Nga Bardh Frangu, 2 Qershor 2012
Lajmit për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim vizash i parapriu lajmi për renditjen ndër pesë këngëtarët më të mirë të Rona Nishliut në Eurosong. Sigurisht që në çdo garë rëndësi kanë tri vendet e para, por shkaku i kompleksit të vlerës së ulët që shfaqim ngado, vendi i pestë na doli të ishte me shkëlqim më të madh se i pari! Po kjo pak ka rëndësi, sikundër që pak është e rëndësishme pritja e saj nga dy kryeministrat e dy shteteve të shqiptarëve dhe torta e presidentes për Ronën, përkatësisht shoqërimi i saj nga Labi në një eveniment të organizuar në kryeqendrën kosovare për këtë sukses padyshim të madh.
Po përse mund të themi se në një mënyrë Rona na u bë udhërrëfyese për integrime evropiane, në këtë rast të liberalizimit të vizave, këtij procesi kaq të rëndësishëm për shtetin e ri të Kosovës dhe për qytetarët e tij të mbetur në geto? Në të vërtetë Rona në këtë ngjarje të madhe të muzikës evropiane na prezantoi në emër të shtetit të Shqipërisë, e cila ka kohë që, pas shumë peripecive të shfaqura si pengesa brendapërbrenda faktorit politik shqiptar, ka fituar liberalizimin e vizave dhe momentalisht po përballet me pengesat e forta, gjithashtu të brendshme, për marrjen e statusit të vendit kandidat, përkatësisht për të avancuar integrimet në Unionin Evropian. Kështu në një mënyrë këngëtarja Rona Nishliu prezantoi gjithë shqiptarët në Evropë.
Pavarësisht përfaqësimit formal, Rona në Eurosong prezantoi një ngjarje kulturore nga Kosova, përkatësisht një krijim muzikor të ndërtuar në Prishtinë, madje edhe me nuancat më të vogla të prezantimit. Këtë gjë e vërejtën dhe e vunë në pah shumë medie evropiane, duke ndikuar në këtë mënyrë që për pak të ndërrohet imazhi i keq, i ndërtuar kohëve të fundit nga të bëmat tona nëpër Evropë dhe botë. Në këtë mënyrë Rona bëri shumë duke ndërtuar dhe shpërndarë një imazh me kuptim vlere për shqiptarët dhe kosovarët në përgjithësi.
Udhërrëfyesi evropian i saj dëshmoi se Rona është një vajzë pa komplekse inferioriteti dhe një këngëtare e kultivuar, e cila njeh mirë sistemin e vlerave, prandaj për në Baku shkoi të këndojë shqip, mbase të shfaq një baladë shqipe, e cila nuk ka pasur si të mos reflektojë edhe mbi çështje tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët e Kosovës, gjë të cilën e vunë në pah edhe mediet e shumta evropiane. Kështu me fare pak para, por me një mund tepër të madh, Rona bëri më shumë se ata që derdhën miliona për të afirmuar shtetin e ri të Kosovës. Rona dëshmoi se në mesin tonë, brenda këtij ambienti të degraduar vlerash, mund të gjenden të tillë që të përballojnë konkurrenca edhe përtej lagjeve tona.
Rona, duke kënduar në gjuhën e nënës së saj, na bëri me dije se në Evropë mund të futemi së pari duke respektuar veten, përkatësisht identitetin tonë kulturorë dhe pastaj duke pranuar konkurrencën me të tjerët, si mundësi e vetme për të ndërtuar sistem vlerash të qëndrueshme. Duke përcjell prononcimet e saj për medie si dhe debatet e organizuara me të dhe për të, nuk ke si të mos veçosh faktin se Rona, si evropiane e pranueshme tashmë, na dëshmoi se gjëja më e rëndësishme e të qenit pjesë e Evropës është njohja dhe pranimi i standardeve që karakterizojnë organizimin dhe jetën e gjithëmbarshme në këtë familje të madhe, e cila në aspektin kulturor shërben si model për gjithë pjesët tjera të botës së civilizuar.
Tek dëgjoja Ronën duke folur dhe duke përfillur me përpikëri rregullat e standardit të shqipes letrare, nuk kisha si të mos ndjehesha mirë si një krijues që fjalën e ka të vetmin material ndërtimi. Rona dëshmonte se të respektosh rregulla dhe standarde të vendosura për interes publik është dëshmia më e mirë e dijes dhe kulturës së një individi. Më në fund nuk është thënë kot se gjuha është qenia ku banon individi. Rona ndjehej shumë mirë në gjuhën e saj të lidhur fort me standardin e shqipes letrare. Tjetër gjë është ajo se si janë ndier ata që e kanë dëgjuar, përkatësisht ushtria e madhe masakruese jo vetëm e standardit por e shqipes në përgjithësi. Imagjinoni në këtë rast komunikimin e Ronës me Labin dhe të gjitha i keni të qarta fort!
Nuk është thënë kot se modestia është gardëroba më e mirë në trupin e njeriut. Unë këtë gardërobë e kam parë në trupin e saj dhe fuqishëm e kam ndier. Rona në këtë mënyrë ka ndërtuar dëshminë se standardet janë pjesë e kulturës me të cilën duhet të bashkëjetojmë brenda familjes evropiane. E po ta kundrojmë Ronën si model, shtrohet pyetja se ku qëndrojmë ne me përvetësimin e këtyre standardeve dhe shumë të tjerëve, që në proces të liberalizimit dhe të integrimeve na shtrohen edhe si kusht? Do të thoshim se qëndrojmë shumë larg, tepër larg, kurrkund!
Shembull për këtë mjafton të merret një faksimile, ku zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli nënshkruhet me dorën e vet. Shkronjën e parë të emrit e nis me P-në e madhe të shtypit. E vazhdon me A-në e madhe të shtypit, për të kaluar me shkronja të vogla të shkrimit, në fund për ta përfunduar me T-në e madhe të shtypit! Shënojeni emrin e zëvendëskryeministrit sipas këtij udhërrëfyesi dhe shihni si duket, për ta kuptuar më mirë se si do të duket udhërrëfyesi për liberalizim vizash! Zëvendëskryeministri ynë nuk e kupton se edhe alfabeti, njësoj si gjuha, është standard që i obligon të gjithë për ta respektuar.
Këto standarde janë vlera të larta nacionale që kërkojnë edhe mbrojtjen shtetërore. Po nëse këtë e shohim në kuadër të përpjekjeve për integrime evropiane, më së miri do të ishte t’i referohemi një vargu të këngës së Ronës: “Koha më për ne s’ka kohë”. Dhe po ta kundrojmë kohën si faktor objektiv, ne vërtet jemi vonuar së tepërmi, por kundruar nga aspekti i demagogjisë politike, koha si faktor subjektiv mund të manipulohet si të duam.







