‘Bekimi u tërhoq për shkak të Kosovës’

0
97

REL, 21.06.2010

Rrefimi i Milazim Salihut, xhirues filmash dhe mik i Bekim Fehmiut: “Nga skena është tërhequr për shkak të çështjes së popullit të vet, që po torturohej”, thotë ai.

Milazim Salihu

Zoti Salihu, si e keni pritur lajmin për vdekjen e aktorit Bekim Fehmiu?
Rëndë, pabesueshëm… Isha në Kinemanë ABC, para se të ik në shtëpi, dëgjova nga mediat, mu duk si ëndërr dhe menjëherë mora në telefon familjarët në Prishtinë, familjarët dhe profesorin Fatmir Fehmiu. Bisedoj me të, ai nuk dinte asgjë dhe e pyes “a je dëgjuar me Bekimin”, se zakonsiht në qershor të gjithë e prisnim, si ne në Kinemanë ABC, si familjarët.

Bekim Fehmiu

Më 1 qershor ka pasur ditëlindjen, 74 vjeç, jemi dëgjuar, ai s’ka dashur urime kurrë, por jemi përkujtuar… Ai (Fatmiri) tha që janë dëgjuar dje dhe si zakonisht e presim këto ditë, por nuk tregon ditën kur…
Unë e mbylla telefonin dhe insistoj ta marr në Beograd. Në Beograd lidhja e zënë dhe pas 3-4 minutave lirohet dhe paraqitet bashkëshortja, Branka Petriq, në vaj: “Milazim, na la Bekimi”.
Unë i thashë – si është e mundur, askush nuk di asgjë… Unë dëgjova nga lajmet, por ajo tha se është e vërtetë dhe se para 40 minutash ka bërë vetëvrasje. Pata fuqinë ta lus që t’i lajmërojë familjarët në Prishtinë, sepse nuk dinë asgjë.
Pas 10-15 minutave u përhap lajmi, edhe familjarët e kuptuan se Bekimi na la. Vështirë, por zgjidhja ka qenë e tij. Si gjithmonë, për çdo gjë që ka zgjedhur Bekimi, për jetën e vet, për aktrimet, për rolet, edhe këtë e ka bërë në suaza të rolit jetësor.

Ju jeni drejtor i Kompanisë “Genci”, e cila menaxhon Kinemanë ABC në Prishtinë. Pak më herët thatë se viteve të fundit, gjatë muajve të verës, aktori Fehmiu ka qëndruar në Kosovë dhe kryesisht takimet me miqtë i ka zhvilluar në këtë kinema. Si i përkujtoni ato ditë?
Bekimi s’ishte vetëm te kinemaja. Bekimi, prej viteve 89-90 ishte te grevat e minatorëve, është solidarizuar; ka qenë në Prishtinë, në qendër, në ato kafenetë e Pallatit të Rinisë, në ëmbëltorën “Elida”, takime, biseda… pas tërheqjes së tij të fundit, më ’87, kur është tërhequr definitivisht, për shkak të arsyeve të bëra publike, për shkak të çështjes së popullit të vet që po torturohej.
Prejse është tërhequr nga skena teatrore, më shumë ka ardhur në Prishtinë dhe prej atëherë jemi takuar çdo vit gjatë verës, sepse në këto vitet e fundit zakonisht vinte në qershor e deri në fund të gushtit. Pushimet i përfundonte në Prishtinë me miq e me dashamirë.
Gjatë këtyre dhjetë vjetëve, me renovimin e Kinemasë ABC ka qenë çdo vit pjesë e kësaj kinemaje. Të gjitha takimet, të gjitha bisedat, gjithë kohën e lirë e ka kaluar në Kinemanë ABC.
Bekimi ka qenë tepër i madh, tepër i paarritshëm për këtë komunitet, si artistik, si politik… Koha do ta tregojë se Bekimi është i pavdekshëm.

Ju keni qenë edhe mik me Bekim Fehmiun. A keni biseduar me të lidhur me vitet e vonshme të jetës së tij dhe a ka qenë i hapur në këtë drejtim?

Bekimi ka qenë i hapur prej lindjes e deri në ditën e fundit të jetës me çdonjërin. Çdonjërit, për çka ka dashur të bisedojë e ta pyesë, ai i ka dhënë përgjigje. Ka qenë i hapur edhe për problemet e viteve ’70, viteve ’80, me kineastët, me Teatrin e Kosovës…
Të gjitha ato i ka treguar, ua ka treguar miqve, atyre që kanë qenë të interesuar të dinë se pse Bekim Fehmiu nuk është prezent në teatrin tonë, pse nuk është prezent në filmat tanë.
Të gjithë ata që kanë biseduar me të e dinë se Bekim Fehmiu ka qenë i gatshëm të punojë, por të punojë ashtu siç punohet në botën e civilizuar, me marrëveshje, me kontrata, me profesionalizëm. E këtu nuk e ka gjetur atë bashkëpunim.
Në vitet e vonshme, pas tërheqjes, nuk ka dashur më. Ka pasur lloj-lloj ofertash edhe prej Shqipërisë. Bekimi është zhgënjyer në njerëzit tanë e fajtorë janë njerëzit tanë. Koha do të tregojë se njerëzit tanë dhe kineastët tanë janë fajtorë, sepse nuk kanë qenë përgjegjës për punën që kanë dashur të bëjnë me Bekimin.

A është kjo arsye për të cilën Bekim Fehmiu nuk ka xhiruar asnjë film në gjuhën shqipe?
Janë shumë arsye. Profesionalizmi ka munguar te njerëzit tanë. Edhe në ’79-ën, edhe në ’80-ën, në akademi kur ka ardhur, njëqind herë është zhgënjyer në njerëzit tanë që kanë udhëhequr atë akademi.
Njerëzit janë gjallë, mund të pyeten, pse, qysh, kur…
Edhe në Shqipëri njëjtë, Kujtim Çashku… me të gjitha intervenimet e miqve të Kujtim Çashkut, deri te i ndjeri Ibrahim Rugova, kanë insistuar që ta marrë një rol në filmin e Kujtim Çashkut Bekim Fehmiu. Çashku e pranon dhe thotë se s’ka pasur mundësi ta ndryshojë atë që ka kërkuar Bekimi…
Për atë, Bekimi s’ka mundur, sepse ai e ka dashur profesionalizmin, i ka dashur rregullat e botës së civilizuar. Për atë është Bekim, për atë ka luajtur në Hollivud, në Itali dhe gjithkund, sepse i është çmuar profesionalizmi dhe niveli.
Te ne nuk e ka gjetur; njerëzit tanë janë ata që nuk kanë mundur ta ofrojnë Bekimin. Viteve ’90 u shkatërrua Televizioni i Prishtinës, unë isha atje, humbëm kohën dhe le të bëjmë tani diçka… E kam lutur Bekimin: Bekim a do të kishe ardhur me mua të bëjmë diçka për njerëzit tanë të artit, se të politikës nuk na interesojnë, por të punojmë se jemi pa televizion…
Po, tha, gjithkund, por me ty. Kemi shkuar në Lugano, te varri i Aleksandër Mojsiut, me disa miq jemi ulur, kemi biseduar. Në atë kohë ishte “bos i madh” i ashtuquajtur Hajdin Sejdia. Po, tha, unë do ta financoj filmin për Aleksandër Mojsiun.
E kemi marrë përsipër, kemi ardhur në Kosovë, kemi biseduar me disa regjisorë, mos t’i cek tashti emrat, dhe asnjëri nuk ka mundur ta kryejë atë punë për të cilën jemi marrë vesh.
Edhe Bekimi tha: A u vërtetove se nuk mund të punoj këtu në Kosovë; a isha i gatshëm – po… Këto janë të vërteta të gjalla, janë njerëzit gjallë.
E gjithë Kosova kanë qenë miq të tij; kush ka dashur, ka mundur të pijë kafe me të, të dialogojë, të bisedojë, të interesohet për jetën e tij. Ka qenë i hapur si me fëmijën, si me artistin më të madh të Kosovës, si me studentin e akademisë…

Jo rrallë nga njerëzit në Kosovë është shtruar pyetja se pse Bekim Fehmiu nuk ka ardhur të jetojë në Kosovë. A keni diskutuar ndonjëherë lidhur me këtë çështje me mikun tuaj Bekimin?
Po, kemi biseduar. Thoshte se jeton edhe në Kosovë, familja është në Kosovë, prindërit janë të varrosur në Prizren, një pjesë e familjes është në Prizren, një pjesë në Prishtinë. Ai çdo vit ishte këtu.
Unë, thoshte ai, i përkas edhe Kosovës, edhe Shqipërisë, edhe gjithë rruzullit tokësor. Familja e tij e ngushtë, dy djemtë i ka në Amerikë; bashkëshortja, që është aktore, është ende në Beograd.
Adresë ka pasur në Beograd, por ka jetuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Evropë. Ku ka qenë e nevojshme, Bekimi ka qenë prezent.

A ka ndonjë episod me aktorin Fehmiu që juve ju mbetet në kujtesë si diçka e pashlyeshme?
Po, ishte tranzicioni në Kosovë, Kosova e shkatërruar, fillimi i luftërave në Bosnjë, Shqipëria e dalë nga një sistem… por, nuk kishim shtet.
Kam pasur rast dhe fat në një udhëtim në Itali, në Aeroportin e Milanos, na prisnin disa miq për disa takime me punë në Zvicër, por ishim në udhëtim nga Italia…
Bekimi e dha pasaportën, policia e detyroi të heqë kapelën, ai e hoqi kapelën dhe u ngritën policia, dogana, u bllokua Aeroporti i Milanos për gjysmë ore për të pirë kafe doganierët, policët me Bekim Fehmiun.
Unë, për herë të parë, përjetova diçka të papërjetueshme. Unë, si shqiptar i vogël, pas Bekimit, e pyes se çfarë po ndodh, a është e mundur… Unë e dija se kush është Bekim Fehmiu, por se e njeh polici, doganieri dhe çmohet aq shumë, kurse ne e injorojmë njeriun tonë – aty e kuptova. Kjo është e vërteta për mikun tim dhe të të gjithë shqiptarëve – Bekim Fehmiun.

Bekim Fehmiu që njoha unë

Aktori Timo Flloko me një profil të Bekim Fehmiut, nga takimi i parë në vitet ’70, te i fundit në Kosovë.

Mendimet e tij për suksesin, aktorët shqiptarë, artin realist.

Flloko uron që së paku lexuesi ynë të ketë në dorë autobiografinë e Fehmiut, një vepër brilante për njeriun, historinë, politikën dhe kombin

Los Anxhelesi është pothuajse në anën tjetër të botës, nëntë orë larg Shqipërisë dhe… atje lind dielli kur perëndon në Kaliforni! Mëngjesin e së martës – shpesh të këqijat ngjasin të martave, sipas mendësisë bestyte – dita qe e mugët dhe kishte diçka brerëse në heshtjen dhe ngathtësinë e ritualit tim të fillimditës! Hapa internetin.

O Zot, e mora ç’pritej dhe më keq se aq: “Bekim Fehmiu passed away!” “Aktori i famshëm Bekim Fehmiu (74) kryeu vetëvrasje ditën e martë rreth orës 15 e 30 në apartamentin e vet në Rrugën Stanislav Smrecevic nr. 5 në, lagjen Zvezdar në Beograd – thuhej në informacion – i ka shtirë vetes me pistoletë… se cila është arsyeja që e bëri heroin e filmit kult “Mbledhësi i puplave” t’i shtinte vetes, tani për tani nuk dihet.”

Kishte kryer vetëvrasje, pasi kishte shkuar në dhomën e vet dhe u kishte dhënë lamtumirën e heshtur, të pathënë, bashkëshortes Branka dhe njërit prej djemve që ndodhej me të në Beograd, Hedonit. Kishte kaluar një atak cerebral para disa muajsh – siç shkruanin gazetat, dhe ndoshta i kishte humbur shpresat për jetë, një sëmundje fatale, cfilitëse dhe depresive.

Për fatin tim të keq, përherë e shtyva telefonatën në Beograd, të cilën një zë i brendshëm më nxiste t’ia bëja si çdo herë tjetër. Por s’qe e thënë. Ishte si një dënim për ta ndjerë më tepër peshën e dhembjes, ndjesinë e fajit të shkujdesjes njerëzore. Lajmet në largësi kanë peshë të shumëfishtë. Për ta lehtësuar dhembjen i shkrova mikut tim Mevlan Shanajt në Tiranë, por në këtë rast s’ishte biseda jonë e zakonshme dhe ndër të tjera i thoja:

Vetëvrasja tregon se nuk është pajtuar me arrogancën dhe pushtetin e vdekjes, dhe si njeri me karakter të fortë, i ka bërë sfidë asaj, duke i dhënë fund jetës papritur që ajo t’ia mbyllte perden!”

E kam njohur nga afër dhe e kisha mik; ia njihja jetën në hollësi; kam qëndruar shpesh me të në Beograd; i shkoja në shtëpi dhe rrinim me orë të tëra duke biseduar për gjithçka në kafenenë e Teatrit Dramatik Jugosllav ku ai shkonte çdo ditë.

Artist i madh, më internacionali jo vetëm midis shqiptarëve, por ndoshta i vetmi në trojet ballkanike, me mbi pesëdhjetë role kryesorë, në nëntë gjuhë, në Evropë, Amerikë, Afrikë, Azi, etj. Shkëlqeu që në rolin e tij të parë te “Mbledhësi i puplave”, një rol cigani i përkryer, me të cilin fitoi disa trofe dhe u bë i njohur nga kineastët dhe publiku gjithandej.

U nominua për Palmën e Artë në Festivalin e Kanës, por ia zhvatën nga duart në çastet e fundit. Pas suksesit në Kanë, luajti Odiseun, heroin e Homerit dhe me këtë rol fama e tij u përhap rrufeshëm.

Luajti role kryesorë në Amerikë, me Xhon Hjustonin, Eva Gardnerin, Irenë Papas, Klaudia Kardinalen dhe shume yje të tjerë të kinemasë botërore. Për rolet e tij, mund të shkruhet pa fund, por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi.

Nuk e gjen në Ballkan dhe ndoshta më gjerë, një yll me shkëlqimin e Bekim Fehmiut. Si njeri ishte sa i thjeshtë dhe shpirtmadh; intelektual me dije në shumë fusha dhe me inteligjencë të mprehtë (fliste në mënyrë fluente disa gjuhë).

Nga pamja: model i mashkullit mesdhetar, gjë që e bëri aq të kërkuar nga studiot e filmit në Evrope, Shtetet e Bashkuara, etj. Nga ana tjetër, një shqiptar njëqind karat, i pakompromis dhe krenar deri në skaj, me dinjitet të rrallë.

I kishte refuzuar Paramount Pictures, njërës prej shtëpive më të mëdha filmike të botës, ndërrimin e emrit apo vënien e një emri artistik, aq të natyrshëm në botën e yjeve të kinemasë në Amerikë! “Jo”, kishte thënë atëhere, “emrit tim s’mund t’i hiqni asnjë shkronjë, ndryshe unë nuk luaj në film, dhe i kishte mundur.” “Njerëzve të mëdhenj është gabim t’iu gjykosh vendimet.” Më përgjigjet Mevlani, duke shtuar ndërkohë “se ishte unikale ikja e tij, siç ka qenë e gjithë jeta e atij artisti të rrallë.”

Vitet rendin, rinia ikën dhe sa shpejt!
Për herë të parë e pashë kur erdhi në Shqipëri, në fillim të viteve 70-të, në kulmin e famës pas rolit të Uliksit.

E kisha ëndërr t’i afrohesha dhe të bisedoja me të si shumë artistë të rinj shqiptarë që s’kishin fatin të shihnin ndonjë shpresë për t’u bëre dikushi përtej horizontit të izolimit shqiptar, dhe ndërkaq, e ndjenin veten të plotësuar në qenien e atij personi – model i ëndrrës për të qenë artist i vërtetë.

Ai vinte si nga qielli, si simbol i madhështisë dhe lirisë njëherësh, një “Odise” emancipues për artistët shqiptarë.
E takova, pasi i kishte zgjuar interesin një kinonovelë e Pirro Milkanit, “Meçoja”, ku unë luaja rolin kryesor.

E takova së bashku me Verën – ishim në dashuri atëhere – të shoqëruar me një shpurë personalitetesh, drejtorë, regjisorë dhe ndonjë artist. Kur më takoi më tha: “Ta kam parë filmin, të uroj për lojën e thjeshtë. Kam një mik, Omar Sherif, artist më i madh nga unë, por lojën tënde do ta kishte zili.

Duhet të eksportohesh, provat i ke dhënë tashmë në Shqipëri…” Sigurisht, ishte një kompliment që në fakt, bëri përshtypje kur u shkrua në gazeta; nuk e mora si të vërtetë, sepse ishte i pabesueshëm, por ai, si artist i madh, kishte dëshirën të inkurajonte të rinjtë me talent dhe e kuptonte realitetin dhe brishtësinë e artistit.

Ai foli me vlerësim dhe për Rikard Ljarjën, Llazi Serbon, Tinka Kurtin në filmat që pa. Po aq u entusiazmua me Agim Qirjaqin te “Ylli pa emër” në Akademinë e Arteve.

Pas një shfaqjeje të versionit për kinema të “Odiseut”, në një nga intervistat, deklaroi se donte të luante rolin e Skënderbeut, gjë që s’u bë kurrë realitet. Ai ishte atëhere 36 vjeç, shtatlartë, i pashëm dhe mbi të gjitha një aktor i përsosur për Skënderbeun. Por gjërat e rralla ndodhin ose s’ndodhin; kur ndodhin ndodh mrekullia.

Në vitin 1991 shkova në Kosovë për herë të parë. Kishin kaluar njëzet vjet. Çdo verë ai e kalonte te vëllai dhe motra në Prishtinë; në Beograd dimëronte. Karrierën e kishte braktisur për arsye politike qysh më 1987, publikisht.

E takuam me Verën dhe ai kujtoi me mall rrugëtimin e tij të parë në Shqipëri dhe kujtimet e çmuara të asaj vizite. Ishte i lumtur për ardhjen e demokracisë dhe për hapjen e Shqipërisë drejt botës dhe e konsideronte fat edhe për Kosovën.

Atë ditë shkuam në shtëpinë e Agim Çavderbashës, skulptorit të shquar kosovar së bashku me Arbër Xhaferin, poetin Eqerem Basha, linguistin Rexhep Ismajli dhe bashkëshortet e tyre.

Ishte një ditë e rrallë, u bë një “fli” kosovare dhe u ndjemë të gjithë së bashku si në një sofër zemre. Aty folëm edhe për projektin e lënë të Skënderbeut. Bekimi ishte tashmë 52 vjeç dhe e kishte kaluar shtegun e rinisë.

Filmi mbeti ëndërr në sirtar, për arsye të njohura midis dy vendeve në armiqësi. Atëhere shkrova për atë takim në revistën e kinemasë një shkrim me titull “Skënderbeu i pafan”, ku flisja për zhgënjimin e “Skënderbeut”, për mosrealizimin e ëndrrës së Bekim Fehmiut dhe ndoshta e ëndrrës së shqiptarëve për një hero të dimensionit të tij!

Sa herë flisnim me orë të zgjatura për çështje të ndryshme, jo vetëm për aktrimin, që ishte veçse një nga temat e diskutimit dhe ndoshta jo më e rëndësishmja. Njohuritë e tij ishin të shumanshme, në letërsi, arkitekturë, histori botërore dhe shqiptare.

Bekimi shquhej për memorie të jashtëzakonshme, kishte aftësinë për të mbajtur mend detaje, data, emra, çdo gjë deri në përkryerje. Fliste edhe për politikë, por nuk ishte i njëanshëm dhe subjektiv, kishte parime të pavarura intelektuale.

Më tregoi ndër të tjera se si i kishte dhënë fund karrierës artistike në ish Jugosllavi në vitin 1987, si protestë ndaj politikës serbe në Kosovë, duke lënë në mes shfaqjen “Madame Kolontaj” ku luante dy role, atë të Leninit dhe të Stalinit, në Teatrin Dramatik Jugosllav.

Qysh atëhere, nuk luajti më në asnjë vend të ish Jugosllavisë, vetëm në Angli, Itali, Azi. Roli i tij i fundit ishte ai i Jozefit te “Fëmija me emrin Jezus”, një produksion italian.

Ndonjë rol shqiptar? Në gjuhën shqipe? Diçka simbolike në një film kosovar dhe aq. Të kishte ndonjë handikap?, mund të hamendet. Gjuha? Bekimi fliste një shqipe të pasur dhe pa gabime edhe pse krahinore, nuk përdorte huazime kurrë. Ishte fanatik dhe xheloz për gjuhën (librin e parë të autobiografisë së tij e ka shkruar në serbo-kroatisht dhe në shqip).

Kalibri i tij artistik – edhe pse ai pranoi ndonjë ofertë me Teatrin dhe Filmin Kosovar dhe bëri çdo përpjekje të kryhej – dhe angazhimi në projekte ndërkombëtare, e kufizuan mundësinë për të luajtur në shqip dhe role shqiptare.

Përpjekje bënë në ndonjë rast dhe regjisorët shqiptarë, siç ishte rasti i Kujtim Çashkut për “Kolonel Bunker”, por nuk u finalizua për kërkesa dhe pikvështrime të ndryshme mbi skenarin, rolin, perfeksionizmin profesional, ndoshta dhe të një droje a prove të vështirë të herës së parë. Kushedi!

E kishte dhimbje dhe një ndjesi të pathënë “faji”, atë që s’kishte ndonjë vulë si aktor qoftë dhe në një personazh shqipfolës. Por Bekimi fliste me dashamirësi sa herë dhe me entusiazëm për aktorë të tjerë, të huaj dhe shqiptarë.

Më ka thënë konsideratat më të larta kur e kam pyetur për Enver Petrovcin, si aktor që ua kalonte – sipas bindjes së tij – aktorëve më të mirë të teatrove të Beogradit. I çmonte aktorët shqiptarë për ato pak filma që kishte parë dhe i njihte me emër edhe pse s’i kishte takuar ndonjëherë, si Ndrek Lucën, Bujar Lakon, Agim Qirjaqin, Rikard Ljarjen, Llazi Serbon, etj.

Një nga filmat pas viteve 90-të që pëlqente ishte “Parullat” dhe më fliste me vlerësim për të. Në fakt, nuk kishte njohje të plotë për kinemanë shqiptare, kishte parë vetëm disa filma në kohë të hershme.

Si profesionist i niveleve të epërme, ai pëlqente dhe çmonte realizmin në paraqitjen e ngjarjeve në film, në regji dhe në lojën aktoriale dhe e quante të kaluar kohe patetizmin që kinemaja shqiptare e kishte sa nga ideologjia e kohës po aq dhe nga emancipimi i vet gradual.

Në vitin 2002 pas disa telefonatash dhe bisedash intensive, Vera mbërriti ta bindte që të vinte i ftuar nderi në edicionin “Dua më shumë Shqipërinë”. Disa herë kishte refuzuar ofertat si president jurie në aktivitete artistike televizive, filmike në Shqipëri; në Kosovë, zor të ketë ndonjë dalje në mediat publike.

E prita në Han të Hotit, së bashku me të shoqen Branka Petric, aktore (kroate nga i ati) me të cilën e kaloi jetën dhe kishte dy djem Uliksin – me emrin e heroit të filmit që i solli famën, i cili lindi në atë kohë, aktor me talent dhe ky, por që e braktisi Jugosllavinë herët dhe banon prej vitesh në Nju Jork – dhe Hedonin, djalin e dytë – edhe ai banues në SHBA. Ato ditë mbetën të paharrueshme.

Takime, intervista, shëtitje, vizita në muzeun e Krujës etj., dhe më në fund spektakli! Emocione si prej fëmije para daljes në skenë dhe tek ngjitet në të, shtatlartë dhe i drejtë, elegant, me zë të thellë dhe të bukur përshëndet spektatorin. E gjithë salla e nderon duke u ngritur në këmbë.

Pas duartrokitjesh të gjata ai i drejtohet sallës: “Përse ngriheni në këmbë, përse më nderoni, unë nuk e meritoj, nuk kam bërë asgjë për ju!” Dhe hapjen e bën me vargjet e Himnit të flamurit. Pason një intervistë e gjatë nga dëshira për të thënë sa më shume.

Si artist i përgjegjshëm para publikut të vet, ai pati kurajën qytetare për të kërkuar “falje” publike, duke ulur kryet me përulësi para gjithë shqiptarëve, të cilëve, edhe pse nuk u kishte falur personazhe, u kishte dhënë krenarinë për t’u mburrur me artistin me famë botërorë.

Në provat e mëngjesit para natës se spektaklit ndodhi një episod i pazakontë: Bekimi recitoi nga kreu në fund poemthin “Korbi” të Edgar Poes! Ishte befasi dhe fat për ata që u ndodhën në sallë dhe e ndoqën me kërshëri. Porsa mbaroi, renda të pyes teknikun e zërit, Edi Dingu, nëse e kishte regjistruar.

Ai më shkeli syrin në mënyrë aprovimi. Besoj se ai do të gjejë rastin për ta treguar atë material si një gjë me vlerë, një performancë në shqip, sado modeste nga aktori i madh Bekim Fehmiu.

Ato ditë Bekimi më dhuroi librin e parë të autobiografisë së tij “Blistavo i Strasno” (“Shkëlqim dhe tmerr”), një nga biografitë më të vërteta dhe tronditëse të shkruara ndonjëherë nga një aktor, një bestseller, që kishte dëshirë ta botonte në Shqipëri, në variantin e shkruar në shqip po prej tij. Herët a vonë, do të jetë në duart e lexuesit shqiptar.

Aty është shkruar historia dramatike e jetës së një familjeje shqiptare në Kosove nën trysninë e egër të politikës antishqiptare serbe, e parë me syrin e një fëmije, Bekimit, artistit të ardhshëm që është si një simbiozë e gjithë dramës së Kosovës. I ati kishte qenë një mësues patriot, i përndjekur dhe burgosur nga UDB-ja jugosllave, për veprimtari politike kundër diskriminimit, poshtërimit dhe eliminimit që iu bëhej shqiptarëve të Kosovës.

Në vizitën e parë në Shqipëri, në muzeun e Gjirokastrës, Bekimi kishte parë midis patriotëve të shquar të kombit edhe emrin e të atit, Ibrahim Fehmiu. “Kam ndjerë krenari kur kam pa fotografinë e babës, Ibrahim Fehmiu në muzeun e Gjirokastrës!”, më ka pohuar njëherë.

Atëhere kërkoi që të bënte një shkollë model në Shqipëri me dëshirën që t’i vihej emri i të atit të tij, por shteti komunist i asaj kohe nuk e pranoi kërkesën e tij! Me frymën e patriotizmit dhe dashurisë për kombin dhe kulturën kombëtare u rrit Bekimi, vëllezërit, motrat, djemtë e tij.

Për fat, ai e ka përfunduar dhe librin e dytë të autobiografisë i cili, siç më ka thënë, flet për karrierën si artist, gjithë sa arriti përmes përpjekjesh të mëdha, talentit dhe vullnetit titanik, në ekranin e kinemasë. E kreu si duket, misionin dhe obligimin moral ndaj kombit të vet dhe e la këtë botë me përmasën që lënë pas gjigantët!

E nderoj thellë dhe i përulem me admirim dhe respekt, aktorit dhe njeriut të madh, mikut të paharruar, me dhembjen në zemër për këtë ikje.

Lexova që ka lënë një letër ku i tregon të shoqes arsyet e vetëvrasjes dhe jep lamtumirën e fundit!

Nuk duhej të kishte ikur kaq shpejt, por ai zgjodhi që ta mbyllë rolin e jetës së vet për të mos parë bota ligështimin që i shkakton natyra njeriut. E kundërshtoi fatin e zotave si Uliksi! Jetoi madhërishëm dhe kohën e vdekjes dhe vdekjen e zgjodhi vetë ai. “Njerëzve të mëdhenj, ndonjëhere, është gabim t’u gjykosh vendimet!”

Los Anxheles, 16 qershor 2010