BRUKSELI & STRASBURGU: JO, KOMPROMISIT TË TRËNDAFILTË PËR SHQIPËRINË!

0
49

Monika Shoshori Stafa

Nuk është fjala për ndonjë penallti në fushat e kupës së botës në Afrikën e Jugut. Është fjala për një “penality” të një lloji tjetër. Pikërisht një “penality” është ajo çka e pret Shqipërinë në muajt që vijnë, nëse autoritetet e saj nuk do të bëhen të dëgjueshëm, qoftë dhe në çastin e fundmë, ndaj këshillave të institucioneve të politikës europeiste.

Për fat të keq, të gjitha shenjat janë se kjo dëgjueshmëri e kërkuar me ngulm prej kryeqendrave të politikës europiane mungon krejt. S’ka ultimatum, s’ka marrëveshje, s’ka kompromis, s’ka probleme midis Shqipërisë dhe Europës, s’ka krizë ekonomike, gjithçka shkon shkëlqyeshëm, Shqipëria lulëzon midis depresionit të përgjithshëm ekonomik botëror, kriza është fantazi njerëzish të sëmurë – këto janë pohimet e përditshme gjithnjë e më të mërzitshme që përhapen pikërisht prej atyre që, duke pranuar se e njohin realitetin, do të jepnin një shenjë dëgjueshmërie.

E vërteta është ndryshe. Qeverisja e Shqipërisë tashmë është bërë një çështje ndërkombëtare. Tirana është një shqetësim alarmant i Brukselit dhe i Strasburgut. Situata e saj përshkruhet në rezoluta, raporte vëzhgimi, deklarata politike dhe akte të tjera. Shqipëria nuk është më një çështje e brendshme e shumicës dhe pakicës, por është një çështje e europolitikës. Vetëm kaq do të mjaftonte për të kuptuar se deri ku ka arritur kriza politike dhe institucionale e vendit.

Ekziston një iniciativë europiane për të rivendosur baraspeshat politike në Shqipëri. Darka e Strasburgut, me të cilën protagonistët kanë bërë dhe humor, nuk dallon shumë prej luftanijes në Adriatik, ku krerët e politikës shqiptare u takuan me të dërguarin europian, Frantz Vranitzkij, më 1997. Pas asaj darke, të gjithë e dinin se ekzistonte një afat pritjeje (deadline), që askush nuk e përfilli. Koha kaloi dhe tani nga të gjithë në Europë dihet se ekziston dhe një afat i ri pritjeje si lëshim i fundmë për shqiptarët kokëshkretë e mospërfillës, që e duan Europën për vizat dhe imazhin, por jo edhe për mënyrën si e nderojnë vendin e tyre. Dhe ky afat dihet mirë se përfundon të mërkurën, më 16 qershor.

Pavarësisht prej thënieve e kundërthënieve, tanimë është krejt e ditur se ekziston jo vetëm afati i ri, por dhe një propozim i shkruar për një marrëveshje minimale, pavarësisht fshehjes bizantine që i bëhet nga njëra dhe nga tjetra palë. Ky propozim synon t’i sjellë palët në një kompromis, që mund ta nxjerrë sërish Shqipërinë në breg. Si çdo kompromis, ai rregullon në mënyrë të logjikshme, që do të thotë dhe të pjesshme, duke u dhënë mundësi të ruajnë fytyrën, interesat e të dy krahëve politikë të Shqipërisë, njëri më intrasigjent se tjetri.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se opozita, duke iu bindur pa fjalë thirrjes së institucioneve europiane, e braktisi kauzën e vet të shprehur në grevën e urisë dhe tani së fundi deklarativisht ka pohuar gatishmëri për të pranuar një marrëveshje të mundshme. Edhe nëse ajo e ka bërë këtë që t’i shpëtojë përgjegjësisë politike dhe historike, është një fakt e një dallim që nuk mund të mohohet.

Po çfarë përmban kompromisi i vetëm i propozuar prej kryeqendrave europiane?
Marrëveshja, e cila duhet të konfirmohet si vullnet deri më 16 qershor nga protagonistët dhe antagonistët e situatës së sotme në Shqipëri, përmban pak a shumë këto parime e këtë kalendar:

– Konfirmohet ligjshmëria e nismave për transparencë të zhvillimit të procesit demokratik, duke përfshirë dhe procesin elektoral, çka kënaq interesat e pakicës së majtë.
– Konfirmohet përgjegjësia e palëve për të gjetur një rrugë kushtetuese të interpretimit të këtyre nismave, çka sigurisht përmbush vullnetin e shumicës.
– Garantohet mundësia e arbitrimit të kërkesave të palëve në një instancë ndërkombëtare, për shembull në Komisionin e posaçëm të Venecias për çështje të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe nismave.
– Pohohet mundësia e shpalljes së një vendimi të shpejtë prej këtij komisioni, sigurisht në formën e një vendimi këshillimor.

Dokumenti lë pa përcaktuar institucionin që do ta interpretonte konfliktin politik në Shqipëri si një çështje juridike të europolitikës (në rastin konkret të Komisionit të Venecias). Nënkuptohet se këtë rol mund ta luante gjykata kushtetuese vendëse ose kryetari i shtetit, por palët nuk kanë besim tek asnjëri nga këto institucione, madje edhe besimi i diplomacisë së huaj është lëkundur. Nënkuptohet gjithashtu se jo një subjekt politik, por një institucion apo autoritet publik mund të jetë shqiptuesi i ankimit në një instancë ndërkombëtare, për ta kthyer detyrimisht çështjen nga “politic case” në “casus iuris”.

Theksohet shumë qartë se pala që do të refuzojë kompromisin do të marrë përgjegjësinë politike për gjithçka që parashihet të ndodhë në Shqipëri, dhe parashikimet janë tejet të zymta, ndryshe prej paraqitjeve të trëndafilta që bëhen përditë prej vendësve. Sipas shumë gjasave, antagonistët kryemëvete të arenës politike shqiptare do ta refuzojnë këtë kompromis. Edhe afati i ri do të kalojë pa arritje. Po çfarë do të ndodhë më pas? Kalendari politik europian përmban edhe një shans tjetër për Shqipërinë: një takim të ri të krerëve të grupimeve politike të vendit në një mjedis ndërkombëtar, në Strasburg përsëri, ose ndoshta në Bruksel.

Kësaj radhe jo një darkë krerësh, por një përpjekje e fundme për të diskutuar me shqiptarët me delegacione. Kjo do të bëhet për shkak të rreziqeve që përmban përfytyrimi europian për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe kjo do të jetë përpjekja e fundme për një rregullim politik të gjendjes së vendit. Pas kësaj nis një kalendar tjetër. Koha e “detyrave të shtëpisë” u harxhua. Koha e bashkëbisedimit mbaroi. Koha e akteve vetëdetyruese u mbyll. Çfarë mbetet nëse edhe instrumenti i kompromisit dështon? Atëherë vjen koha e kalendarit të ndërhyrjes në jetën politike të Shqipërisë me mjete të tjera, pasi në rast se edhe një takim i dytë me delegacione nuk jep rezultatet e pritura në gjykimin e europolitikës, gjuha e kompromisit quhet e dështuar. Atëherë vendin e kompromisit do ta zërë kushtëzimi dhe presioni politik. Penallti! Penality!

Kalendari i kundërveprimit europian përputhet me kohën e fillimit të sesionit të dytë parlamentar në shtator. Nëse deri atëherë do të kenë dështuar të dyja mjetet e kalendarit të parë: marrëveshja dhe kompromisi, atëherë nuk ka rrugë tjetër. Kjo është rruga e ndëshkimit, përmes vendimeve europiane distancuese ndaj një shteti që u largohet standardeve të qeverisjes demokratike. Në kalendarin e dytë nuk ka më shumicë e pakicë, por ka vetëm Shqipëri. Mundësia e ndëshkimit është përmendur në mjediset shqiptare, por shpesh është quajtur një mjet shantazhi. Në fakt, institucionet e euro-bashkësisë e kanë dëshmuar se, kur gjërat arrijnë në një pikë kritike, nuk hezitojnë të mbajnë qëndrim politik.

A nuk pati një pezullim të përkohshëm dhe të paafat të procesit dhe të procedurave të integrimit të Kroacisë në bashkësi, për shkak të konfliktit me Slloveninë për çështje ndërkufitare? A nuk u aplikua e njëjta masë edhe për fqinjin tonë të drejtpërdrejtë, Maqedoninë, disa kohë më parë? Pikërisht pezullimi apo ngrirja e marrëdhënieve të progresit të integrimit europian të vendit është penaliteti i parashikuar në kalendarin politik të Strasburgut dhe të Brukselit.

Ky penalitet, që rëndom ngatërrohet e vulgarizohet duke u njësuar me çështjen e vizave, është më i rëndi që ndërmerr euro-bashkësia ndaj vendeve kandidate. Dhe njëherësh ky do të ishte regresi më i madh politik i Shqipërisë i dy dekadave të fundme, duke përfshirë dhe krizën e vitit 1997. Shpesh thuhet se shqiptarët nuk janë aq të ndjeshëm ndaj procesit të integrimit dhe një penalitet i tillë nuk do të shkaktojë asnjë ndryshim. Por e vërteta është krejt ndryshe.

Nëse situata do të rrotullohet në një mënyrë të tillë që ata (shqiptarët) të mbeten sërish vetëm, Shqipëria do të trazohet keq. Ky regres nuk do të jetë vetëm një njollosje historike e klasës që drejton sot Shqipërinë. Ky regres do të jetës shkas i mjaftueshëm që kriza e fshehtë e gjithanshme e Shqipërisë, deri më tani e paraqitur si krizë institucionale, krizë sistemi, krizë politike, të shpërthejë edhe në aspektin ekonomik. Prognozat janë shumë të këqija. Njohësit e pasojave të krizave të tilla paralajmërojnë se maturia e ndërhyrjes së institucioneve europiane në situatën në Shqipëri sot lidhet me faktin se, sipas bindjes europiane, cilado që të jetë qeveria e ardhshme e vendit, do të gjendet përballë “gropës” humnerë që tashmë depresioni ekonomik i papërjashtueshëm objektivisht e ka shkaktuar.

Ndoshta procesi do të jetë më i rëndë se ai para të cilit u gjendën socialistët e Papandreut në Greqi, menjëherë pas marrjes së pushtetit. E para gjë që iu desh të bënte qeverisë së re greke ishte shpallja e krizës, e cila aty kishte qenë, midis grekëve, që ashtu sikurse fqinjëve të tyre veriorë, u pëlqente të jetonin me një realitet të rremë, të besonin se gjithçka shkonte për së mbari, se në Greqi nuk kishte krizë, por ja që kriza kishte qenë aq e madhe, sa sot financierëve t’u shkojë në mendje si rrugë shpëtimi kthimi te dhrahmia.

Mirë grekët, që tek e fundit, nga e keqja, mund të gjejnë strehë dhe ngushëllim te dhrahmia, po shqiptarët, të cilëve në fillim të këtij viti iu premtua se “lekun do ta heqim shumë shpejt, ne jemi vendi i euros”; shqiptarët, pra, ku të kthehen dhe me çfarë ta ngushëllojnë veten? Pikërisht ky parashikim i zymtë shpjegon atë “ngathtësi” të veprimit europian në Shqipëri, “ngathtësi” e cila shpesh i ka nervozuar shqiptarët, të cilët gradualitetin nuk e duan, lojën me durimin nuk e njohin e po aq shpesh shkojnë drejt rrezikut duke qeshur e duke festuar.