Maklen Misha, 26.06.2010
Askush tjetër në Shqipëri, gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, nuk ka folur aq shumë kundër korrupsionit sa Sali Berisha. Qoftë gjatë presidencës së tij, qoftë gjatë viteve të gjata në opozitë, lufta kundër korrupsionit ka qenë një ndër kryefjalët e retorikës së tij politike. Në vitin 2005, premtimi i një qeverie me “duar të pastra” ishte padyshim një nga arsyet kryesore që çuan në fitoren e Partisë Demokratike dhe rikthimin e tij në pushtet. Të njëjtën retorikë anti-korrupsion zoti Berisha e ka vazhduar edhe në rolin e tij si Kryeministër. Por ndonëse zelli dhe furia me të cilët përbetohet se do ta luftojë e çrrënjosë korrupsionin nuk janë zbehur asfare, Kryeministri e ka shumë të vështirë, në mos të pamundur, të tregojë ndonjë rezultat konkret të kësaj lufte.
Natyrisht, qeveritë shqiptare të viteve të tranzicionit janë mësuar të bashkëjetojnë me idenë se një pjesë e madhe e popullit që qeverisin i sheh ato si të korruptuara. Dhe me ç’duket, as qeveria Berisha nuk mendon se kostoja e perceptimit si e korruptuar nga elektorati është e atillë sa të justifikojë marrjen e njëmendtë të masave për të parandaluar apo më së paku për ta reduktuar korrupsionin. Ajo që ka ndryshuar është fakti se kohët e fundit është shtuar ndjeshëm presioni nga ndërkombëtarët për të treguar arritje konkrete në luftën kundër korrupsionit – kujtoni se ky është një ndër tri kriteret që mbeten për t’u plotësuar për liberalizimin e regjimit të vizave – prandaj zotit Berisha i duhet, të paktën sa për sy e faqe, të tregojë se është i përkushtuar seriozisht në luftën kundër këtij fenomeni. Por si mund ta bëjë ai këtë?
Siç u përmend më lart, metoda e preferuar e zotit Berisha për t’ i treguar publikut shqiptar e ndërkombëtar se ia ka bërë benë korrupsionit, ka qenë përdorimi i një retorike abstrakte anti-korrupsion, e cila nuk është shoqëruar kurrë me marrjen e masave konkrete për të çuar përpara drejtësisë zyrtarët e përfolur për përfshirje në afera korruptive. Por sot kjo metodë ka pak gjasa t’ia mbushë mendjen ndokujt. Në fund të fundit, pas pesë vjetësh qeverisje, gjatë të cilave nuk ke shënuar asnjë arritje reale në luftën kundër korrupsionit, premtimet publike se “qeveria ime zotohet se do të luftojë me vendosmëri korrupsionin”, janë po aq të besueshme, saç do të ishte e besueshme po të premtoje se që sot e tutje ke vendosur të bëhesh i virgjër.
Një metodë tjetër e përdorur nga zoti Berisha gjatë këtyre viteve, e cila po ashtu ka pak gjasa të funksionojë këtë herë, është kalimi i ligjeve kundër korrupsionit, si një mënyrë për të treguar kësisoj se sa seriozisht e ka marrë qeveria këtë luftë. Por, edhe nëse e lëmë mënjanë faktin se për shkak të krizës politike qeveria është shumë e kufizuar në nismat ligjore që mund të ndërmarrë, situata nuk do të ndryshonte aspak sikur zoti Berisha dhe mazhoranca të miratonin brenda ditës ligjet më të ashpra anti-korrupsion të kësaj bote. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se në Shqipëri problemi nuk qëndron te mungesa e ligjeve, por te moszbatimi i tyre. Sepse, për shembull, s’ishte mungesa e ligjit ajo që e bëri qeverinë Berisha të refuzonte me shumë ngulm të dorëzonte imunitetin e ministrave të akuzuar për disa nga aferat më të bujshme korruptive.
Në fakt, e vetmja mënyrë që i ka mbetur zotit Berisha për të treguar në një kohë kaq të shkurtër, se ka vullnetin për të luftuar korrupsionin, është ndërmarrja e veprimeve konkrete, duke çuar përpara drejtësisë një sërë zyrtarësh të lartë fajtorë për këtë krim. Ky po do të ishte një rezultat konkret. Por a është ai në gjendje ta bëjë këtë? Kë do të çojë vallë Sali Berisha përpara drejtësisë? Sepse nëse kemi parasysh situatën tejet të polarizuar politike, Kryeministri nuk mund të prekë përfaqësuesit e opozitës, edhe sikur këta të jenë realisht të korruptuar deri në palcë. Kjo do të interpretohej si një sulm politik ndaj kundërshtarit. Për të mos folur pastaj për faktin se testi vendimtar që duhet të kalojë një qeveri për të na bindur për përkushtimin e saj ndaj luftës kundër korrupsionit, është nxjerrja përpara drejtësisë e të vetëve.
Por edhe kur vjen puna tek arrestimi i të vetëve, situata për zotin Berisha është mjaft më e komplikuar se ç’mund të duket në pamje të parë. Për shembull, me të deklaruar Bashkimi Europian se lufta kundër korrupsionit ishte një ndër kriteret që i mbeten për të plotësuar Shqipërisë për të fituar liberalizimin e vizave, policia u vu menjëherë në lëvizje duke arrestuar ku një zëvendësdrejtor hipoteke e ku ndonjë polic trafiku apo kancelar gjykate. Por a mjafton arrestimi i njerëzve të tillë anonimë, të tipit “një bie, qindra ngrihen” për të dëshmuar se qeveria po lufton korrupsionin? A janë këto kurbane të luftës anti-korrupsion të qeverisë të një rangu mjaftueshëm të lartë për të rehabilituar reputacionin e saj, në një kohë që njerëzit e përfolur për aferat më të bujshme korruptive të këtyre 20 vjetëve të fundit janë ose pjesëtarë të qeverisë ose pjesëtarë të familjes së Kryeministrit?
Druaj se jo. Kryeministrit i nevojiten disa koka turku më të spikatura, që qëndrojnë më lart në hierarkinë politike të vendit dhe që janë më të afërt me Kryeministrin – biologjikisht apo politikisht – sesa ai kancelari anonim, mjeku që kërkon ryshfete apo polici i trafikut që të kërkon “kafenë” për mos të të gjobitur. Por fatkeqësisht, kjo është njëlloj sikur Sali Berisha të çojë përpara drejtësisë Sali Berishën, prandaj është e kotë të shpresojmë se Kryeministri do ta luftojë ndonjëherë korrupsionin.