se ata do japin konsensus nëse zgjerohet gama e propozimeve. Rama tha se Zaganjori nuk e garanton konsensusin. Ai shtoi se në zgjedhjet e vitit 2013 fitojnë pa LSI. Megjithatë Rama tha se nëse LSI braktis anijen e qeverisë, atëherë mund të ndryshojnë kushtet për bashkëpunim. Rama zotohet: Sa të jem gjallë do kërkoj zbardhjen e 21 janarit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur për Ilva Taren në emisionin “Tonight” në Ora News, tha se është në pritje për tu ulur në tryezë për të zgjidhur çështjen e presidentit.

“Gjërat janë shumë të qarta dhe ne thjesht jemi në pritje në çdo moment të ulemi në tryezë për t’i dhënë zgjidhej kësaj çështje. Janë të gjitha kushtet për t’i dhënë zgjidhje, është vërtet gjynah që mos t’i jepet zgjidhje. Këtu ka lidhje me zgjidhjen, kjo nuk është beteja jonë, kjo nuk është një betejë mes palëve. Ky është moment historik sepse humbja për herë të tretë e statusit do ishte një turp i pashlyeshëm i këtij vendi. Ne nuk e dimë çfarë Europë kemi vitin tjetër dhe duhet të nxitojmë për të qenë pjese e Europës,” tha Rama.

“Jemi gati ta japim konsensusin në rast se na krijohet hapësira duke zgjeruar gamën e propozimeve. Nuk mund të japim konsensus për ketë kandidat. Kjo është e mbyllur dhe uroj që qeveria të reflektojë sepse mes konsensusit dhe Zaganjorit nuk asnjë dyshim që duhet zgjedhur konsensusin. Sepse ai na jep mundësinë që ne t’i drejtohemi Brukselit për marrjen e statusit,” vijoi kreu i PS.

I pyetur nëse ky refuzim vjen për një kapriço apo ego personale sepse emri i Zaganjorit doli para takimit mes tij dhe Berishës, Rama e mohoi këtë duke shtuar se edhe nëse do të “ishim takuar më parë jo, nuk do të ishte kandidat Zaganjori”.

Rama tha se gjatë takimit me Kryeministrit Berisha zhvilluar pak ditë më parë në Kryesinë e Kuvendit, dy krerët e partive më të mëdha në vend i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit, por thjesht kamerat nuk ishin prezent. Pyetjes nëse ishte në siklet gjatë ai iu përgjigj me një “absolutisht jo”.

“Është normale që në një proces që është ende i hapur të mos ketë zbardhje për median – tha ai duke iu referuar takimit me Berishën – për t’i dhënë deri në fund shans zgjidhjes. Nuk janë biseduar gjëra sekrete, qëndrimet janë të njohura publikisht. Janë bërë përpjekjet për të gjetur te pala tjetër një pikëtakim”, tha Rama. Ai pohoi se nuk ka biseduar për emra me Kryeministrin.

Edi Rama ka vlerësuar rolin e Metës në kërkim të konsensusit.

“Opinioni im për kontributin e kryetarit të LSI në rast se ai voton presidentin me 71 vota nuk ndryshon. Ai luajti një rol të çmuar për të ndihmuar në spostimin e shumicës nga llogorja ku shumica qëndroi një vit rresht dhe ku gjithë Shqipëria shikonte hijen e Topallit,” tha Rama, i cili shtoi megjithatë se Meta e ka ulur ritmin këto ditë.

“Më duket se dy- tre ditët e fundit Ilir Meta e ka ridimensionuar rolin. Desha të them se e ka ulur tempin e aksionit në kërkim të konsensusit.”

Rama tha se ata do fitojnë në zgjedhjet e vitit 2013 pa LSI.

“Nuk e kam larguar Metën drejt Berishës, por nuk kishte rrethanë në vitin 2009 për koalicion. Në 2009-ën i fituam zgjedhjet. Fakti që u vodhën, nuk ka lidhje me të vërtetën e madhe që Shqipëria nuk ka bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Zgjedhjet i fitojmë në vitin 2013 pa Ilir Metën, pa asnjë dyshim. Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme nuk kushtëzohet nga ajo që do bëjë LSI, por nga një reformë zgjedhore,” tha Rama.

I pyetur nëse do ndryshojë qëndrim kur të afrojnë zgjedhjet, Rama tha: “Nëse LSI do braktisë anijen e pushtetit dhe do kalojë në opozitë sigurisht që ne mund të ndryshojnë kushtet për bashkëpunim.”

Disa herë Rama është pyetur për takimin e tij me Metën. Rama ka ripërsëritur qëndrimin e tij, por është zotuar se sa të jetë gjallë do kërkojë të zbardhet tragjedia e 21 janarit.

“Jam betuar se sa të kem frymë do kërkoj që të zbardhet deri në fund tragjedia e 21 janarit. Ky është një krim shtetëror dhe për këtë duhet të përgjigjen ata që qëlluan dhe ata që urdhëruan,” tha Rama.

I pyetur për takimin me Nanon dhe kërcënimet e tij, Rama tha: “Me Nanon kam biseduar ato që kam shkruar në deklaratën për shtyp. Kjo nuk është beteja e Partisë Socialiste, nuk jemi këtu për të zgjidhur hallet e PS. Jemi këtu për t’i dhënë vendit një proces konsensual. Kushtet për konsensus nuk janë.”

“Në rast se ndokush mendon se kush fiton një garë votash në një rendje drejt asgjëse për të nxjerrë një president të njëanshëm, ka fituar, e vërteta është se i ka dhënë kandidimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat një goditje se shumë vështirë mund të riparohet.”