Nga Mero Baze, 31 Maj 2012
Kryeministri Berisha po përpiqet të shmangë debatin publik mbi katër kushtet e Bashkimit Evropian rreth krizës politike shqiptare, të cilat duhet të plotësoheshin më 24 maj, duke e quajtur këtë debat një pengesë për procesin e presidentit. Bëhet fjalë për një konsensus për presidentin, për një reformë zgjedhore të përfunduar para zgjedhjes së presidentit, për një reformë parlamentare dhe heqje të imuniteteve.
Trysnia publike e Berishës për të shmangur debatin mbi këto katër probleme madhore që ka Shqipëria, bëhet për të rritur emocionet rreth një procesi që tashmë ka dështuar. Procesi i zgjedhjes së presidentit në Shqipëri ka mbetur aty ku nisi. Sali Berisha ka gjetur njeriun e përshtatshëm për të president, dhe mund ta shkëmbejë vetëm për Topallin në raundin e katërt nëse zoti Zaganjori lodhet nga trysnia e papritur e të qenit kandidat.
Ilir Meta, i cili po përjeton ekstazën e të qenit i rëndësishëm për momentin, shpreson të tërheqë Berishën dhe Ramën drejt një presidenti të diktuar prej tij. E vetmja ngjarje e sigurt që po ndodh është se nuk kemi një proces konsensual, siç e kërkon Bashkimi Evropian. Fakti që do të zgjidhet një president as që vihet në dyshim. Fakti që do të jetë një ushtar i Sali Berishës as që vihet në dyshim. Por kjo nuk është një ngjarje për tu festuar jo më nga opozita, por as nga pushteti.
Ky është lajmi i parë zyrtar antiperëndimor që do të prodhojë Berisha këtë muaj, dhe për ta mbuluar jehonën e keqe të tij në Perëndim, po ngre emocione rreth këtij procesi a thua se Shqipëria mezi pret të shikojë fishekzjarrët e Berishës për presidentin e tij. Energjitë që po harxhohen për të debatuar për një proces që nuk është konsensual janë të mëdha dhe të panevojshme. Kështu siç po zhvillohet procesi, opozita duhet të rrijë mënjanë tij dhe të merret seriozisht me tri kushtet e tjera që Bashkimi Evropian i ka vënë Shqipërisë dhe sidomos me reformën zgjedhore. Ajo është kryesore për fatin e demokracisë në vend, pasi mund të rrisë shanset për zgjedhje të lira.
Përpjekja e Berishës për të krijuar një tifozllëk ndaj një procesi tërësisht të njëanshëm në zgjedhjen e presidentit dhe të përgatisë njerëzit e tij për të festuar një fitore që nuk u duhet as atyre, vlen vetëm për të kuptuar se kështu do të sillet dhe me tri kushtet e tjera.
Aq shumë po fokusohet Bashkimi Evropian tek reforma zgjedhore, ajo parlamentare dhe imuniteti, saqë duket sikur do të krijojë idenë se presidenti konsensual është diçka që Berisha do ta lëshojë. Gati- gati të krijohet ideja se Brukseli as që e konsideron të rëndësishëm lëshimin prej Berishës të presidentit konsensual pasi e vizaton Berishën si një lider me interesa për integrimin në Perëndim dhe një president i veti mund t’i prishte punë.
Biles me këtë logjikë të Perëndimit kam vënë re që arsyetojnë dhe shumë kundërshtarë të Berishës, të cilët seç kanë një ide që Berisha “nuk ka interes” ta marrë vetë presidentin. Më tej akoma në spiralen e frikës dhe dyshimeve kanë hyrë Meta, Rama, gazetarë të majtë dhe të djathtë se ky Berisha seç po ngatërron, seç ka një plan, seç do të bëjë, se me kë është lidhur, se si po e mendon këtë punë që tua ‘fusë’ të gjithëve… Unë kam besim tek Sali Berisha që nuk ka asnjë plan veçse të rrëmbejë presidentin dhe nuk arsyeton asnjë moment si oponentët, por dhe miqtë e tij të sinqertë që mendojnë se kjo nuk i bën mirë të ardhmes së tij.
Në gjithë këtë situatë të turbullt dhe të paqartë për zgjedhjen e presidentit, unë kam besim se Berisha është i vetmi njeri i qartë, i cili do ta bëjë të thjeshtë këtë proces, duke eliminuar konsensusin. Njësoj si konsensusin për presidentin do të sabotojë reformën zgjedhore, të cilën tashmë e ka hedhur poshtë de facto, biles dhe në emër të ODIHR. Ai po ashtu do të hedhë poshtë reformën parlamentare, të cilën e ka mekanizëm për të krijuar një estradë politike para shqiptarëve dhe për të poshtëruar kundërshtarët, ndërsa çështjen e imunitetit e ka të lidhur ngushtësisht me një deputet, çuarja e të cilit në burg mund t’i krijojë probleme në familje, ose mund t’i kthejë të birin në azil politik.
Pra, të gjithë ata që mundohen, dikush si mbështetës i tij, e dikush si kritik i tij, t’i kujtojnë se nuk ka interes të sillet kështu me presidentin dhe me katër kushtet e tjera, thjesht e kanë gabim. Berisha është i qartë çfarë po bën dhe unë kam besim se do të ruajë këtë qartësi deri në fund, për të mos plotësuar asnjë kusht. Opozita nuk ka pse emocionohet kaq shumë pse ky njeri po sillet si antiperëndimor dhe pse po i rrëmben të gjitha pushtetet. Zgjidhja nuk është të korrigjojmë Berishën dhe as ta bëjmë atij një maskë të pranueshme në Evropë. Zgjidhja është ta tregojmë atë siç është.
Dhe në këtë pikë kam më shumë besim tek Berisha se sa tek këta që e qortojnë majtas e djathtas. Ai është më i sinqertë se të gjithë për atë që do. I do të gjitha ato pushtete që Perëndimi do t’ia heqë nga duart. Nuk e lëshon presidentin, nuk bën reformë zgjedhore, nuk bën reformë parlamentare dhe nuk e lë partnerin e djalit në biznesin vdekjeprurës të Gërdecit pa imunitet, pasi e presin minimumi gjashtë vite burg. Lëreni Berishën ta bëjë të thjeshtë këtë punë. Ta prishë! Nëse u kanë ngelur ende fuqi, përdorini për ta larguar, jo për ta maskuar.