Prof. Dr. Ferit Duka, 22.06.2010
Historia e popullit shqiptar ofron një model pothuajse unik, përsa u përket veçorive të kompozicionit fetar të këtij populli në rrjedhën e shekujve. Një popull relativisht i vogël në numër dallohet nga popujt e tjerë të rajonit, jo vetëm për nga hershmëria e banimit në trojet e veta, por edhe nga diversiteti i besimeve brenda një identiteti të vetëm kombëtar.
Shqiptarët ishin ndër të parët popuj të Europës që përqafuan Krishterimin gjatë shekujve të parë të erës së re. Skizma e vitit 1054, kur Kisha Katolike (Perëndimore) u nda përfundimisht nga Kisha Lindore (Ortodokse), shënoi ndarjen e parë të shqiptarëve në ndjekës të ritit katolik dhe në ndjekës të ritit ortodoks.
Megjithëse Ortodoksia ruajti pozita të qëndrueshme, sepse kishte edhe mbështetjen e shteteve të fuqishme ortodokse, që sunduan për një kohë të gjatë pjesën më të madhe të tokave shqiptare (Perandoria Bizantine, Mbretëria Bullgare dhe ajo Serbe), edhe Krishterimi Katolik, falë mbështetjes së shteteve perëndimore që sunduan pothuajse pandërprerje gjatë Mesjetës në një pjesë të mirë të territorit shqiptar (kryesisht në brezin perëndimor), ruajti praninë e vet në këto hapësira duke pasur jo vetëm një numër relativisht të madh besimtarësh, por edhe institucione të fuqishme.
S’ka dyshim se prania e riteve të ndryshme të krishtere në mesin e shqiptarëve krijonte një gjendje specifike, në krahasim me popujt e tjerë të Ballkanit, të cilët pothuajse ishin homogjenë nga pikëpamja e strukturës fetare. Megjithatë, situata fetare në tokat shqiptare do të fitonte një pamje krejt të re duke filluar nga shek. XV.
Vendosja e sundimit osman në tokat shqiptare u shoqërua me ndryshime të thella, jo vetëm në fushat politike, shoqërore dhe ekonomike, por edhe në strukturën fetare të popullsisë. Përkatësia e krishterë e shqiptarëve (pjesërisht në ritin ortodoks dhe pjesërisht në atë katolik) filloi të cenohej në dobi të përhapjes së Islamit, fe zyrtare e shtetit osman.
Pjesa e sipërme e piramidës shoqërore, fisnikëria shqiptare, ishte e para që provoi dukurinë e kalimit në Islam. Që nga gjysma e dytë e shek. XIV, kur inkursionet osmane drejt Ballkanit dhe Shqipërisë sa vinin e dendësoheshin, princat shqiptarë u shtrënguan kush më herët e kush më vonë, të pranojnë suzerenitetin e sulltanit dhe, si vasalë të tij, të dërgojnë djemtë e vet si pengje pranë oborrit osman. Këtu, pasi ktheheshin në Islam dhe merrnin edukatën përkatëse, ata ngarkoheshin me shërbime të caktuara ushtarake e civile, duke arritur në shumë raste edhe në funksione të larta, si sanxhakbejlerë, subashë etj.
Ndër pinjollët e islamizuar të familjeve feudale shqiptare të dërguar pranë oborrit të sulltanit si içoglanë ishte edhe Heroi Kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti (i islamizuar me emrin Skënder), një nga djemtë e Gjon Kastriotit. Islamizimi i një pjese të elitës feudale shqiptare që në dhjetëvjeçarët e parë të sundimit osman, formoi kështu kontingjentin fillestar të popullsisë së islamizuar shqiptare.
Një pjesë e fisnikërisë shqiptare deri në fillimet e shek. XVI mundi ta ruajë identitetin e vet fetar të krishterë, edhe pse ishte zotëruese e timareve. Zotëruesit e krishterë të timareve, të quajtur ndryshe “timariotë të krishterë”, ekzistuan vetëm përkohësisht si kategori shoqërore. Lejimi i ekzistencës së përkohshme të timariotëve të krishterë nga ana e shtetit osman ishte jo vetëm shenjë e tolerancës fetare, por edhe një rrugë për integrimin gradual në sistemin e timarit të kësaj kategorie shoqërore, me qëllim islamizimin dhe otomanizimin e ardhshëm të saj. Burimet dokumentare të shek. XV shënojnë mjaft raste të kalimit të timareve nga duart e timariotëve të krishterë në zotërim të pasardhësve të tyre të islamizuar.
Timariorët e krishterë formonin një pakicë në krahasim me timariotët shqiptarë të islamizuar. Kjo duket qartë jo vetëm në sasinë e timareve që zotëronin, por edhe në sasinë e taksave që ata merrnin nga këto timare. Përgjithësisht procesi i kalimit në Islam i timariotëve të krishterë nuk zgjati më shumë se dy breza që prej momentit të përfshirjes së tyre në sistemin e timarit, gjë që flet për atë se fisnikëria shqiptare u islamizua relativisht shpejt. Me shuarjen e kategorisë së timariotëve të krishterë në fillimet e shek. XVI, ishte arritur islamizimi tërësor i klasës feudale shqiptare.
Edhe përfaqësuesit më të shquar të familjeve feudale shqiptare të Arianitëve, Dukagjinëve, Muzakajve, etj., pas shtypjes së qëndresës kundërosmane të shek. XV, ose u larguan nga Shqipëria, ose u bënë pjesë e popullsisë së islamizuar, duke krijuar kështu bazën e nevojshme për fillimin e depërtimit masiv të Islamit në shtresat e tjera të popullsisë shqiptare. Kjo lidhej jo me peshën numerike që feudalët zinin në kuadër të shoqërisë shqiptare të kohës, por me ndikimin e fuqishëm shoqëror dhe politik që ata kishin në mesin e popullsisë.