Shqiptarçe flasin e vrasin

0
74

Nga Blerina Rugova Gaxha, 2 Qershor 2012

Tri ngjarjet e fundit kulturore “Made in Albania”, por me fitues kosovarë, e kanë hapur një debat të pistë në rrjetet sociale dhe na e kanë nxjerr para hundës dilemën nëse vërtet jemi Një. Ka shumë vite që prej se kosovarët janë hapur për vlerat kulturore, artistike dhe kombëtare të Shqipërisë, shpesh duke paguar edhe çmim të lartë për këtë. Kosova i ka hapur portat për botën e artit, edhe për politikën, edhe për televizionet shqiptare… Pothuajse gjithmonë gjatë historisë, kjo rrugë e ka pasur vetëm një kahje, nga Tirana në Prishtinë.

Jemi mërzitur me vite nga debatet nëse Shqipëria dhe Kosova janë një. Me debatet nëse kosovarët e kanë identitetin e tyre, gjuhën e tyre, kulturën, letërsinë apo edhe traditën e tyre… apo jemi vërtetë një dhe i kemi vetëm disa dallime të vogla. Esat Mekuli, 70 vjet më parë shkruante “Ne zovi me shiftar druze” (mos më quaj shiftar shoq), sepse ky ishte emërtimi për shqiptarët nga armiqtë e tyre shekullorë.

Prandaj dhe çështja e dallimeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, apo edhe identiteteve të mundshme të ndara, gjithmonë ishte një temë tabu dhe e rrezikshme edhe për t’u trajtuar, sepse po ky qe edhe synimi i armiqve të shqiptarëve.

Por kanë ndodhur tri ngjarje të mëdha kulturore në shtatëditëshin e fundit, ku kosovarët u bënë fitues të garës së përbashkët Shqipëri-Kosovë, të cilat e kanë hapur dhimbshëm këtë temë. Rona Nishliu me “piskamat” e saj, si njëra ndër më të mirat në Eurovision, Arbër Zeka me çmimin e parë në “Big Brother”, dhe Rina…. po me çmim të parë në “Voice of Albania”, u shndërruan në artistët apo konkurrentët që nxorën në pah edhe debatet e vërteta të shqiptarëve andej e këtej kufirit, sipas të cilave rezulton se ne megjithatë nuk jemi krejt Një.

A është kjo një luftë verbale e rrjeteve sociale, që nxjerr në pah të vërtetën e njerëzve të zakonshëm, dhe shtrin përtokë deklaratat e mëdha të pushtetarëve e politikanëve që nëpërmjet ‘bashkimit kombëtar’ synojnë karrierë për vete, dhe hirit i fryjnë të bëhet zjarr? Apo është diçka më shumë se sa kaq, ndoshta edhe një realitet i hidhur, një e vërtetë e madhe që duhet lënë në heshtje e të mos fryhet.

Ndryshe nuk shpjegohet se pse shumë prej politikanëve, analistëve, profesorëve dhe publicistëve nga Prishtina dhe Tirana, ikin si prej dreqit nga ideja e debateve për diversitetin ose identitetin e ndryshëm kulturo-gjuhësor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Thuhet se qenë të pakët shqiptarët që e kanë njohur Kosovën gjatë 50 vjetëve të regjimit të Enver Hoxhës. Po ashtu të paktë ishin edhe shqiptarët që kanë mundur ta njohin Kosovën në 20 vjetët e “demokracisë” shqiptare. Ka rënë një mort dhe janë parë, gjatë viteve 98-99, kur pothuajse një milion shqiptarë të Kosovës u shndërruan në refugjatë në shtetin që gjithmonë e kanë quajtur “amë”, ose disa dhjetëra luftëtarë e patriotë të Shqipërisë që qenë në frontin e mbrojtjes së Kosovës.

Fatkeqësisht kjo ishte njohja më e afërt e tyre në 100 vjetët e fundit.

Për pothuaj 50 vjet edhe Shqipëria na ishte e ndaluar në Kosovë, dhe njohja e saj, e vështirë.

Tri ngjarjet e fundit kulturore “Made in Albania” por me fitues kosovarë, e kanë hapur një debat të pistë në rrjetet sociale dhe na e kanë nxjerr para hundës dilemën nëse vërtet jemi Një.

Ka shumë vite që prej se kosovarët janë hapur për vlerat kulturore, artistike dhe kombëtare të Shqipërisë, shpesh duke paguar edhe çmim të lartë për këtë. Letërsia e shkruar në Shqipëri është lexuar shumë edhe atëherë kur qe e ndaluar. Ka më shumë se dhjetë vjet, që Kosova i ka hapur portat për botën e artit, për politikën, dhe për televizionet shqiptare… Pothuajse gjithmonë gjatë historisë, kjo rrugë e ka pasur vetëm një kahje, nga Tirana në Prishtinë.

Ata na kanë lexuar, na kanë parë dhe kanë njohur shumë më pak. Jemi habitur që plot njerëz nga Tirana, nuk kanë hezituar të thonë se ishin mërzitur me fitoret e Ronës, të Arbrit, apo të Rinës.

Dikush tha se ndasitë ishin shumë të rrezikshme dhe komentet shumë të fëlliqura. Po pse nuk ka një debat për to! Pse njerëzit në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, hezitojnë të flasin për këtë çështje, apo kujtojnë se duke mos folur për, jemi më të ngjashëm. Vështirë të bëhemi Një, për derisa nuk flasim se çfarë dhe kush jemi. Nuk bëhet asnjë integrim me “Xhamadanin vija vija…është Kosova, është Shqipëria”.