Simbiozë e rrezikshme

0
42

Vangjush Saro, 11.11.2009

Përpara disa vitesh, një ndër ngjarjet politike që tërhoqi vëmendjen e të gjitha mediave evropiane, ishte protesta e qytetarëve të Budapestit kundër Kryeministrit të atëhershëm Gurchcaniy -i.

Në një shkrim me titullin “Hungaria e Brishtë”, gazeta e njohur franceze “Le Monde” paralajmëronte se vendi ndodhej përballë kohërave të vështira, pas pranimit nga ana e kryeministrit se ai ka gënjyer votuesit në mënyrë që të qëndrojë në pushtet.

Gazeta thoshte gjithashtu se nuk do të ishte ndonjë tragjedi e madhe në këtë vend evropiano-lindor në qoftë se zoti Gurchcaniy -i detyrohej të jepte dorëheqje pas zgjedhjeve lokale, etj. Në fakt, kryeministri bëri autokritikë për atë çka ishte e tepruar në diskutimin e tij partiak. Megjithatë, për ditë të tëra, vetëm për kaq gjë, Budapesti u gdhi dhe u ngrys në demonstrata.

Duke e sjellë atë rast te ne, nuk mund të mos trishtohesh kur kujton sa shumë gjëra janë “gëlltitur” nga ne qytetarët e Shqipërisë dhe të Tiranës: gënjeshtra, premtime të pa mbajtura, mungesë transparence, nepotizëm, shpërblime fanatikësh, abuzim me pronat, tallje me paratë e taksapaguesve, etj.

Duket një temë mjaft e gjerë, por përmbledhtas kemi të bëjmë thjesht me shpërfytyrimin e raportit me qytetarët. Politika dhe administrata në Shqipëri, pjesërisht, nuk kanë fijen e respektit për ta. Gënjeshtra dhe informaliteti janë ngritur në kult dhe demagogjia po e mbyt vendin. Po sjellim vetëm disa argumente në këtë temë.

Është deklamuar me të madhe në mandatin e shkuar se Ultësira Veriperëndimore ka shpëtuar njëherë e mirë nga përmbytja, por nuk është kështu. Gjatë këtyre ditëve, kemi parë se përmbytja u përsërit, madje në përmasa më të frikshme. Megjithatë, askush nuk përgjigjet për këtë. Ka vetëm deklarata të thata, që nuk arrijnë të zbulojnë as thelbin e çështjes.

Ja edhe një tjetër argument. Është folur me tone tejet optimiste për rritjen e pagave, gjithandej. Por disa media këto ditë kanë hedhur dyshime se rritja e pagave (për sektorin buxhetor) gjatë periudhës 2005-2009 mund të jetë më e vogël se ajo në periudhën 2001-2005.

(Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shtojnë ato, për periudhën 2001-2005 rritja kumulative e pagës mesatare në sektorin shtetëror ishte në terma nominalë 76 për qind, ndërsa në intervalin 2005-2009 rritja e pagës në total ka qenë vetëm 50 për qind.) Por ka edhe mënyra të tjera, për të vënë në dyshim treguesit demagogjikë.

Kështu, po vërehet njëlloj ekspansioni ndaj nga ana e kompanive që sapo kanë privatizuar ndërmarrjet e mëdha shtetërore. Telekomi e çoi taksën mujore të shërbimit nga 200 në 350 lekë, në daç flet në daç nuk flet. Pra, kemi të bëjmë pothuaj me një dyfishim të kësaj takse.

Nga ana tjetër, OSSH po përpiqet të diktojë një ngritje çmimi prej rreth 25 për qind të energjisë elektrike. Më tej, nëpër klinika e spitale po kalohet nga pagesat simbolike në zhvatje haptazi të të sëmurëve (pa llogaritur çka jepet nën dorë).

Pasojat e rritjes së akcizave për disa mallra si duhani e karburantet, gjithashtu përplasen mbi konsumatorin e pambrojtur. Për këto nuk ka asnjëherë ndonjë përgjigje a justifikim, përkundrazi, qeveria dhe lobet pranë saj kërkojnë me çdo kusht vetëm lajmi rozë.

Përgjigje nuk ka asnjëherë edhe për atë që qeverisja është e paangazhuar me problematikat sociale. Varfëria po godet fort e më fort shtresat e pambrojtura dhe të gënjyera nga politika.

Çdo ditë ka lajme për ura që janë premtuar, por që mungojnë, dhe për banorë që varen nëpër litarë; për shkolla a kopshte që nuk hapen dhe ku mungon uji e drita; për familje në varfëri të skajshme, për të cilat kujtohet rrallë e tek ndonjë gazetë a televizion. Nëpër rrugët e qyteteve shqiptare, janë shtuar shumë të mjerët, vagabondët, lypësit.

Publiku i gjerë ka lënë mendjen këto ditë teksa shikonte korridoret e spitalit qendror të Tiranës plot me shtretër, një pjesë të sjellë nga vetë pacientët. Tre ministra janë ndërruar në këtë sektor në katër vitet e fundit, gjendja është po ajo. Raporti me qytetarin pra, paraqitet krejt i shpërfillur.

Por më e keqja është se duket e vështirë që qeverisja aktuale të bëjë ndonjë korrigjim; është po ajo që dirigjoi Gërdecin dhe që përuroi atë tunelin e Kalimashit vetëm për të shitur mend e për të marrë vota, ndërkohë që u dashkan edhe shumë e shumë miliona të tjera për t’u rivënë në punë e për t’u përuruar edhe njëherë (!)

Njëlloj argumenti i tjetërsimit të raporteve me qytetarin, është edhe vetë prapambetja urbane. Edhe pas 20 vitesh, treguesi i raportit qytet-fshat, përndryshe urbanizimi i vendit, mbetet më i ulëti në rajon. Shqipëria ka aktualisht vetëm 47 % të popullsisë në zona urbane; Serbia e ka këtë tregues 52 %; Mali i Zi 60 %; Maqedonia 67 % dhe Bullgaria 71 %.

Nuk dimë edhe sa kohë do të vazhdojnë problemet e mëdha me pronat dhe legalizimet, në radhë të parë për shkak të vjedhjes masive të pronarëve të vërtetë dhe të mashtrimit (disa herë) të të ardhurve nga zonat e vështira të vendit. Shteti sot merr përsipër të shesë prona që krejt sipas normave demokratike mund t’ua kthente pronarëve (!)

Për këto dhe për shumë probleme të tjera të ngjashme, Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij nuk kanë reaguar me seriozitet.

Por është e trishtueshme ndërkaq, që në kushtet e shkatërrimit të lëvizjes dhe institucioneve sindikale e studentore, edhe ndjeshmëria qytetare ka qenë dhe mbetet e papërfillshme. (Kjo bën që edhe disa nga aksionet e opozitës të paragjykohen.)

Duke qenë kundër çdolloj revolucioni të stisur, mund të themi në të njëjtën kohë se edhe kjo simbiozë është tejet e rrezikshme. Vështirë të ndihmohet ky vend dhe politika e tij e mbrapshtë me këtë heshtje pajtuese, si asnjëherë dhe si askund.