(“Ars Poetica” Nr. 5, Mars 2008)
Dr. Raimund Kraemer (Universiteti i Potstdamit)
Çdo tekst është subjektiv. Kjo vlen para së gjithash për esenë, pra çdo “tentim” përpunimi të një pyetjeje shkencore (apo letrare) në formë të shkurtër dhe të arritur. Në vitin 1580, francezi Michel de Montaigne shkroi “esenë” e vet mbi pushtetin dhe sundimin, mbi moshën, frikën dhe përmbajtjen e masës, mbi lirinë e ndërgjegjes si dhe “mbi ngjashmëritë e fëmijëve me baballarët e vet” (përkthimi i parë i tërësishëm, modern, u prezantua në gjuhën gjermane në vitin 1998). Me pas, në Francë, Angli e më vonë në Gjermani, eseja u bë, para së gjithash, si mjet stili i moralistëve.
Sot, në shkollat dhe universitetet e botës anglo-saksone, është një formë e punimeve me shkrim. Në shkollat e larta gjermane, për fat të keq, mbetet nën hijen e detyrave shtëpiake të stërmbushura me fusnota, që me një gjuhë “shkencore”, pra me një gjuhë të stërzgjatur, dëshirojnë t‘i përshtaten një “objektiviteti” të kujtuar. Për ndryshim nga kjo, shefat e personelit të ndërmarrjeve të mëdha kanë një afinitet të bindshëm ndaj esesë.
Në vazhdim ja disa udhëzime që “tentimet” të jenë edhe suksese:
1.
Shkrimi i një eseje është shkrim shkencor, d.m.th jo më shumë e jo më pak se një zbërthim kritik. Në një tekst preciz, të shkurtër por të mjaftuar, duhet të diskutohet një pyetje e vënë. Përkatës duhet të jetë edhe teksti; “i hollë” dhe “i lirshëm”, nuk duhet të jetë në një zhargon të keq por as të mos bie në ndonjë stil përplot fryrje. Stil është “largimi nga e rëndomta dhe e pritura” dhe ju duhet të provoni të përdorni një stil të freskët, me ngjyra d.m.th që të përpunoni edhe stilin figurativ – theksi bie të “përpunoni”! Disa docentë nuk e shohin këtë gjuhë si “shkencore” por mos u hutoni nga kjo gjë.
2.
Argumentacioni në ese duhet të jetë me vija të drejta; linja kryesore, pra peri i kuq, gjatë shkrimit nuk duhet të humbet. Edhe pse, duke marrë parasysh vëllimin e kufizuar mes të rëndësishmes dhe të parëndësishmes, duhet të bëhen dallime, e po ashtu nuk duhet t’u iket detajeve. Sepse, sipas Stendalit, më së shpeshti, mu aty qëndron “pasuria e tërësisë”; megjithatë duhet që shembujt të përkojnë me argumentet.
3.
Temën e dhënë dhe detyrat e vëna (krahaso, diskuto dhe arsyeto!) të lexosh me vëmendje, të mendosh thellë dhe gjatë shkrimit të marrësh parasysh. Këtu edhe vendoset koncepti për esenë, e nëse vetëm “përshkruani” në vend se “të diskutoni”, atëherë shpejt do të vendoseni në binarët e pritjes.
4.
Tekstet e përdorura të lexohen me vëmendje dhe të përpunohen d.m.th përmes një ekspertize, që për tematikën tuaj mund të nxjerni dhe argumentet tuaja mund t’i plotësoni.
5.
Para fillimit të shkrimit duhet që të ekzistojë një farë qartësie në mes të argumentacionit vetjak dhe nyjëzimit të esesë. Në të njëjtën kohë duhet të merren mendimet e Nietsches për zemër, që mjeti ynë i shkrimit punon së bashku me mendimet tona; pra, gjatë procesit të shkrimit mund të zhvillohen mendime të reja. Të shkruarit është gjithmonë një aventurë, në të cilën, kur jemi te fillimi, ende nuk e njohim fundin. Më këtë njohuri duhet që të hiqet edhe frika para “fletës së bardhë” dhe me të shkruarit të mos pritet shumë gjatë.
6.
Eseja duhet po ashtu t’i ketë gjymtyrët e veta, që përbëhen nga hyrja, pjesa kryesore dhe përfundimi. Kjo nuk duhet patjetër të jetë e formatit 1.1. deri 3.3. por megjithatë ndarjet mund të jenë një ndihmë e madhe gjatë shkrimit dhe leximit.
Tema duhet të zgjojë kureshtjen te lexuesi e jo të fus frikë nga stërzgjatja e tekstit, pra të mos ketë përsëritje të shumta. Fjala e parë është më e vështira në çdo tekst, për këtë gjë duhet që kjo të jetë “një dhuratë e zotit”- e pjesën tjetër e bën vetë. Pjesa kryesore, që është ndarja me vëllim më të madh, i përmban tezat dhe shembujt, si dhe argumentet tuaja. Në pjesën e fundit bëhet përmbyllja, por mos të përsëriten thjesht formulimet e pjesës kryesore. Kjo pjesë duhet të përmbajë vlerat e veta, mundet që të përmbajë pyetje të reja që rrjedhin nga përpunimi i temës.
7.
Çka duhet të keni kujdes gjatë shkrimit të esesë?
Largojuni emërzimeve dhe përdorni më shumë folje!
Shkruani në aktiv dhe largojuni konstruksioneve të stërngarkuara pasive!
Termat profesional anglez apo latin? Po, mund të përdoren, por ka shumë fjalë në gjuhën amtare që mund të shpreheni ashtu si të doni!
Vendosni një pikë apo pikëpresje nëse fjalia del e gjatë!
Lërini anash fjalët plotësuese si “poashtu” , “pikërisht” , “vetëkuptohet”.
Bëhuni të qartë se çfarë po merrni nga autorët e tjerë, qoftë citat apo parafrazë dhe
Mundohuni për disa figura e metafora.
8.
Dhe kur të arrini në pikën e fundit, nuk do të thotë se puna në shkrimin e një eseje u krye. Tash duhet që të “prehet e qepet” në të. Tekstin lexojeni edhe një herë, më së miri me zë, ose lëreni që tekstin ta lexojë një tjetër. Të gjykohet ndërtimi logjik si dhe formalitetet: gjymtyrët (hyrja, pjesa kryesore dhe përmbyllja) si dhe drejtshkrimi – edhe pse pas Reformës Drejtshkrimore nuk ka shumë pika të pazgjidhura – dhe përfundimisht forma (këtu janë udhëzimet e mia: 12 pt, 11 rr, në të majtë 2 e në të djathtë 3 cm anët e faqes, bllokshkrim, numërim të fjalëve).
9.
Bibliografia: Për “Të shkruarit shkencor” ka shumë literaturë; por jo çdo gjë që përmban këtë titull, mund të ju ndihmojë. Unë ju propozoj:
– Wolf Schneider, Deutsch für Profis. Wege zu gutem Stil, bei Mosaik – Goldmann,
– Otto Kruse, Keine Angst vor dem leeren Blatt, in der Reihe Campus und
– Wolf-Dieter Narr und Joachim Stary, Lust und Last des wissenschaftlichen Schreibens, bei Suhrkamp erschienen. Para së gjithash lexoni këta! Qofshin fejtone apo gazeta të ndryshme, apo autorë si Walter Benjamin, Thomas Mann… madje edhe Michel De Montaigne – ose tash lekturën e Juergen Kluge, drejtorit të përgjithshëm të McKinsey në Gjermani.
Përktheu nga gjermanishtja: Gjelbrim Hoxha