Shkruan: Rade Sherbexhia
– Thonë se nuk ka aktorë dhe aktore të mëdha. Thonë se më drejtë duhet të thuhet se ka të mëdhenj dhe të veçantë dhe të njëjtë në madhështinë e tyre. Andaj edhe unë, kësaj radhe, me synimin që të mbështes këtë vëllazëri të kolosëve tanë të cilët na braktisën tepër herët, do të shkruaj: Ka ikur njëri nga artistët më të mëdhenj që kemi pasur…

Bekim Fehmiu. Legjenda. Miti. Modeli… As gjysmën nuk e ka bërë atë që ka mundur ta bëjë. Jo pse nuk arriti, por sepse nuk deshi. Po ka bërë më së shumti nga të gjithë në këto hapësira. Qetë. Me masë. Me dinjitet. Ekzistojnë njerëz – urtakë, të cilët qysh në rini e meritojnë. Njëri nga ata me siguri ka qenë Bekim Fehmiu.
Në atë fytyrë të bukur antike, të skalitur me dorën më të shkathtë të një skulptori të gjithëfuqishëm, vijat e ashpra zbulonin pothuajse një superioritet akilian, ndërsa shikimi prore shkëlqente në lartësi “në linjën që pren”. Luftëtari… Poeti… Urtaku… Samuraji… Të tillë e kemi njohur, të tillë e kemi admiruar. Pas aktorit, mbesin vetëm rolet e tyre të mëdha. Ato, në teatër, mbesin të shënuara vetëm në kujtimet e atyre të cilët me to kanë jetuar. Për fat, shiriti filmik shënon jetët dhe veprat për përjetësi…
Kështu personazhet e paharruara filmike të Bekimit do të jetojnë përgjithmonë në thesarin e pasur kulturor të këtyre popujve. Kujtimet për kolosët e filmit në ndërdijen tonë, nën ndikimin dhe nëpërmjet teknologjisë së internetit, i përmbledhim në shenja, në shkëlqim të shkurtër të kuadrit, moment që nuk harrohet: shikimi djallëzor i Brandos që ngrin dejt, buzëqeshja e lodhur e Bogartit nën kalelën e zezë, “fryma e fundit” e Belmondos, ndërsa kalon me gishtin e madh nëpër buzët e thara dhe duart e përgjakura të Bekimit, pas gotës së thyer, të ngritur në lartësinë e syve…
Moment për amshim… I tillë në ndërdijen tonë do të ndriçojë Bekim Fehmiu krah për krah me kolosët më të mëdhenj të filmit botëror… Por njerëzit nuk na detyrojnë vetëm me veprat dhe jetën e ture. Nikolla Teslla nuk u bë i amshueshëm dhe unikal vetëm me zbulimet dhe veprat e tij me të cilat përparoi dhe pasuroi botën gati më shumë se të gjithtë njerëzit e gjallë; Teslla me mençurinë, mirësinë dhe fisnikërinë e tij ka plotësuar personazhin e tij, andaj njësoj e madhërojnë të gjithë kombet dhe kombësitë në këto hapësira tona…
Kështu është disi edhe me Bekimim. Në këto kohë të vështira të cilat kanë përftuar nëpër jetën tonë dhe dy herë na kanë varfëruar dhe në të cilat ende jetojmë me gjëmimet e kohëpaskohshme të topave, dhe mitrolozëve, Bekimi sikur heroi antik, rrinte i nemitur dhe i zënë rob, i ngulur në vend, midis popujve ndërluftues. Lirën e tij poetike e la anash dhe përgjithmonë heshti… I lemeritur dhe i fyer, pushoi të merret me art, sepse ky është një “profesion prej tradhtari”, humbi çdo kuptim në këto hapësira, ku njerëzit u egërsuan dhe në bisha u shndërruan.
Mund të shkonte në Paris apo në Romë apo diku mjaft larg, por tepër krenar, çfarë ishte, me trillin e heroit antik, rrugën vetvetes ia caktoi… U mbyll brenda katër mureve të shtëpisë së tij, nga e cila gjatë gjithë këtyre viteve doli rrallë… Atje, në vetminë e tij, siç dëshmuan të afërmit e tij, kryesisht libra lexonte, heshti dhe nganjeherë shkroi diçka… Dhe kështu jetoi surgjenimin e tij vullnetar nga të dy popujt, artisti i famshëm i të cilëve dikur ishte. Tragjedia ka rrjedhën dhe ritmin e saj të veçantë. Kur lëviz, askush nuk mund ta ndalë…
Vetëm më të guximshmit nga ne kanë forcë që të mos përkulen para stuhisë së keqe dhe orëve të liga dhe që ballhapur të ikin… Bekimi, thonë, u përshëndet me ata që më së shumti në botë i donte dhe për të cilët gjatë gjithë këtyre viteve jetoi… Nga gruaja e tij e bukur Branka, nga dy djemtë e tij Uliksi dhe Hedoni, nga nipat e tij dhe farefisi… Pastaj kokën e tij të bukur me çarçaf të bardhë e mbuloi, dhe në tamthin e djathtë shkrepi… Vallë a u dëgjua sa duhet ajo krismë? Mos vallë për një moment diçka ndryshoi? Mos vallë dikush pas kësaj u mendua?
====
(Rade Sherbexhia është aktor filmi dhe teatri nga Kroacia. Gjithë kohën ka qëndruar larg konflikteve të përgjakshme në hapësirat e ish-Jugoslavisë. Kryesisht ka punuar në Amerikë dhe Evropë)







