Nga Mero Baze, 13 Qershor 2013
Në fillim ishte antiplumbi. Këmisha e tij e vërtetë me fije çeliku, që i ka kërrusur shpinën, tashmë e njohur dhe e verifikueshme në çdo kamerë, u bë objekt debati dhe ai akuzoi opozitën se po nxit dhunë mbi të. Pastaj erdhi debati mbi moshën. Fytyra e zvargur, humbja e drejtpeshimit në tubime, kapja tek podiumi, dhe gjumi që e zë shpesh në takime të mërzitshme, sidomos me të rinjtë, e frikësuan dhe reagoi pse i thoshin gjysh.
Tani doli një ish PD-ist në Klos, që i ka shkuar atje ku nuk mban më, dhe nuk ka as drojë të thotë se i ka shkuar në mendje të vrasë Sali Berishën. Nuk di sa i saktë është ky citim, por reagimi i Berishës është shumë i shpejtë. Sërish akuzon opozitën se po i kujton vdekjen. Në fakt vdekjen ia ka kujtuar një qytetar, ish- votues i tij, dhe nëse është e vërtetë, ai mund të shkojë e ta pyesë pse i ka shkuar në mendje kjo gjë.
Pra, duket se problemi i Sali Berishës ka kohë që nuk është më fushata, por beteja e tij me natyrën. Ai është i bindur se rreziku kryesor nuk është Edi Rama apo opozita, e cila mund ta çojë në shtëpi, por ideja se ai mund të vdesë. Në këto tre javë fushatë, gjithë tezat dhe akuzat e tij ndaj opozitës vërtiten ndaj mbrojtjes që ai i bën vetes për antiplumbin, debatin pse nuk duhet t’i thonë njerëzit gjysh dhe agresionin ndaj opozitës pse lejon që disa qytetarë të shprehen se u ka shkuar mendja deri dhe ta vrasin Sali Berishën.
E transformuar nga një fushatë shprese për të ardhmen e partisë së tij, në një fushatë mbrojtëse për jetëgjatësinë e tij fizike, fushata e Sali Berishës është më e pazakonta e historisë së tij politike. Në vitin 1997, kur ai hyri vërtet në një fushatë të dhunshme dhe të rrezikshme për jetën e tij, ai ishte shumë larg këtyre paranojave. Ai shmangu atentate reale dhe dhunë reale fizike deri me rrezik për jetën, por nuk bëri kurrë tezë të fushatës së tij frikën se do të vdiste apo do ta vrisnin. Dhe të mendosh se atëherë kish plot shqiptarë të zemëruar me të drejtë që donin ta vrisnin, e kupton se ka përballuar vërtet një fushatë historike.
Sot ky njeri nuk ka me shqiptarët problemet që kishte në vitin 1997. Shqiptarët janë vërtet të varfër dhe të pasigurt, por nuk janë të depresionuar dhe as në ndonjë histeri kolektive anarkie. Ata janë të qetë në shtëpitë e tyre dhe thjesht e kanë bezdi që ky njeri kërkon të diktojë jetën e tyre ende pas 22 vitesh. Ka plot prej tyre që kanë pësuar fatkeqësi nën qeverisjen e tij, siç janë 26 familjet e Gërdecit, apo familjet e viktimave të 21 Janarit, familjet e mbetura pa punë nga shkatërrimi i bizneseve kundërshtare të tij, apo monopolet e Familjes në çdo biznes në vend, por këto janë vatra zemërimi të veçuara. Shqipëria ka tendosur nervat dhe po shtrëngon dhëmbët deri në ikje të tij. Nuk ka premisa për luftë, për anarki apo zjarrvënie dhe kësisoj nuk ka arsye që Sali Berisha të jetojë kaq shumë me vdekjen sa po jeton.
Por e vërteta është se fushatën e tij po e dominon frika për jetën e tij dhe beteja për jetëgjatësinë e tij. Ai nuk pranon t’i thuash gjysh, edhe pse është një moshë fisnike, nuk pranon të heqë antiplumbin, edhe pse i është bërë legjendë, dhe mbi të gjitha nuk pranon as t’i shkojë dikujt në mendje se mund ta vrasë, pasi e bën këtë objekt të debatit publik. Në mos qoftë një roitje e pashpresë e tij, atëherë kemi të bëjmë me një strategji për t’u viktimizuar si një gjysh i rrezikuar dhe i pafuqishëm, që duan ta vrasin. I pafuqishëm për të përballuar fushatën dhe debatin mbi të ardhmen e vendit, po kërkon të prekë mbështetësit e vet duke bërë viktimën e rrezikuar nga mosha dhe armiqtë e vet.
Në mënyrë të pazakontë, ai e ka kthyer ekzistencën e tij fizike, si një lajtmotiv të fushatës së PD-së, a thua se shqiptarët përgjojnë në çdo dritare të vrasin Sali Berishën. Ecën me një super eskortë, vishet me antiplumb, sulmon opozitën pse i thotë gjysh, shpik ngjarje si ajo e Klosit dhe po mban peng fushatën e PD-së rreth ekzistencës së tij. Edhe pse mijëra shqiptarë nuk do të ndjeheshin shumë të dëshpëruar edhe sikur të ikte nga kjo botë, shumica e tyre thjesht duan të ikë nga pushteti. Por me sa duket ai e di më mirë se shqiptarët se çfarë ka bërë, dhe asaj që ne i themi ikje nga pushteti, ai i thotë vdekje.