T E F A – humoristi dhe karikaturisti shkodran

0
44

( Kujtime për karikaturistin dhe humoristin shkodran Shtjefën Palushi )

Humoristi dhe karikaturisti i paharruar TEFË PALUSHI

Karikatura shqiptare dhe humori shkodran do të ishin të mangëta pa personalitetin krijues dhe gjenialitetin improvizues të Tefë Palushit. Kam qenë ende tepër i ri kur shikoja në faqet e revistës “Hosteni” karikaturat mjaft të bukura e domethënëse, me humor e ironi të mprehtë, të cilat mbanin në fund firmën “Tefa”. Pasi mbarova studimet, u emërova në Shkodër dhe një ndër njerëzit e parë që njoha ishte pikërisht Tefe Palushi.

Gazeta jonë kishte në faqen e fundit një rubrikë te titulluar “Këndi humoristik”, e cila në raste të Vitit tëRi e festash të veçanta zinte edhe tërë faqen. Një nga bashkëpunëtorët e parë (madje që në numrin e parë të gazetës “Jeta e re” e më i rregullti derisa u nda nga jeta, ishte pikërisht Tefë Palushi. Mijëra karikatura, njëra më e bukur se tjetra më ka qëlluar të botoj në atë rubrikë gjatë 16 viteve që punova në atë gazetë. E të tëra ishin krijime te mrekullueshme të Tefës. Më vonë edhe vëllai i tij, Paulini, u bë bashkëpunëtori ynë në fushën e karikaturës e të fotografisë. Ndërkohë Tefa si karikaturist ishte i shumëkërkuar edhe në organe të tjera te shtypit shqiptar, si “Hosteni”, “Drita”,”Ylli”, “Nëntori” e të tjera. Të tërë e kishin për nder ta kishin Tefën bashkëpunetor, i cili ishte kurdoherë tepër kërkues ndaj vetes për cilësinë e krijimeve dhe sillte gjithmonë diçka të re e origjinale.

Kur e takova Tefën për herë të parë, mbeta i befasuar. M’u duk sikur shkodranët po më bënin një shaka, kur më thanë që personi që kisha përballë ishte Tefa. Me një handikap shumë të avancuar, ai mezi ecte rrugës e të dukej sikur nga çasti në çast do të binte. Kishte vështirësi në artikulimin e fjalëve aq sa të vinte keq tek e shikoje sa sforcohej. Duart i dridheshin papushim sa të dukej sikur çdo objekt që mbante në dorë do t’i binte. Por, si për çudi, sapo mbështeste bërrylin në tavolinë, dora e tij nuk dridhej më dhe ishte e aftë ta hiqte vijën aq të drejtë sa nuk kishte vizore që t’ja kalonte. Po kështu edhe vijat e lakuara i bënte më mirë se me kompas.

Por forca e tij e vërtetë qëndronte në idetë që i vinin në kokë dhe tek origjinaliteti i paraqitjes së tyre me humor nëpërmjet karikaturës. Edhe stili i të vizatuarit ishte aq origjinal, sa edhe sikur të mos e vinte firmën në fund të krijimit, kuptohej që ishte dora e Tefës. Individualiteti i tij artistik ishte jashtëzakonisht i spikatur dhe i veçantë. Ai kishte stilin e tij që s’mund të ngatërrohej, barazohej apo krahasohej me askënd tjeter. Padyshim mbetet një nga karikaturistët më të mëdhenj të artit shqiptar (në mos më i madhi, por këtë s’më takon mua ta them).

Tefa ishte i shquar edhe për humorin e tij në tavolinë, për batutat përherë të gatshme e befasuese, me një elegancë të pashoqe, si dhe për shumë barceleta kryevepra që i bëjnë nder humorit shkodran. Na qëllonte te uleshim shpesh herë në ish-klubin e shkrimtarëve në Shkodër. Tefës i pëlqente të pinte një gotë raki apo verë, pa e tepruar kurrë. Askush nuk mund të thote se e ka parë Tefën të dehur, qoftë edhe një herë të vetme. Kudo që hynte ai, në klubin e shkrimtarëve, në Kafen e Madhe, në turizmi etj.

Ai pritej me gëzim jo vetëm nga kamerierët, por edhe nga njerëzit e tjerë që ishin në lokal, që e shoqëronin me buzëqeshje simpatie derisa ulej e tërë kohës që rrinte në lokal. Aty në tavolinë me miq e kolegë, Tefa tregonte talentin e tij si bashkëbisedues i këndshëm, plot humor e batuta të papritura që na bënin ta mbushnim sallën me të qeshura. Rreth tavolinës ishim shpesh bashkë edhe me shkrimtarin e dramaturgun Fadil Kraja, shkrimtarin humorist Paulin Selimi, gazetarët Sandër Curri e Paulin Shtjefni etj.

Në një nga këto mbrëmje ai u nxit e na bëri një karikaturë miqësore si çift mua dhe Zhanit, të cilën e ruajmë edhe sot me xhelozi ne arkivin familjar. Kishte raste që nga lokali spostoheshim ashtu si grup në shtëpinë tonë, ku pihej ndonjë gotë raki, luhej shah e shakatë vazhdonin shpesh deri në orët e para të mëngjesit. E epiqendra e humorit, prushi i tij i pashuar, ishte përherë Tefa.

Po shkruaj këtu nja dy batuta të këndshme të Tefës:

Kishte raste që në tavolinën e Tefës uleshin shumë njerëz, midis të cilëve kishte edhe nga ata që përfitonin nga bujaria i tij. Tefa u porosiste nga një gotë e në fund paguante gjithnjë ai. Por shpejt e kuptoi që disa nga ata ishin tipa që i binin qylit. Një mbrëmje vajti ai në tavolinën e tyre e priti si do të silleshin. Asnjëri nuk porositi, por pinin vetëm cigare e prisnin të porosiste Tefa. Edhe ai u fut në lojën e tyre e nuk porosiste gjë, vetëm asistonte në pirjen e cigareve. Dikur, pasi u mërzit, u ngrit nga vendi dhe ju drejtua të pranishmeve: Kur do të mblidhemi ndonjë natë tjetër që të pimë cigare?

Një rast tjetër. Tefa ishte në Tiranë me grupin e delegatëve shkodranë në kongresin e shkrimtarëve e artistëve. Tek holli i hotelit, dikush, për të ngacmuar Tefën i thotë:

Me kë dëshiron të të vemë në dhomë për të fjetur, me Tinka Kurtin apo me Fadil Krajën?

Dhe Tefa përgjigjet: Po qe puna për të fjetur, më mirë me Fadilin.

Në ato kohë kishte njerëz që krijonin edhe barcaleta (të konsideruara reaksionare) që i përhapnin duke thënë se i ka krijuar Tefa. Ky ishte një spekullim në emrin e tij që kishte një popullaritet të jashtëzakonshëm në mbarë vendin. Tefa bëhej nervoz dhe nervozizmin e tij e shprehte jo aq në faktin që ato barcaleta mund t’i nxirrnin telashe, por sepse ato nuk kishin brenda art. Sapo i dëgjonte Tefa, thoshte: “Do ta pranoja si timen, por kjo barcaletë nuk është as e bukur”. Pra, edhe në raste të tilla ai ishte ekzigjent i cilësisë së humorit. Nuk e pranonte dhe nuk e gëlltiste humorin për humor apo humorin bajat.

NDUE LAZRI
Dërgoi për publikim: Gjin Musa