Nexhmedin Spahiu, 21.06.2010
Bekim Fehmiu ishte një shqiptar patriot, që nuk u akomodua kurrë as në shoqërinë shqiptare, as në atë kosovare e as në atë serbe. Si patriot shqiptar, bir i familjes patriotike shqiptare, ai u përpoq të ishte një aktor shqiptar, të luante rolin e Skënderbeut, por kjo iu besua një aktori rus.

Ai u përpoq të bëhej një aktor kosovar, të luante Hamletin në Prishtinë, por skena e Teatrit Krahinor të Kosovës u tregua e vockël për të Bekim Fehmiu mbeti aktor i madh serb, aktori më i madh serb i të gjitha kohërave dhe një aktor i shquar botëror, i vetmi aktor nga bota komuniste, që shpërtheu perden e hekurt dhe bëri famë në Perëndim.
Bekimi ishte një argument i gjallë se sa të papajtueshme mes vetes ishin shoqëria serbe e ajo kosovare dhe se larg botës ishin që të dyja.
Një gjen shqiptar dhe një shkollë serbe prodhuan një aktor botëror. Dhe Bekimi me amanetin e tij iu kthye i vdekur të gjithëve: Ceremonia mortore dhe kremtimi – Serbisë, pluhuri i eshtrave të tij Lumbardhit të Prizrenit (Kosovës e Shqipërisë), ndërsa filmat e tij ia la gjithë botës.
Bekim Fehmiu nuk u akomodua në shoqërinë kosovare, sepse ai ishte produkt i klasit të parë të shkollës serbe dhe shoqërisë serbe. Bekimi nuk u akomodua në shoqërinë serbe, sepse ajo në realitet nuk e gëlltiste dot faktin që një shqiptar ishte më i miri ndër ta. Prandaj Bekimi jetoi shndritshëm dhe tmerrshëm.
Vdekjen e aktorit të madh e kapitalizoi politika serbe, por jo edhe ajo kosovare e shqiptare. Presidenti serb, Boris Tadiç, tregoi se mund të përkulet para gjeniut shqiptar, Bekim Fehmiu, por kryetari i Parlamentit të Kosovës tregoi se nuk mund të mbajë një minutë heshtje për aktorin e madh serb e botëror, Bekim Fehmiu.







