Strasburgu, çfarë ndodhi?

0
63

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 26.06.2010

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Popullore në Parlamentin Europian, zotin Jozef Daul, u pyet në Tiranë nga shtypi vendas pse dështuan bisedimet e tij me zotin Berisha dhe zotin Rama.

Ai, sipas gazetës “Shekulli” dha këtë përgjigje: “Ne kemi bërë një takim, ku secili u shpreh dhe në vendosëm së bashku për çështjet që janë të rëndësishme për demokracinë; njohjen e qeverisë, njohjen dhe respektimin e kushtetutës, si dhe që opozita të punojë në gjirin e parlamentit. Kjo është respektuar. Ne donim të shkonim më larg dhe të fillonim: Hapni kutitë, mbyllni kutitë. Ne nuk mund të arrinim këtu…”.

Duke e marrë kështu siç është, përgjigja e mësipërme është shqetësuese në shumë pikëpamje dhe sidomos për të ardhmen e krizës politike shqiptare.

Jozef Daul

Në pjesën e parë të saj, kjo përgjigje i bën jehonë të plotë, madje konfirmon pa takt pikëpamjen e krahut qeveritar dhe euroskeptikëve në gjirin e opozitës se takimi i Strasburgut i datës 14 maj u thirr para së gjithash për të ndaluar protestat opozitare dhe grevën e urisë, për t’ia hedhur Edi Ramës, për ta marrë kalanë e protestave me diplomaci, për të zbutur e kastruar nervin opozitar për kauzën e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit, për ta arkivuar këtë kauzë në pamundësinë e realizimit të saj etj., etj.

Të gjithë këto i kemi dëgjuar e lexuar me dhjetëra herë qëkurse u ngrit çadra e grevistëve, natyrisht të thëna jo krejt kështu siç i paraqes unë, por me fjalë me të rënda.

Nuk kemi dashur ta besojmë dhe duhet të kesh ndonjë dërrasë mangët të mendosh se dy politikanë që flasin në emër të Parlamentit Europian, si Daul dhje Shulz, të organizojnë një darkë djallëzore për të mashtruar shefin e opozitës.

Mos jemi gabuar? Si mijëra e mijëra shqiptarë, nuk e njoh staturën politike të zotit Daul. Zakonisht deputetët dhe drejtuesit e Parlamentit Europian njihen më pak se deputetët dhe drejtuesit e parlamenteve nacionale. Ata, në përgjithësi, nuk vinë nga listat e para të partive. Por përtej emrave që përfaqësojnë institucionet e ndryshme europiane, ne shohim dhe respektojmë Europën.

Emrat mund të mos na thonë asgjë, por Europa është ëndrra jonë. Prandaj, nuk mund të them se kemi gabuar, kur kemi besuar në ndërmjetësimin e saj. Në kontekstin që paraqita më lart, përgjigja e zotit Daul tingëllon si dekonspirimi i një plani që u është mbajtur i fshehtë Ramës, opozitës dhe protestuesve.

(Askush nuk do të shkonte në Strasburg dhe protestat nuk do të ndaleshin sikur opozita do të ishte ftuar për të “njohur qeverinë dhe kushtetutën”, duke lenë në shesh mbi njëqindmijë protestues).

Tingëllon, por nuk është dekonspirim për arsyen e thjeshtë se nuk ka pasur e nuk mund të ketë pasur një plan të tillë. Unë mendoj se zoti Daul, teksa i ka qëlluar të vijë në Tiranë si i dështuari në vendin e dështimit për sa i përket rolit që mori si ndërmjetësues për zgjidhjen e krizës, thjesht ka dashur të pohojë diçka pozitive nga përpjekjet e tij, po pa e llogaritur efektin e fjalëve.

Po ta kishte njohur pak më mirë Shqipërinë, sigurisht do t’i kishte menduar më mirë fjalët, jo vetëm për të mos lënduar e venë në pozitë të vështirë Edi Ramën para mijëra e mijëra
protestuesve që e kanë ndjekur prej muajsh në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë, por para së gjithash për të qenë edhe i saktë dhe korrekt në kumtimet e tij.

Në Shqipëri e dinë të gjithë se opozita e ka njohur qeverinë qëkurse ka njohur rezultatin e zgjedhjeve. Në Strasburg nuk mund të kishte të reja në këtë pikë.

E njëjta gjë edhe për kushtetutën. Kjo opozitë, që ka edhe autorësinë e miratimit të kushtetutës së Shqipërisë, kur ka qenë në pushtet, ka kërkuar e kërkon hetim në bazë të kushtetutës. Jo kërkesa, por refuzimi i hetimit është antikushtetues.

E reja që solli Strasburgu ishte përfshirja aktive e deputetëve të PS-së në komisionet parlamentare dhe gatishmëria e Ramës për të firmosur një marrëveshje të ofruar nga ndërkombëtarët.

Janë të vetmet pika që u “zbardhin faqen” dy ndërmjetësuesve të parlamentit europian, pra edhe zotit Daul, për çfarë opozita dhe shefi i saj do të meritonin minimumi një falënderim. E djathta franceze, qoftë ajo fisnike e stampës Baladyr, qoftë ajo rurale e stampës Shirak, e ka në traditë mirësjelljen dhe kortezinë.

Çfarë do të tregonte në Tiranë eurodeputeti nga Alzasa po të mos ishte treguar e hapur, çiltër dhe bashkëpunuese opozita shqiptare dhe lideri i saj? Asgjë. Këtë mund ta kuptojmë fare mirë, duke lexuar pjesën e dytë të përgjigjes së tij për dështimin e negociatave. Ai thotë “ne do të donim të shkonim më larg dhe të fillonim: hapni kutitë, mbyllni kutitë”.

Më tej, ai thotë se nuk ka pasur një draft, por ka pasur “një dokument, që është diskutuar nga teknicienët tanë, nga sekretarët tanë të përgjithshëm”. Në një intervistë live edhe politikanët me shumë përvojë qëllon të kenë ndërprerje të mendimit, kapërcime logjike. Po të shtojmë këtu gabimet e përkthimit apo edhe dashjen e politikanëve në rrethana të caktuara për t’u fshehur prapa paqartësisë, fjalët e tyre në këtë rast duken si një e folur përçart.

Nga intervista plot kapërcime e zotit Daul botuar te gazeta “Shekulli” mund të kuptojmë megjithatë këto gjëra: E para, ai nuk dëshiron të thotë gjëra që nuk i pëlqejnë mikpritësit që ka në krah, prandaj i le shpjegimet përgjysmë, pikërisht aty ku është interesi kryesor i publikut shqiptar; pse nuk shkuat larg, pse nuk u pranua dokumenti i teknicienëve? E dyta, Rama ka dëgjuar në lidhje me ato që kanë dashur e pretenduar Daul e Shultz prej tij.

Kurse Berisha nuk i ka dëgjuar, nuk u ka hapur rrugë. Po të flasim me gjuhën sportive që është në modë edhe në politikën e cekët të Tiranës, Berisha ka mundur europianët dhe jo opozitën e tij në Strasburg. Sado që e treguar nga Daul, herë e tepruar e herë duke kafshuar buzët, kjo duket se është e vërteta e thjeshtë e negociatave njëmujore Strasburg-Tiranë.

Së treti, duke komplementuar palën që nuk ka bërë asnjë hap para për arritjen e marrëveshjes dhe duke e konsideruar dështimin pjesë të dialektikës së demokracisë, zoti Daul sigurisht që e përjashton veten nga roli i mëtejshëm i ndërmjetësit për krizën shqiptare. Por, ajo që është e re dhe e rëndësishme në ketë sjellje ka të bëjë me raportin e ri që krijon kryeministri me Europën.

Berisha e ka dhënë edhe më parë dhe na jep përsëri shembullin e refuzimit të përfaqësuesve europianë pa u qortuar prej tyre, madje duke u lavdëruar nga ndonjëri prej tyre. Ky është një raport që do të ketë ndikime të forta në ecurinë e lëvizjes opozitare për transparencën e zgjedhjeve.

Të gjithë e dinë se brenda opozitës ekziston një korrent i fortë që respekton parimet, frymën dhe konstitucionin demokratik të Europës, por nuk e sheh të lidhur çështjen e transparencës me ndihmën që mund të na japin europianët.

Ky korrent ka qenë që në fillim skeptik për Strasburgun, nuk ka dashur “t’i fusë ujë rakisë”, e ka parë hetimin e kutive si një sprovë të demokracisë dhe qytetarisë shqiptare përballë qeverisë shqiptare dhe kaq.

Dështimi në këtë formë i bisedimeve u jep të drejtë, shpresoj jo përgjithmonë, atyre që mendojnë se në Europën e sotme nuk ka kush turpërohet kur ushtarët apo politikanët e saj sfidohen e poshtërohen në cepat më të humbura të kontinentit dhe botës. Këto që po themi do të përcaktojnë konfigurimin e ri të lëvizjes opozitare në fazën e saj të re.

Në këtë periudhë, meqenëse zoti Daul e dha shembullin i pari në Tiranë, është e nevojshme që negociatat njëmujore të Strasburgut me Tiranën t’i tregohen qartë publikut shqiptar. Zoti Shulz, homologu i zotit Daul dhe bashkëkryetari i takimit të Strasburgut është thirrur në kauzë të tregojë të vërtetën e tij.

Personazhet e tjerë duhet të tregojnë të vërtetën e tyre. Për momentin, të mpirë nga ajo që dëgjuam pardje, kemi marrë një mesazh që s’duam ta besojmë: Shqipëria mund t’i numërojë keq dhe shumë keq votat në një të tretën e qendrave të numërimit, Shqipëria mund të fusë vota me grushte në emër të emigrantëve si në Ruzhdije, Shqipëria mund të shtojë qindra mijëra vota me stilolaps, siç është vërtetuar nga leximi i filmimeve në qarkun e Shkodrës e megjithatë, Shqipëria nuk mund t’i hapë kutitë. Por edhe po të besohet, ky mesazh ogurzi nuk mund të pranohet.