Përralla e Ristanit, Media dhe Analistët

0
55

Bledar H. Prifti

Bledar H. Prifti, 22.06.2010

Para disa ditësh, si për të na kujtuar virusin që shkaktoi krizën politike, na u shfaq në ekranin e televizorit kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), z. Arben Ristani.

Përballë tij ndodheshin drejtuesi i emisionit dhe dy analistë, të cilët përpiqeshin që t’i tregonin Ristanit përgjegjësinë direkte që ka KQZ në gjenerimin e një situate kaotike që po kalon politika Shqiptare aktualisht.

Por, fatkeqësisht, ai ballafaqim tregoi se media dhe analistët janë shndërruar në objekte tallje dhe janë tërësisht të papërgatitur dhe të paaftë për t’u përballur me përrallat që lëshojnë lart e poshtë zyrtarët si Ristani.

Ky shkrim orvatet të faktojë se si Ristani u tall me median, analistët dhe shikuesit, dhe se si media dhe analistët dështuan t’i vërtetonin publikut të vërtetën mbi përrallën e Ristanit.

Si fillim, Ristani e filloi përrallën e tij me një arrogancë të tejskajshme, duke përsëritur shprehjet e Berishës se nuk mund të ketë asnjë kompromis politik që do të mund të dilte mbi ligjin dhe se çfarë flitet nëpër parlament apo media nuk janë gjë tjetër, por veç llogje Kavaje.

Në mënyrë të përsëritur dhe tejet ofenduese, Ristani përdori argumentin “ad hominem” duke i deklaruar në mënyrë indirekte analistëve dhe publikut se ata ishin shumë të trashë për të kuptuar çështje të karakterit “tekniko-profesional” në lidhje me Kodin Zgjedhor dhe se janë njerëz që merren vetëm me llafe të rëndomta.

Çudia më e madhe ishte fakti se asnjë nga të pranishmit në studio nuk mori iniciativën që të frenonte megalomaninë, mediokritetin dhe përversitetin e Ristanit. Kjo gjë është për të ardhur keq!

Por perversiteti dhe marrëzia e përrallës së Ristanit kulminoi kur ai foli në lidhje me vendimin absurd dhe antiligjor që mori KQZ për të ndaluar rinumërimin e kutive të votimit, sipas kërkesës së dy anëtarëve të KQZ. Sipas Ristanit, neni 138(3) i Kodi Zgjedhor nuk detyron rinumërimin e votave kur ajo bëhet me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ. Për Ristanin, që votat të rinumëroheshin, ato duhet të ishin vota të konsideruara “problematike” nga “nuk e di se kush”.

Ky deklarim i Ristanit u prit me shumë habi nga analistët dhe drejtuesi i emisionit, të cilët nuk ishin të sigurt në vërtetësinë e deklarimit të Ristanit. Pavarësisht dyshimeve, as regjia e kanalit televiziv dhe as analistët nuk dispononin Kodin Zgjedhor për të treguar tekstin real te nenit që po argumentonte dhe bastardonte Ristani.

Bazuar në Nenin 138(3) të Kodit Zgjedhor, “KQZ-ja, me kërkesë të palëve ose kryesisht, kur çmon se për dhënien e vendimit është i nevojshëm rinumërimi dhe/ose rivlerësimi i votave të caktuara, kryen, në praninë e palëve, rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave dhe pasqyron përfundimin në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së dhe vendimin përkatës të saj.

Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara.” Në mbështetje të këtij neni vjen edhe neni 136, pikat 3, dhe 4.

Neni 136(3) thekson se në rastin e kërkimit të provave, “me kërkesë të dy anëtarëve të saj, KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët që kanë paraqitur kërkesën.” Për t’i vendosur vulën, neni 136(4) thekson se “KQZ-ja nuk mund të refuzojë kërkesën për prova, të bërë sipas pikës 3 të këtij neni.”

Siç shihet qartë, neni 138(3) e thekson shprehimisht se “në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo ËSHTË E DETYRUAR të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara.”

Për të mos mjaftuar ofendimet e përsëritura në studio dhe thyerja e ligjit nga ana e Ristanit kur hodhi në votë një ligj të miratuar me shumicë të cilësuar nga Kuvendi, Ristani, në mënyrën më perverse dhe absurde, mori përsipër që të ndryshojë Kodin Zgjedhor me një të lëvizur të gjuhës.

Absurditeti i Rastanit shkon deri aty sa ai mohon karakterin detyrues që ka neni 138(3) për të bërë rinumërimin kur ai kërkohet nga dy anëtarë të KQZ-së. Për të mbështetur përrallën e tij, ai e transformoi nenin deri në atë pikë sa dukej sikur neni theksonte që “ky nen zbatohet sipas oreksit dhe dëshirës së Ristanit”.

Por gabimi real, në këtë mesele, nuk është i Ristanit, pasi ai ka një çekan (apo hanxhar) që i rri mbi kokë. Gabimi real është i medias dhe analistëve politikë, të cilët jo vetëm që ishin të papërgatitur të ballafaqoheshin me përrallën e Ristanit, por u bënë viktima të saj dhe të talljes së tij me ta.

Është e pafalshme për një drejtues emisioni të tillë që të mos ketë të afishur në ekranin e televizorit, kur duhet, nenet e Kodit Zgjedhor apo Kushtetutës dhe deklarime me interes të veçantë (emisioni kishte vetëm një të tillë). Duke e ditur tematikën e emisionit, drejtuesi duhet të kishte të gatshme të gjitha materialet që lidheshin me pikat kontroverse të debatit.

Një emision serioz nuk mund të bëhet me duar në xhepa dhe ku të ftuarit të flasin dhe tallen sipas oreksit. Një media serioze nuk mund dhe nuk duhet të lëri askënd që të përdorin ekranin e televizionit për të gënjyer haptazi. Media ka për detyrë që t’i paraqesë publikut të vërtetën.

Pavarësisht bindjeve partiake, kanalet prestigjioze si CNN, NBC, FOX, BBC, etj., nuk lejojnë që një i ftuar të gënjejë publikun. Në rast se një i ftuar ndryshon tërësisht përmbajtjen e një ligji, është detyra e medias që të reagojë menjëherë dhe të nxjerri të vërtetën për publikun.

Në rastin kur Ristani tregonte përrallën e tij rreth nenit 138(3), regjia, fare mirë, mund të nxirrte në ekran nenin, t’i tregonte publikut të vërtetën dhe të ndalonte përrallën dhe talljen e Ristanit me analistët dhe publikun.

Publiku nuk e beson derisa ta shikojë të shkruar në ekran apo të lexuar direkt nga Kushtetuta apo Kodi. Gjithashtu, të gënjesh të tjerët sy-për-sy, duke ndryshuar totalisht përmbajtjen e një neni do të thotë t’i marrësh të tjerët për të trashë dhe budallenj.

Këtë gjë e bëri Ristani me drejtuesin e emisionit, analistët dhe publikun. Ishte me të vërtetë mjerane dhe për të ardhur keq kur në mesin e gënjeshtrës së madhe, një nga analistët u shpreh i pavendosur se po dukej sikur Ristani po e keqinterpretonte dhe shpërfytyronte qëllimisht nenin.

Por, kjo ngeli deri këtu, pasi analisti, ashtu si edhe regjia e emisionit, nuk kishin me vete gati Kodin Zgjedhor për t’ia treguar Ristanit. Dikush nga ata mund të pretendojë se e dinte të vërtetën, por problemi qëndron se nuk e mori vesh publiku.

Por, nuk mbaron këtu. Përralla e Ristanit vazhdon me nenin 178(6) të Kodit, i cili shprehet rreth djegies së fletëve të votimit. Ristani deklaroi se neni nuk vendos asnjë detyrim kohor për djegien e fletëve të votimit dhe se ato do të digjen kur të dojë ai me grupin e tij.

Neni 178(6) i Kodit thekson: “Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.”

Bazuar tek Neni 178(6), kutitë e fletëve të votimit digjen “pas përfundimit të afatit për ankimet”. Në të vërtetë, afati i ankimimeve ka mbaruar që në muajin gusht të vitit 2009. Atëherë, përse nuk janë djegur fletët e votimit sot në qershor të vitit 2010?

Është shumë e thjeshtë: Neni 178(6), siç deklaron edhe Ristani, nuk vendos asnjë detyrim kohor për djegien e fletëve të votimit. Por, nga ana tjetër, Ristani ka shkelur haptazi ligjin për sa i përket mosarkivimit të dokumenteve në Arkivin Qendror të Shtetit, pasi neni e detyron atë që ta bëjë një gjë të tillë “pas përfundimit të afatit për ankimet”.

Neni 178(6) vendos qartazi afat kohor për arkivimin e dokumenteve kur thekson se bëhet “pas përfundimit të afatit për ankimet”, por ai nuk vendos afat kohor për fletët e votimit, pasi fjalia që shprehet për djegien e fletëve është e veçuar nga fjalitë e mëparshme.

Neni thjesht deklaron se “Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, por ai nuk vendos dhe as insinuon asnjë afat kohor për djegien e fletëve.

Nëse fletët do të duhej të digjeshin në të njëjtën kohë më arkivimin e dokumenteve të tjera, atëherë fjalia e fundit që shprehet për fletët do të ishte bashkuar me të parat përmes lidhjes “edhe”.

Gjithashtu, arsyeja që nuk digjen fletët e votimit qëndron edhe tek fakti se ajo ndalohet nga neni 77(2) i Kushtetutës, i cili shprehet rreth ngritjes së komisionit hetimor parlamentar, i cili synon hetimin e procesit zgjedhor të 28 Qershorit.

Një nga analistët ia përmendi Ristanit këtë fakt, por ky i fundit, me megalomaninë dhe mediokritetin e tij, iu kundërpërgjigj analistit duke e pyetur: “ku e ke të shkruar këtë gjë?” Po z. Ristani! Ajo është e shkruar e zezë mbi të bardhë.

Kushtetuta është ligji suprem i vendit dhe qëndron mbi çdo ligj apo nen të Kodit Zgjedhor. Neni 4(2) i Kushtetutës thekson se “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë.”

Si rrjedhojë, neni 77(2) i Kushtetutës qëndron mbi Nenin 178(6) të Kodit dhe ndalon djegien e fletëve të votimit, pasi ato janë pjesë e asaj që neni 77(2) dhe Gjykata Kushtetuese e kanë konsideruar si “çështje të veçantë”.

Por, çfarë kuptojmë nga e gjithë kjo mesele. Nga kjo kuptojmë se zyrtarët si Ristani janë të papërgjegjshëm në ushtrimin e detyrës së tyre kushtetuese edhe në rastin kur kjo papërgjegjshmëri shkakton një krizë të paprecedentë politike, apo kur rrezikon të ardhmen Europiane dhe mirëqenien e shoqërisë Shqiptare.

Megalomania intelektuale dhe perversiteti politik i zyrtarëve të këtij soji nuk mund të ndalen përpara asnjë ligji, skrupulli, apo principi human.

Të vetmet barrikada për këta soj zyrtarësh janë media, analistët dhe intelektualët, të cilët, së bashku, kanë potencialin për të krijuar dhe drejtuar opinionin publik dhe mbarë shoqërinë në një çështje të caktuar sociale apo politike.

Por, deri më tani, media, analistët dhe intelektualët kanë dështuar (në shumicën e rasteve) në këtë përballje me këtë soj zyrtarësh.

Ky dështim nuk vjen nga mungesa e dëshirës dhe njohurisë, por nga mungesa e sofistikimit politik dhe profesional të tyre. Kjo nuk ka të bëjë me dijen e këtyre faktorëve, por me zgjuarsinë për t’u përballur me zyrtarët e sojit Ristani.

Fatkeqësisht, në debatet mediatike dhe publike lihen mënjanë apo injorohen disa argumente dhe çështje që në plan të parë duken të parëndësishme, por që në të vërtet janë imperative për të transmetuar tek publiku të vërtetën dhe për të triumfuar mbi megalomaninë, mediokritetin dhe perversitetin e zyrtarëve të pushtetit.